Qefsere ABDYLI
Shkup, 10 shkurt – Si mund policia të ndihmojë në qoftë se fëmijët janë viktima të shqetësimeve në internet? Në çfarë mënyre duhet të vëzhgohen aktivitetet e fëmijëve në hapësirën kibernetike? Si mund t’i mbrojmë fëmijët në rrjetet sociale, gjegjësisht si të kujdesemi gjatë vendosjes së privatësisë në profilet e tyre online? Këto janë vetëm një pjesë nga pyetjet që ekspertët e sigurisë nga Qendra evropiane për krim kibernetik në Europol presin që t’ju drejtohen atyre nëpërmjet rrjeteve sociale Tuiter dhe Fejsbuk. Të mërkurën në më shumë se 120 vende të botës u shënua Dita e sigurisë në Internet, aksion i cili filloi pas iniciativës së Komisionit Evropian në vitin 2005. Maqedonia kësaj nisme iu bashkëngjit nga viti 2010. Kjo ngjarje organizohet tradicionalisht në shkurt. Fokus i këtij aksioni janë fëmijët dhe për këtë arsye Europol i fton të rinjtë, si dhe prindërit e tyre, shkollat dhe të gjithë të interesuarit, të qëndrojnë online në profilet e tyre dhe të pyesin çka ju intereson.
Pyetjet drejtuar internetit
Gjatë parashtrimit të pyetjeve, qytetarët duhet në Tuiter të përdorin dy hashtag: #AskEC3 dhe #SID2017, ndërsa përgjigjet do t’i marrin direkt nga profili zyrtar i Qendrës evropiane për krim kibernetik në Europol. Ndërsa, në rrjetin social Fejsbuk, pyetjet duhet të parashtrohen në faqen zyrtare të Europol. Motoja me të cilën zbatohet aksioni vjetor është: “Bëhu ndryshimi: të bashkuar për Internet më të mirë”. Sipas ekspertëve të sigurisë për krim kibernetik dhe inxhinierëve të TI-së, një nga tendencat më të zakonshme të abuzimit të fëmijëve që janë edhe fokus i aksionit, është përdorimi ilegal i fotografive dhe videove. Deri te këto, thonë nga Europol, më shpesh arrihet nëpërmjet profileve në rrjetet sociale. Përveç sulmeve piraterike në rrjetet sociale, këtu janë edhe faqet e ndryshme ku paraqiten porosi mashtruese të cilat përdoren si grep të cilin duhet ta kapin shfrytëzuesit. Klikimi mbi reklama të tilla, porosi apo linqe, thonë ata, më shpesh e dëmton kompjuterin me viruset me qëllim të lëshuar nga hakerat dhe kriminelët në internet, të cilët pasi ta infektojnë kompjuterin tuaj apo celularin, kanë qasje te të dhënat dhe të fotografitë e viktimave. Se fëmijët dhe të rinjtë janë kategori e rrezikuar e përdoruesve të internetit, këtë e tregojnë një varg raportesh nga institucione ndërkombëtare të sigurisë. Një nga ato është dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim, sipas së cilës të gjitha inovacionet në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit përhapen shumë shpejtë dhe janë të njohura për konsumatorët. Në veçanti, theksojnë ata, janë të pranishme tek fëmijët.
Në Raportin vjetor, nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim vlerësojnë se fëmijët dhe të rinjtë në internet janë duke u abuzuar në shumë fusha, mes të cilave, ngacmimi-kibernetik, pedofili, abuzimit për qëllime komerciale në industrinë pornografike, për industrinë pornografike etj. Studimet dhe hulumtimet konkrete shkencore tregojnë se pse djemtë janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve, por në më shumë prej këtyre fushave vajzat janë viktima më të shpeshta në krimin kibernetik. Një nga shembujt e përmendur ka të bëjë me të dhënat nga Qendra për mbrojtjen e fëmijëve nga eksploatimi në internet, e cila ndodhet në Britaninë e Madhe. Nga kjo qendër, për shembull, në periudhë prej katër viteve janë evidentuar 250 mijë fotografi nga fëmijët më përmbajtje seksuale, ndërsa numri i vajzave të abuzuara është për katër herë më i madh nga ai i djemve. Shembull tjetër janë statistikat e fondacionit “Internet ëatch”, të cilat tregojnë se rreth 76 për qind nga fotografitë në hapësirën kibernetike në vitin 2013 kanë qenë vajza, ndërsa djemtë kanë qenë në dhjetë për qind të fotografive. Në nëntë për qind nga rastet në fotografi kanë qenë fëmijë, djem dhe vajza.
Nga ana tjetër, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim, bën vlerësim global për atë se cilat janë motivet më të shpeshta të cilat i shtyjnë kriminelët të kryejnë abuzime me fëmijët. Shumë nga ata, shkruan në raport, duan të krijojnë materiale me përmbajtje seksuale të cilat më vonë do t’i përdorin për qëllime të ndryshme, ndërsa disa nga ata janë vetëm pedofil të thjeshtë. Në eksplorimin e fëmijëve marrin pjesë burra dhe gra, edhe pse burrat përbëjnë shumicën nga kryesit e veprave në lidhje me abuzimin e fëmijëve. Burrat që i abuzojnë seksualisht fëmijët dhe prodhojnë materiale zakonisht janë të moshës prej 25 deri 40 vjet. “Kur bëhet fjalë për bisedat me fëmijët në hapësirën kibernetike, këtu nuk mund të krijohet profil në të cilin tipari kryesor do të jetë gjinia e atij i cili përfshihet në bisedë, sepse në të mund të kyçen burra dhe gra. Këto biseda dhe keqtrajtime veçanërisht vijnë në shprehje te fëmijët e moshës prej 10 deri 13 vjet”, thuhet në raport. Nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim theksojnë se abuzimin seksual ndaj fëmijëve mund ta bëjnë edhe personat të cilët kanë nivel relativisht të lartë të shkollimit, që mund të lidhet me aftësitë e tyre të sofistikuara në përdorimin e teknologjisë. Përveç individëve, në hapësirën kibernetike janë të pranishëm edhe grupe të organizuara kriminele, shkruan në Raport, për të cilët thuhet se kryesisht merren me prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve, apo i keqpërdorin fëmijët për qëllime komerciale.
Sa përdoret interneti në Maqedoni?
Më shumë se 75 për qind e amvisëritë në Maqedoni kanë qasje në internet, ndërsa 61 për qind nga popullata e moshës prej 15 deri 74 vjet për çdo ditë e përdorin internetin. Këtë e tregojnë statistikat e fundit të publikuara të Entit shtetëror për statistikë rreth përdorimit të teknologjive informatike të komunikimit në vend për tremujorin e parë të vitit 2016. Sipas të dhënave, pajisje më e përdorur për kyçje në hapësirën kibernetike është celulari, kryesisht nga mosha e re prej 15 deri 24 vjet. Kur bëhet fjalë për të dhënat personale, statistikat e Entit shtetëror tregojnë se vitin e fundit atë e kanë bërë pothuajse gjysma e përdoruesve, të cilët kanë lënë kontakt, emrin, datën e lindjes dhe numrin e letërnjoftimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.