Të funksionojë Agrobursa, të organizohet eksport i tepricës së prodhimtarisë vendore dhe institucionet shtetërore të jenë më shpesh në terren, kërkuan sot bujqit e pranishëm në ngjarjen përfundimtare të projektit “Ekonomia e tregut dhe kapacitetet institucionale”. Ata u ankuan se për shkak të gjendjes aktuale politike që e pamundësoi pagesën e subvencioneve, gjendja në bujqësi po stagnon, ndërkaq ende priten, siç paralajmëruan, rezultate të këqija.
I përbashkët ishte konstatimi se nuk ka treg të rregulluar të ofertës dhe kërkesës, marrëveshjet me blerësit ose janë proformë ose nuk respektohen, ndërsa prodhimi është kaotik në vend që të jetë planor. Rezultatet, ndërkaq nga projekti “Ekonomia e tregut dhe kapacitetet institucionale” që e realizoi organizata Koalicioni rural – Kumanovë prej gushtit të vitit 2016 deri në mars të këtij viti, tregojnë se shumica e bujqve nuk e dinë se cilat janë kompetencat e shumë institucioneve të sektorit, e as nuk e dinë se me sa mjete nga buxheti shtetëror disponojnë.
Me projektin ishin përfshirë 128 të anketuar nga pesë qytete, Strumicë, Kumanovë, Gostivar, Strugë, Prilep dhe pesë rajone planore, Jugperëndimori, i Pollogut, i Pellagonisë, Juglindori dhe Verilindor. Në fokus, përveç bujqve, ishin edhe Minsitria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Agjencia për ushqim dhe veterinari, Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, Agjencia për nxitje të zhvillimit në bujqësi dhe Inspektorati shtetëror bujqësor. Rezultatet tregojnë edhe se mbi 64 për qind e bujqve marrin përgjigje nga institucionet në periudhë prej 15 e në shumë ditëve, në prëgjithësi nuk kanë besim në institucione, as në të punësuarit e tyre, ndërsa 85 për qind mendojnë se nuk ekziston konkurrencë reale e çmimeve në bujqësi.