Lugano nuk di të ndalet në kampionat me dyshen shqiptare Sadiku-Alioski në majë të sulmit. Ky binom po funksionon në mënyrë të përkryer dhe Luganon vazhdon të regjistroj rezultate pozitive në kampionat. Në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të kampionatit, të dy sulmuesit kanë shënuar nga një gol në suksesin 2-1 ndaj Young Boys në transfertë. Në fillim ka realizuar sulmuesi i kombëtares maqedonase, i cili kaloi Lugano-n në avantazh pas pasimit përcaktues të Sadikut në minutën e 6′ të lojës. Me të filluar pjesa e dytë Lugano ka dyfishuar rezultatin me një gol të shkëlqyer të 25-vjeçarit elbasanas pas një kundërsulmi.
Ky ishte goli i 7-t dhe asisti i dytë i Armando Sadikut në 10 ndeshje në kampionatin zviceran në radhët e Lugano-s që tani lufton për t’u bërë pjesë e Europa League ndonëse në fillim të janarit ndodhej në vendet e fundit të renditjes dhe rrezikonte të binte një kategori më poshtë. Me Paolo Tramezzani-n në drejtim Lugano ka regjistruar fitoren e katërt radhazi dhe ngjitet në kuotën e 40 pikëve pas 29 ndeshjesh. Diferenca me vendin e katërt që mbahet nga Luzern është vetëm 3 pikë dhe me formën që po kalon skudra Europa është e mundur.