Në qeveri ai ka 86 ditë, dhe presidenti duket se është duke lëvizur nga doktrina e tij ‘Së pari Amerika’ të cilën e ka promovuar në fushatë. “Kohët e fundit Trump po përdorë forcën ushtarake në Siri dhe Afganistan, kjo tregon për evoluimin e ndryshimeve nga Trump”, shkruan CNN. Ndryshe nga disa që kanë pasur shqetësime, shumë besojnë se ky është veprim i Trumpit për ta dëshmuar politikën e jashtme tradicionale të Amerikës. “Është shumë herët për të thënë nëse i ka ndryshuar idetë, por është e sigurt se duhet të shohim forcën ushtarake”, ka thënë Barry Pavel nënkryetar i Këshillit të Atlantikut. Që kur u bë president, Trumpi më 29 janar miratoi një bastisje kundër një grupi të Al-Kaidës në Jemen. Ai gjithashtu dërgoi edhe qindra trupa shtesë për të luftuar kundër shtetit islamik, dhe këtë javë komanda në Afrikë ka marrë kompetenca më të mëdha në Somali për ta luftuar Al-Shabaab. Por kulmi i të gjithave ishte sulmi me raketa ajrore në bazën në Siri, dhe pastaj me përdorimin e ‘nënës së të gjitha bombave’ në Afganistan. “Presidenti Trump dha kompetenca për sulme ushtarake dhe kjo u bë. Unë mendoj se ky është një mesazh për botën se Amerika është kthyer”, ka thënë koloneli pensionist i cili kishte shërbyer në Irak, Peter Mansur. Sipas tij, sulmet ajrore në Siri tronditën Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut. I pyetur nëse ishte një mesazh për Korenë, ai ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se synimi ishte t’i tregohej Koresë së Veriut forca e Amerikës. “Mendoj se Trump ka marrë shumë autoritet në ushtri, ai është i lumtur për të marrë vendime të mëdha edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë”, ka thënë Derek Colet një ish-asistent në departamentin amerikan të mbrojtjes. Prishja e raporteve të Trumpit me Rusinë ka çuditur gjithë botën, pasi një nga zotimet kryesore të tij ishte rregullimi i këtyre raporteve me shtetin rus.