Bogovinë, 9 nëntor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sonte pati takim me banorët e Komunës së Bogovinës, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Shtabit Zgjedhor, Bekim Neziri, kryetari i Komunës, Hazbi Idrizi dhe kryetari i Degës së BDI-së, Berzah Bejtullahu. “Disa politikanë premtojnë parajsë, por vetëm me fjalë. Kinse këto forca do t’i çliruakan shqiptarët nga ‘kthetrat’ dhe ‘robëria’ e BDI-së”, u shpreh me këtë rast Ahmeti, raporton gazeta KOHA. Ai ua përkujtoi oponentëve, gjegjësisht atyre që siç u shpreh, “duan t’i çlirojnë shqiptarët nga BDI-ja”, disa të arritura të BDI-së, si hapja e universiteteve shqiptare, rritja e numrit të studentëve shqiptarë në 20 mijë, punësimi i mbi 4 mijë ushtarëve e policëve shqiptarë, fakte këto që flasin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ali Ahmeti foli edhe për momentin aktual politik duke theksuar se Marrëveshja e Shkupit duhet të respektohet patjetër nga palët nënshkruese, sepse ajo do t’i stabilizojë institucionet shtetërore, të cilat me krizën politike u sollën buzë kolapsit. Ndërsa sa u përket zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes së shumë subjekteve, Ali Ahmeti tha se lëvizjet e reja i dobësojnë shqiptarët. “Duhet të jemi të kujdesshëm se ‘arusha e bardhë’ nuk rri rehat. Përcaktimi i shqiptarëve është Perëndimi e jo Lindja, pasi shqiptarët duan të jetojnë të lirë dhe pa kufi”, nënvizoi Ahmeti, duke shtuar se BDI-ja punon për rritjen e cilësisë së jetës së shqiptarëve në të gjitha fushat. “Shqiptaret nuk duhet te bien pre e fjalëve e boshe. Pushka ka hije në luftë, e fjala në kuvend”, tha midis tjerash lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.