Evis HALILI
Shkup, 14 korrik – Se cilat do të jenë projektet filmime që do të mbështeten nga Agjencia e Filmit për aplikimet në afatin e parë të konkursit vjetor ende nuk dihet. Nga ky institucion thonë se nuk kanë asnjë lloj date, edhe pse janë tejkaluar të gjitha limitet kohore prej më shumë se dy muajsh, shkruan gazeta KOHA. Vonesat sipas tyre janë shkaktuar pas vendimit të Qeverisë për shkarkimin e rreth dy mijë anëtarëve të disa këshillave drejtues dhe mbikëqyrës nëpër institucione, mes të cilëve edhe pesë anëtarët e Këshillit drejtues, të cilët emërohen nga Qeveria. Sipas të gjitha gjasave projektet e paraqitura do të duhet të kalojnë në një filtër tjetër shqyrtimi dhe për fituesit do të zgjedhin anëtarët e tij. Mes tyre, Qeveria do të duhet të emërojë edhe anëtarin e gjashtë shqiptar, vendi i të cilit është bosh prej disa vitesh . Nga Agjencia e Filmit po ashtu nuk japin sqarime se pse ish këshilli nuk ka miratuar në ndërkohë asnjë vendim për listën me projektet fituese. Me sa duket projektet do të shqyrtohen edhe një herë nga këshilli i ri për të vendosur për fituesit.
“Projektet e dorëzuara në afatin e parë janë shqyrtuar, por nuk është marrë vendimi. Kjo është një situatë e re e krijuar dhe për këtë arsye nuk mund të parashikojmë se kur do të shpallen rezultatet. Presim që Qeveria të emërojë anëtarët e rinj, të cilët duhet të japin miratimin për programin”, përgjigjen për KOHA në Agjenci. Mes tyre do të duhet që të emërohet edhe një anëtar shqiptar, vend ky që prej disa vitesh ka qëndruar bosh, pasi nuk është parë e arsyeshme që të gjendet një kuadër adekuat në këtë pozicion. Kuadrot shqiptarë jo vetëm që mungojnë në përgjithësi në këtë institucion, por edhe në Këshillin artistik. Kjo ka qenë një prej arsyeve që ish Fondi i Filmit dhe tani Agjencia e Filmit të apostrofohet për mbështetjen e vogël që i jep krijuesve të kësaj sfere, por edhe promovimit të kineastëve të rinj. Ankesat kanë qenë për numrin e vogël të projekteve filmime të miratuara, mesatarisht 4-pesë të tilla në vit, por edhe me buxhetin e vogël me të cilin janë financuar këto filma, kryesisht filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë. Vitin e kaluar u miratuan katër projekte shqiptare, mes të cilave vetëm një koproduksion i Dardania Film në kategoritë e filmit me metrazh të gjatë, me një buxhet prej 20 milionë denarë.
Afati i parë i konkursit vjetor për financimin e filmave artistike me metrazh të gjatë e të shkurtër, dokumentareve dhe të animuarave u mbyll në muajin mars, ndërsa afati i dytë i konkurrimit është i hapur deri në mes të muajit gusht. Mesatarisht numri i projekteve konkurruesve është i madh, ndërsa vetëm një e treta arrijnë të klasifikohen si fituese. Më pak konkurrojnë producentët dhe kineastët shqiptarë, jo për shkak të interesimit, por të kapaciteteve të reduktuara në këtë veprimtari. Aplikimi mungon edhe në konkurset e tjera që zhvillon ky institucion, si ai për mbështetjen e projekteve me interes nacional që lidhen me specializime dhe avancimin e kulturës së filmit, punonjësve e të tjera, ku vitin e kaluar nuk fitoi apo konkurroi asnjë institucion, apo produksion shqiptar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.