Ahmeti dhe Thaçi në takimin e mbajtur të dielën mbrëma në Tetovë, ritheksuan se prioritet për shqiptarët është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE. “Asgjë nuk ka ndodhur nën tavolinë, përkrahjen që ia japim BDI-së është përkrahje pa kushte, sepse duam sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe kjo pa implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos është e pamundur. Nuk do të thotë që nëse i kemi humbur zgjedhjet nuk duhet të jemi konstruktiv”, tha Thaçi, duke u përgjigjur në pyetjen nëse shpreson që së shpejti do të ketë zhvillime pozitive për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Sa i përket përshpejtimit të zhvillimeve rreth anëtarësimit të vendit në NATO, kreu i BDI-së Ahmeti tha se shqiptarët duan anëtarësim në Aleancë dhe gjetjen e kompromisit për emrin nga të dy palët. “Ne si shqiptarë të gjithë jemi për anëtarësim në NATO dhe arritjen e kompromisit të pranueshëm për të dyja palët. Duhet sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s, sepse Maqedonia është në udhëkryq, zhvillohen beteja me Rusinë. Ne nuk kemi asgjë kundër Rusisë, por shteti ynë i përket familjes euroatlantike”, tha Ahmeti.