Atdhetari shqiptar me prejardhje nga Vushtria Hasan Prishtina, ka qenë aktivist, patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut. Prishtina punoi për demokratizimin e jetës së vendit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedhja serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Gazetametro.net për t’ju njohur më mirë me veprën dhe kontributin e këtij atdhetari ka zgjedhur disa fakte nga jeta e tij:
- Si shumë personazhe historike as për të nuk dihet viti i lindjes saktësisht, mendohet të jetë 1873,por ka edhe disa mendime se ka lindur në vitin 1878, ndërsa është vrarë me 1 gusht 1933 në Selanik, nga një mik i tij, i quajtur Ibrahim Qelo.
- Është zgjedhur deputet i Prishtinës në parlamentin turk.
- Emri i tij ka qenë Hasan Berisha-Polaci, gjegjësisht Hasan Vuçitërni, por në vitin 1908 kur bëhet deputet në Parlamentin turk, nënshkruhet si Hasan Prishtina, dhe që nga ajo kohë njihet ashtu.
- Ai njihte 9 gjuhë: anglishten, arabishten, çerkezishten, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten.
- Ka qenë kryeministër i Shqipërisë për shtatë ditë. Ka marrë administrimin me 5 dhjetor të vitit 1921 dhe e ka lëshuar me 12 dhjetor 1921.
- Në mars të vitit 1911, një deputet në parlamentin turk, Dervish beu, nga Serezi i Maqedonisë, i ra me shpullë Ismail Qemalit. Hasan Prishtinës i erdhi aq keq saqë i kërkoi dyluftim deputetit (ky dyluftim nuk u realizua, sepse nuk e lejoi Ismail Qemajli).
- Hasan Prishtina ka qenë shumë i pasur, por pasurinë ai e shkriu për çështjen kombëtare shqiptare. Ai pat mbledhur të holla për të çuar në shkollën normale të Elbasanit, djemtë shqiptarë nga Kosova, dhe gjithë pasurinë e tij e ka shkrirë për arsim dhe atdhe.