Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Arbër Ademi, sot realizoi takim të rregullt pune me euroambasadorin Samuel Zhbogar, ku u diskutuan më shumë tema lidhur me agjendën Evropiane të Republikës së Maqedonisë. Në takim, zëvendëskryeministri Ademi shkurtimisht iu referua gjendjes politike në Maqedoni, dhe i përshëndeti përpjekjet e deritanishme të Unionit për gjetjen e daljes nga kriza.
“Vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë të BE-së janë dëshmi e angazhimit dhe mbështetjes nga ana e Bashkimit Evropian për Maqedoninë dhe orientimit të saj euroatlantik”, tha Ademi. Ai theksoi se është e rëndësishme, edhe në kushtet e vazhduara të krizës së brendshme, aktivitetet e rregullta të vazhdojnë lidhur me implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe realizimi i projekteve nga programi IPA.
“Republikës së Maqedonisë i mbetet prioritet strategjik anëtarësimi në Bashkimin Evropian, sepse ajo është dëshira dhe interes i gjithë qytetarëve”, tha Ademi, duke shtuar se roli i çdo udhëheqësi politik aktual dhe i ardhshëm është që të punojë në realizimin e këtyre prioriteteve strategjike dhe të ndjek vullnetin e shumicës së qytetarëve. Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që takimet e tilla të rregullta pune të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në funksion të koordinimit të aktiviteteve reformuese lidhur me ardhmërinë tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.