Kryetari i FC Shkupi, Ejup Ademi në ditë para Kuvendit Zgjedhor të FFM-së, ka realizuar një takim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, njofton faqja zyrtare e FC Shkupi. Cekim, Duka sot ishte prezent në Kuvendin Zgjedhor të FFM-së ku siç e dimë për kryetar i zgjodh kryetari i deritanishëm Ilço Gjorgjioski.
Në takimin e realizuar në hotelin “Aleksandar Palace”, kryetari Ademi dhe presidenti i FSHF-së, Duka kanë folur për ngritjen e cilësisë së futbollit në Ballkan dhe në veçanti për skuadrën e FC Shkupi. Në bisedë e sipër kryetari Ademi i ka treguar për historikun e FC Shkupi, e që presidenti Duka e kishte thënë se e din mjaft mirë suksesin e këtij klubi deri sa luante më parë me emrin “Slloga Jugomagnat”.
Gjithashtu presidenti Duka i ka thënë kryetarit Ademi se klubi i Shkupit ka një ndër tifo grupet më të mëdha shqiptare, siç janë “Shvercerat”, të cilët në vazhdimësi kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të kombëtares shqiptare.
Të përkujtojmë se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është zyrtarizuar pak ditë më parë si kandidat për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.