Evis HALILI
Shkup, 22 janar – Shkupi renditet si një prej kryeqyteteve me ajrin më të ndotur në Evropë, shkruan gazeta KOHA. Madje, koncentrimi i grimcave 2,5 PM është dyfish më i lartë se ai i atyre qyteteve që konsiderohen si më të ndotura. Të dhënat i referohen studimit më të fundit të bërë nga ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik dhe Institutit të Shëndetit dhe Mirëqenies nga Finlanda. Alarmi që jepet nga ky studim ka të bëjë me shifrat e larta të vdekshmërisë për rajonin e Shkupit, ku 30 deri në 35 për qind e rasteve të vdekjeve lidhen drejtpërsëdrejti me ajrin e ndotur, sidomos për kategoritë më të ndjeshme. Dragan Gjorgjev nga ISHP, ka theksuar se këto shifra janë tejet të larta, pasi sipas përllogaritjeve, i bie që mesatarisht 1300 persona në vit në Maqedoni gjejnë vdekjen si pasojë e ajrit të ndotur. Përkeqësimi i shëndetit dhe komplikimet me pasojë vdekjen, bëhen më të theksuara sidomos për ato sëmundje që lidhen me ajrin e ndotur, si hemorragjia cerebrale, ataku kardiak e kanceri në mushkëri. “Këto tre sëmundje që mund të lidhen me ndotjen e ajrit janë edhe shkaktarët kryesorë të rasteve të vdekjeve në Maqedoni, që gjithsesi prezantohet edhe si një prej vendeve që kryeson në këtë drejtim. Sipas të dhënave, në një vit 70 mijë vite jete i humbim çdo vit si efekt i ajrit të ndotur”, ka thënë Gjorgjev, raporton KOHA. Sipas studimit, nëse do të bënin një krahasim mes Shkupit dhe kryeqyteteve që gjenden më afër tij, si Bukureshti apo Budapesti, ku mesatarisht numërohen 30-40 mikrogramë grimca 2,5 PM, në Shkup grimcat 2,5 PM shkojnë deri në 70 mikrogramë për metër kub, që do të thotë se janë dyfish më të larta. Oto Haninen, ekspert nga Instituti finlandez i shëndetit dhe mirëqenies, ka treguar masat e marra me të cilat Finlanda ka reduktuar në maksimum ndotjen e ajrit gjatë 50 viteve të fundit. Instalimi i ngrohjes qendrore dhe furnizimi i kaloriferëve nëpër banesa përmes kaldajave qendrore, zëvendësoi formën e ngrohjes në shtëpi me dru dhe qymyr. “Po ashtu edhe sistemi komunikacionit rrugor është i rëndësishëm. Parku i automjeteve ishte një nga më të vjetrit në krahasim me vendet e tjetra të Evropës, megjithatë me ndryshimet e bëra gjatë tre dekadave të fundit u reduktuan emisionet e grimcave të automjeteve që ndotin ajrin”, ka sqaruar Haninen. Studimi për shkallën e ndotjes së ajrit mes dy instituteve të shëndetit, i realizuar pak kohë më parë. është pjesë e projektit që mbështete nga Bashkim i Evropian për forcimin e kapaciteteve të Maqedonisë në vlerësimin e cilësisë së ajrit. Studimi po ashtu mbështet edhe analizën e bërë nga ISHP për efektet e ajrit të ndotur mbi shëndetin e njerëzve.
JANARI, MUAJI MË I RREZIKSHËM. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave mortaliteti më Maqedoni çdo vit shënon rritje, duke bërë që numri i personave të vdekur të jetë 20.461 persona në vit. Shifrat më të larta janë të regjistruara në muajin e parë të vitit, në janar (2.105 raste), ndërsa të ndarë sipas gjinisë numri më i madh i vdekjeve prek gjininë mashkullore (mbi 51 për qind e rasteve). Mosha mesatare është mbi 70 vjeç, te meshkujt dhe mbi 75 te femrat, duke bërë kështu që jetëgjatësia të jetë më e madhe tek gjinia femërore. Pjesa dërmuese e personave, rreth 60 për qind, kanë vdekur si pasojë e komplikimeve dhe sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, të tjerë nga neoplazmat, po ashtu si shkaktarë të vdekjeve janë edhe sëmundjet endokrine, dhe ato të rrugëve të frymëmarrjes. Numri i foshnjave të vdekura përbën 1 për qind të numrit të përgjithshëm të vdekjeve, ose rreth 200 raste në vit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.