Shqipëria njihet ndryshe si vendi i shqiponjave. Por a ka më shqiponja dhe shkaba në vendin tonë. A fluturon i lirë ky simbol i trojeve shqiptare. Një vëzhgim i profesionistëve zbulon se nga 4 lloje shkabash që kanë qenë në 2004 sot në Shqipëri gjendet vetëm ajo e Kalit të Qyqes.
NË VETËM 13 VITE, MJEDISI NATYROR NË SHQIPËRI KA PËSUAR NJË DEGRADIM ALARMANT
Për herë të dytë pas 13 vitesh, një ekip prej afro 20 studiuesish nga PPNEA, BSPB dhe dashamirës të natyrës shqiptare nga Mbretëria e Bashkuar mundën të realizojnë këtë vit një kontroll të plotë të territorit të vendit për praninë e shkabave.
Krahas shkabave grupi i punës ka mbajtur shënim hasjen e të gjithë llojeve të shpendëve të tjerë grabitqarë duke krijuar në këtë mënyrë, një moment të besueshëm reference për monitorimin e këtyre llojeve në të ardhmen.
Rezultatet tregojnë se nga 4 llojet e shkabave dikur të pranishme në Shqipëri dhe nga 3 llojet e shkabave të hasura në vitin 2004, në vitin 2017 u has vetëm një lloj shkabe, Kali i qyqes. Dy lloje shkabash, te zhdukura nga qiejtë shqiptarë. Duke qenë se shkabat janë lloje “flamur” ose indikatorë të cilësisë së mjedisit, këto rezultate janë tregues i pakontestueshëm i degradimit të jashtëzakonshëm të habitateve natyrore vetëm në 13 vite dhe duhet të shërbejnë si kambanë alarmi për të zgjuar reagimin e institucioneve dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për ruajtjen e mjedisit.
Në vijim, rezultatet tregojnë se fatmirësisht popullata e Kalit të qyqes, shkabës së fundit në Shqipëri, shfaq një qëndrueshmëri përgjatë 10 viteve të fundit ndonëse e kërcënuar kryesisht nga helmimi aksidental që ka marrë përmasa të mëdha këto vitet e fundit. Kjo nismë, u realizua me mbështetjen e CEPF në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” dhe me mbështetjen e të gjithë njerëzve bujarë dhe dashamirës të mjedisit nga Mbretëria e Bashkuar dhe jo vetëm, të cilët dhanë dhuruan dicka të vogël nga vetja për një qëllim të madh. Mirënjohje e thellë për të gjithë.