Një 17-vjeçar akuzohet se ka vrarë të gjithë familjen e tij me një sëpatë. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin Tabov, në perëndim të Rusisë. Adoleshenti, i identifikuar me emrin Alexander K, akuzohet se ka vrarë babain e tij Victor, 43-vjeç, motrën Victoria, 14-vjeç dhe gjyshen Vera, 67- vjeç. Viktimat, sipas mediave atje, mësohet se u gjetën në shtrat të mbuluara nga gjaku dhe me plagë të shumta në trup. Sipas policisë, marrëdhënia e djalit me familjen ishte përkeqësuar pas vdekjes së nënës së tij nga kanceri, 3 vite më parë. 17-vjeçari mësohet se nuk shkonte mirë me partneren e re të të atit. Megjithatë, policia deklaroi se mosmarrëveshja e fundit që çoi dhe në krimin makabër dyshohet të ketë qenë refuzimi i familjes për t’i dhënë atij një shumë parash.