2017-ta me diskurs të ri politik shqiptar në Maqedoni

Nga Argëtim SALIU

Për nevojën e bashkimit të fuqisë dhe kapaciteteve politike shqiptare në Maqedoni është thënë e shkruar edhe më herët. Kjo temë sikurse më parë u zgjodh si rezultat i imponimit nga vetë koha. Kur liderët politik shqiptarë në Maqedoni e shikuan vetën në pasqyrë ata që nga ai çast ndaluan të merren me njëri tjetrin, pastaj, me ata filluan të merren vëllezërit më të “mëdhenj” nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Ndonëse me vonesë, por, më mirë vonë sesa kurrë! Liderët politik e kuptuan se vetëm të bashkuar mund të jenë më të sigurt, më të fuqishëm, se vetëm nëpërmjet bashkimit ata mund të realizojnë kërkesat e kamotshme të popullit shqiptar në Maqedoni, për t’ju krijuar një të ardhme të ndritshme dhe me perspektivë.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor 2016, pushuan zërat e politikanëve që kërkonin besimin për realizimin e platformave të partive politike, sepse më në fund, iu kujtua kryeministrit të Shqipërisë, z-tri. Edi Rama, që të ftojë në takim katër liderët e partive politike shqiptare në Tiranë. Takimi u mirëprit me entuziazëm dhe i gëzoi të gjithë. U bë jehonë e madhe në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në diasporë sepse u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët e cila përmbante kërkesat më të rëndësishme të shqiptarëve, të cilat do t’i dorëzohen mandatarit nga pala maqedonase, gjatë bisedimeve për formimin e Qeverisë së re. Me gjasë, nëpërmjet kësaj deklarate, shqiptarët e Maqedonisë po e shkruajnë historinë e re të politikbërjes, që së bashku me Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, shqiptarët po shkruajnë historinë me duart e veta.

Tani pasi filluam t’i kthehemi vetvetes, sikur na bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë të kaluare kishim nga viti 2001 e deri më sot. Nëpërmjet kërkesave të dala nga Deklarata e përbashkët e nënshkruar në Tiranë, e kuptuam se paskemi qenë në “fund të pusit”. Pasojat nga mosrealizimi i premtimeve dhe kërkesave politike dhe tërheqja e vërejtjes nga faktori ndërkombëtar dhe ai shqiptar, nga Tirana dhe Prishtina, si duket filluan të na zgjojnë nga gjumi dhe të merremi me vetën. Nevoja për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga vetë Marrëveshja e Ohrit, e cila është e inkorporuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë,dhe tani edhe nëpërmjet kësaj Deklarate që i përmban kërkesat e ngjashme, e cila është kusht që po negociohet për formimin e Qeverisë së re, tregon më së miri dhe është fakt i pamohueshëm se sa paskan arritur elitat politike shqiptare të realizojnë Marrëveshjen e Ohrit, me gjithë atë mbështetje të faktorit ndërkombëtar. Kujtojmë se afati për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit ishte viti 2004, ndërsa politikanët shqiptarë edhe sot nëpërmjet kësaj Deklarate, kërkojnë: arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, nëpërmjet përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit, përdorimit të simboleve kombëtare (flamuri dhe stema), arritja e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, financimin e aktiviteteve kulturore shqiptare, krijimin e një ministrie të re për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, arritja e përfaqësimit të drejtë në institucionet e sistemit, me theks të veçantë në organet e policisë, sigurisë dhe në ato të drejtësisë.

Nëse i analizojmë kërkesat e lartshënuar atëherë na bën të kuptojmë se që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe deri më tani shqiptarët paskan realizuar të drejtat e tyre në formë gjysmake dhe me shpejtësinë e breshkës. Sikurse kjo duhet të jetë arsyeja që liderët politik shqiptar në Maqedoni e paskan kuptuar tregimin me “shtatë thuprat”, ose kanë filluar të binden se më tepër se ndarja na duhet bashkimi, më shumë se pakësimi na duhet shumimi.

Është mirë që ta kuptojnë dhe praktikojnë edhe thënien e Akademik Esat Stavilecit: “Deri kur ne shqiptarët do të marrim pjesë në tryeza ndërkombëtare pa u ulur në sofra kombëtare?! Ta dini, se pa qenë mirë Shqipëria , nuk do të bëhet mirë as Kosova dhe se pa qenë mirë Kosova, nuk do të bëhet mirë as për shqiptarët e Maqedonisë”.