Dibër , 2 prill – Bordi drejtues i ndërmarrjes private të ujërave termomineral “Banjat e Dibrës”, kanë realizuar edhe një investim të ri. Në lokalitetin banjar në Banjisht u përuruan dy pishina të reja moderne, dedikuar vetëm për popullatën lokale. Në përurimin investitori vendas, Mexhit Capa, theksoi se pas investimeve disa milionëshe në euro, që u realizuan në kapacitetet hotelerke dhe në pishinat në lokalitetet banjare në Banjisht dhe Kosovrast, tani jepen në përdorim edhe pishinat për popullatën lokale. Ai tha se banorët e fshatit Banjisht mund t’i shfrytëzojnë këto pishina gjithmonë pa pagesë, kurse një javë pishinat pa pagesë do t’i shfrytëzojnë edhe qytetarët e Komunës Dibër. Aktualisht, përveç dy pishinave moderne, janë duke u ndërtuar edhe tre pishina të tjera po në Banjisht të hapura. Sipas tij, gjatë kësaj vere do të promovohet edhe Akua parku në lokalitetin banjar në fshatin Kosovrast, i cili do të jetë akua-parku më i madh jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan. Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, theksoi se investimet e investitorit Capa, kanë një peshë të madhe dhe shumë domethënëse. Sipas tij, ky investitor vendas, ka bërë investime milionëshe në modernizimin e banjave dhe kapaciteteve hotelerike. Lata shtoi se turizmi banjar është një shtyllë e fuqishme e zhvillimit ekonomik në Komunën Dibër, meqë përveç investimeve të mëdha, në këtë ndërmarrje private janë bë edhe punësime të shumta. (V.S)