Shkup, 26 janar – Aleanca për Shqiptarët i ndjek me vëmendje të veçantë bisedimet mes BDI-së dhe VMRO-së, dhe me këtë rast rikujtojmë BDI-në se pjesëmarrja “pa kushte” në Qeveri është praktikë e dëmshme dhe i takon të kaluarës politike, jo të lavdishme të shqiptarëve të Maqedonisë. Kështu thuhet në një komunikatë të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa e njëjta i ka rekomanduar BDI-së të ketë parasysh interesat kolektive të shqiptarëve, duke mos lëvizur aspak prej kushteve të cilat u dakorduan në tryezën e përbashkët të partive politike shqiptare.
“Nuk mund të ketë perspektivë euroatlantike vendi pa vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, pa barazinë e plotë dhe frymimin binacional të shtetit, pa sundimin e së drejtës, pa implementimin e raportit të Pribesë, pa zbardhjen e rasteve të montuara politike dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që inskenuan ato”, thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.