Evis HALILI
Shkup, 3 shkurt – Vetëm katër projekte shqiptare gjithsej janë miratuar në konkursin e dytë vjetor të Agjencisë së Filmit, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për një dokumentar dhe tre filma artistikë me metrazh të shkurtër, buxheti i të cilave është pak më i madh se pesë milionë denarë, ose vetëm dy për qind e fondit të përgjithshëm që është ndarë në këtë konkurs. Shuma më e madhe e akorduar për këto katër projekte, është ajo për dokumentarin me metrazh të gjatë të Super produksionit – “Heronjtë lokalë – talente bote”, me regji të Ajdin Islamit (2 milionë denarë). Në kategorinë e metrazhit të shkurtër është miratuar filmi artistik i Vizion plus “Dasma e Anës” me regji nga Sabidin Aliut (1.300.000 denarë), “Varrmihësi” nga Sejvi produksion dhe regji të Arsim Fazliut (1.200.000 denarë), si edhe “Rubini” i Ermal Memedi nga Frame in production (850 mijë denarë). Rezultatet e këtij kon kursi janë befasuese dhe më të dobëta sesa ato të konkursit të parë të këtij viti, kur u miratua edhe një projekt shqiptar, filmi i regjisorit Kastriot Abdyli, një korpoduksion me metrazh të gjatë që gjithsesi ka marrë buxhetin më të vogël sesa dy filmat e tjerë të kësaj kategorie, vetëm 20 milionë denarë. Në konkursin e dytë kanë konkurruar edhe projekte të tjera shqiptare që janë refuzuar. Në kategorinë e filmit me metrazh të gjatë me bashkëpunim ndërkombëtar, është hedhur poshtë projekti për një koproduksion Shqipëri-Kosovë-Gjermani, ashtu si edhe projekte të tjera me metrazh të shkurtër. Nga ana tjetër, filmi që është sponsorizuar me buxhetin maksimal është “Gjëja më e vështirë” (30 milionë denarë) me regji nga Serdar Arkar, regjisor nga Turqia. Tek kategoria e dokumentarit, shuma më e madhe e ndarë është për filmin Lena dhe Vladimiri me regji të Igor Aleksov. Këshilli drejtues është organi që jep pëlqimin për këto projekte dhe ku prej më shumë se tre vitesh nuk figuron anëtari shqiptar, mungesë kjo që përbën shkelje flagrante të statusit të këtij institucioni dhe të Ligjit për veprimtarinë filmike.
“Këshilli drejtues, me sugjerimin e drejtorit, por edhe sipas një mendimi të mëparshëm të Këshillit, miraton vendimet për pranimin ose refuzimin e projekteve filmike….. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit drejtues të Agjencisë emërohen sipas principit të profesionalizmit, kompetencës dhe përfaqësimit të drejtë etnik të bashkësive në Maqedoni”, thuhet ndër të tjera në Ligjin për veprimtarinë filmike.
Agjencia e Filmit prej dy vjetësh funksion si institucion më vete që varet dhe jep llogari për punën e saj vetëm në Qeveri. Edhe emërimi i anëtarëve të saj bëhet me miratimin e Qeverisë dhe kjo ka qenë një prej kleçkave me të cilën janë justifikuar në këtë institucion, por edhe në Ministrinë e Kulturës. Mungesa e anëtarit shqiptar, por edhe e anëtarëve të tjerë të Këshillit që merret me leximin e skenarëve, është cilësuar si një handikap edhe nga funksionarët shqiptarë në Ministrinë e Kulturës dhe në Qeveri, por problemi prej vitesh nuk ka gjetur zgjidhje. Refuzimi i projekteve shqiptare dhe i koproduksioneve, dhe miratimi i një numri të vogël është një çështje e debatueshme prej vitesh mes kineastëve, producentëve dhe artistëve shqiptarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.