Por kundrejt idesë së zakonshme se të jesh i ri do të thotë të jesh dhe i shëndetshëm, të rinjtë e sotëm janë të ekspozuar përpara rreziqeve shumë të mëdha në lidhje me shëndetin e sotëm dhe atë në të ardhmen. Aktualisht, të rinjtë studiojnë më shumë dhe martohen më vonë. Bashkë me faktin e uljes së moshës së pubertetit, zgjatet periudha gjatë të cilës këta të rinj u janë ekspozuar sjelljeve të dëmshme për shëndetin, si konsumi i alkoolit, drogave apo raporteve seksuale me partnerë të rastësishëm që rritin gjithmonë e më shumë mundësinë për t’u prekur nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Por ka edhe më shumë: zakonet e këqija të ushqyerjes dhe mungesa e aktiviteteve fizike mund të përkthehen në një sërë sëmundjesh gjatë moshës së mëvonshme. Studiuesit thonë se nuk duhen lënë mënjanë edhe rreziqet e lidhura me median sociale.
Pjekja e trurit
Nëse deri dje puberteti, d.m.th pjekja hormonale, konsiderohej si ngjarja kyçe për kalimin në adoleshencë, fiziologët bashkëkohorë nënvizojnë edhe rëndësinë e maturimit të trurit, që vazhdon deri në moshën 24-vjeçare. Kjo do të thotë për shembull se të rinjtë janë më të influencuar, në krahasim me të rriturit, nga emocionet dhe nga stresi, në veçanti kur marrin vendime.
Dëmet e marketingut
“Ndodh njëlloj si për sëmundjet infektive. Masmedia funksionon si një model që i bën të rinjtë të shkojnë drejt zgjedhjeve dhe mënyrave të gabuara të veprimit. Mbi këtë është e pamundur të veprosh”, thonë kërkuesit. I vetmi sektor mbi të cilin është përqendruar vëmendja është ai i shëndetit riprodhues, por duke marrë në konsideratë që çdo vit regjistrohen një numër i konsiderueshëm të infektuarish me AIDS në popullsinë me moshë nga 15 deri në 24 vjeç, parandalimi duhet fuqizuar akoma më shumë.
“Facebook” dhe “Twitter”
Pika e fundit lidhet me shpërthimin e mediave sociale, si “Facebook” e “Twitter”, që kanë anë pozitive dhe negative. Nga njëra anë lejojnë eksesin ndaj informacionit dhe funksionojnë si katalizatorë për lëvizje dhe protesta, siç ndodhi në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme; nga ana tjetër i ekspozon të rinjtë përballë rreziqeve të reja si ato të imazheve të dhunshme, pornografike etj. Kjo çon në dëmtimin e ekuilibrit mendor të të rinjve.