Pepe mund të jetë një hap pranë “lamtumirës” nga Real Madrid. Kinezët e Hebei i kanë bërë një ofertë prej me 15 milionë eurosh në sezon. Edhe pse konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë të planetit, portugezi ka të ngjarë të dalë nga skena elitare dhe të transferohet në Azi. Futbollisti ende nuk ka rinovuar kontratën me Real Madrid dhe sipas asaj që thuhet nga të dyja palët divorci në qershor do të jetë i pashmangshëm sepse vështirë se do të arrihet një marrëveshje. Faktet tregojnë se Pepe kërkon një kontratë deri në vitin 2019, ndërsa Real Madrid ofron rinovimin vetëm për një sezon. Duke qenë se drejtuesit e Real nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë dy vite kontratë 34-vjeçarit, atëherë sipas radios “Cadena Cope” lojtari është gati të kalojë te skuadra Hebei Fortune, duke u larguar përfundimisht nga Europa ku në sezonin e kaluar u shpall kampion për klube dhe përfaqësuese. Klubi kinez i ofron Pepes tre vjet kontratë dhe 15 milionë euro në sezon, praktikisht trefishin e kohëzgjatjes dhe pagesës që do të marrë te Real Madrid. Te Hebei, Pepe do të bashkohej sërish me Manuel Pellegrini, trajneri që e kërkoi te Real në sezonin 2009-2010.