Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 janar – Ulje të ngadalshme të varfërisë në Maqedoni tregojnë të dhënat e fundit të Entit të Statistikës, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të fundit, shkalla e varfërisë është ulur nga 24.2 për qind në vitin 2013 në 21.5 për qind në vitin 2015. Kjo do të thotë se është zvogëluar për afër 50 mijë, nga 500 mijë në 445 mijë numri i personave të varfër. Tregues tjetër i varfërisë së popullatës në vend është edhe koeficienti Xhini që mat jobarazinë në shpërndarjen në të ardhura – që në vitin 2013 ka qenë 37 për qind, ndërsa dy vite më vonë – 33.7 për qind. Ajo tregon se 20 për qind e më të pasurve kanë gati të njëjtat të ardhura sa 80 përqindëshi tjetër. Sa më i lartë është ky indeks aq më e pabarabartë është shpërndarja e të ardhurave. Gjithashtu, një pjesë e madhe e popullatës kanë probleme edhe me përjashtimin social, që si burim kryesor ka më shumë probleme si papunësinë, mungesën e kualifikimeve profesionale, të ardhurat e ulëta, mjediset e papërshtatshme për të jetuar, problemet shëndetësore.. etj. Statistika më tej ka përllogaritur se për të varfër janë llogaritur familjet me dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç, me të ardhurat mujore prej 13.700 denarë. Nga ana tjetër, shkalla e varfërisë sipas aktivitetit ekonomik është prezente tek 10.3 për qind e të punësuarve, 45 për qind e të papunëve, 10 për qind e pensionistëve dhe 26.7 për qind e personave të tjerë. Me fjalë të tjera, 22 për qind e qytetarëve në Maqedoni jetojnë me më pak se 7200 denarë në muaj.
Kur mishi bëhet super-luks
Nga ana tjetër, 35 për qind e popullatës është seriozisht e privuar nga katër prej nëntë nevojave themelore jetësore, tregon Anketa për të ardhurat dhe kushtet e jetesës e Entit të Statistikës. Sipas anketës, gati 40 për qind e qytetarëve nuk mund ti lejojnë vetes realizimin e së paku katër nga nëntë nevojat themelore siç janë: pagesa e qirasë apo komunaleve, ngrohja adekuate e banesës, pagesa e harxhimeve të paplanifikuara, ngrënia e mishit, peshkut apo mish pule në çdo të dytën ditë, verimi njëjavor, automobili personal, disponimi i një lavatriçeje, televizor me ngjyrë apo telefon.Nga ana tjetër, edhe hulumtimet e institucioneve evropiane tregojnë se gjysma e Maqedonisë jetojnë në rrezik nga varfëria dhe përjashtimi social. Analiza e EUROSTAT-it tregon se me 43 për qind të popullatës, vendi është në krye të 33 shteteve anëtare apo kandidate për anëtarësim në BE, sipas numrit të banorëve që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për jetë normale, ose ku asnjë anëtar i amvisërisë nuk është i punësuar. “Është dëshpërues fakti se në Maqedoni dominojnë qytetarët që janë seriozisht të privuar materialisht, dhe të cilëve të ardhurat nuk ju mundësojnë të bëjnë jetën normale. Rreth 65 për qind e tyre nuk mund të ballafaqohen me harxhime të paparashikueshme, që do të thotë se ajo çka e fitojnë si të ardhur, ju siguron vetëm mbijetesë, por jo edhe mbulim të rreziqeve shëndetësore dhe të tjerave. Gjithashtu, është simptomatike se 55 për qind e qytetarëve në Maqedoni nuk mund ti lejojnë vetes ushqim adekuate me mish ose proteina të ngjashme së paku dy herë në javë:, thotë profesoresha universitare Maja Gerovska-Miteva. Ekonomistët thonë se vetëm me lëvizje serioze të ekonomisë, Maqedonia mundet të jetë ndër vendet e fundit në Evropë për mirëqenie, të jetë e njohur për gjëra pozitive siç janë zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i shtetit dhe qytetarëve të tij. “Mënyra më efikase për përmirësimin e ekonomisë dhe standardit jetësor është përmes rritjes së prodhimtarisë që hap vende të reja të punës. Vetëm përmes krijimit të vlerës së re mund të zvogëlohet varfëria. Nevojitet edhe rritja e mundësive për formimin e firmave private dhe qasje të firmave të vogla në kreditë dhe inovacionet teknologjike. Gjithashtu, duhet të mbështetet edhe zhvillimi i sipërmarrjes, që ka pjesëmarrje më të madhe për avancimin e ekonomisë së Maqedonisë”, shprehet profesoresha Janka Dimitrova. Sipas saj, duhet të kryhet edhe një riorganizim i arsimit të mesëm, arsimit të të rriturve dhe rikualifikimit të tyre, me qëllim që t’ju mundësohet punëtorëve ndryshimi i vendeve të punës në bazë të kërkesës së tregut të punës.
Harxhojnë më shumë sesa fitojnë
Për mirëqenien e dobët të qytetarëve në Maqedoni flet edhe fakti se blerja e ushqimit paraqet harxhimin më të madh në buxhet për të cilin harxhohet mbi 42 për qind e të ardhurave mujore, ndërsa në shtetet e zhvilluara – kjo përqindje lëviz prej 10-15 për qind. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se veshmbathja cilësore si këpucët, këmishat, pantallonat e brenduara e kështu me radhë. në Maqedoni shiten shumë më shtrenjtë se në vendet perëndimore, atëherë fitohet një pasqyrë e zymtë e cilësisë së jetesës në vend. Edhe statistikat e ndryshme ndërkombëtare dëshmojnë se qytetarët e Maqedonisë radhiten ndërmjet shteteve me popullatë më të varfër në Evropë. Sipas EUROSTAT-it, të ardhurat për frymë nga Bruto Prodhimi Vendor në Maqedoni janë sa 36 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa konsumi për frymë vlerësohet në 40 për qind të mesatares së BE-së. Këto të dhëna që përfshijnë konsumin aktual individual si masë e matjes së mirëqenies materiale të familjeve dhe prodhimin e brendshëm për kokë banori, tregojnë se Maqedonia është vendi i tretë më i varfër në Evropë. Më tej, shifrat e EUROSTAT-it tregojnë se Shqipëria renditet e parafundit në Evropë me të ardhurat për frymë nga Bruto Prodhimi Vendor që është sa 29 për qind e mesatares së BE-së, dhe me konsumin aktual për frymë prej 34 për qind të mesatares së BE-së. Më e varfra, apo e fundit në listën e EUROSTAT-it është Bosnjë dhe Hercegovina me të ardhura më të ulëta për frymë prej 28 për qind në Evropë dhe me 37 për qind të konsumit. Ndryshe, një familje mesatare në Maqedoni harxhon më shumë të holla se sa fiton dhe atë vetëm për mbijetesë. Hendeku midis të ardhurave dhe nevojave mbulohet përmes dërgesave të mërgimtarëve, kartelave kreditore dhe ekonomisë informale. Enti Shtetëror i Statistikës ka përllogaritur se një familje katër-anëtarëshe me një të punësuar, në vitin 2014, për konsum personal i janë nevojitur 355.941 denarë , gjegjësisht 5780 euro, ndërsa nga ana tjetër – ajo ka harxhuar 321.065 denarë. Kjo do të thotë se një amvisëri ka harxhuar 35 mijë denarë ose më shumë se 550 euro më shumë që nuk i kanë pasur në disponim, apo nuk i ka fituar në emër të pagës së rregullt apo burimeve të tjera të ardhurave mujore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.