Laura PAPRANIKU
Shkup, 11 korrik – Kuotat tanimë të përcaktuara nga Qeveria për regjistrimin e studentëve për vitin akademik 2017/2018, kanë trasuar me përafërsisht kahet e orientimit të studentëve që nga viti i ardhshëm do të jenë pjesë e universitete publike. Në bazë të vendeve të planifikuara paraprakisht, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, ka shpallur konkursin për pranimin e 1580 studentëve të rinj për vitin akademik 2017/2018, shkruan gazeta KOHA.
E, krahasuar me një vit më parë kur UNT hapi siparin e studimeve, këtë vit është rritur për 330 më shumë numri i vendeve të lira për studime deridiplomike. Kjo, për shkak të shtimit të programeve të akredituara në këtë universitet, të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje, nga 14 në 20 programe studimore. Rreth 60 për qind e vendeve të parapara me konkurs, do të jenë studime me kuotën e financimit shtetëror, edhe atë 940 vende, ndërkaq 410 vende janë me kuotën e bashkëfinancimit dhe 230 vende për studime me korrespondencë. Numër më të madh studentësh pritet të regjistrojë Fakulteti i Shkencave Sociale (540), i cili është në të njëjtën kohë edhe fakulteti me numrin më të madh të programeve studimore, pesë programe dhe tetë profile gjithsej. Krahas studimeve për Punë dhe Politikë Sociale, ku janë paraparë të regjistrohen 180 studentë (90 me kuotën shtetërore), në FSHS do të ketë edhe studime nga Media dhe Komunikim Ndërkulturor me gjithsej 80 vende (40 me kotën shtetërore), studime nga Sporti dhe Shkencat e Sportit me 70 vende (30 me kotën shtetërore). Do të ketë gjithashtu edhe studime të Administratës Publike dhe Menaxhimit të Resurseve Humane, ku është planifikuar të pranohen 80 studentë (40 me kotën shtetërore), si dhe studime politike me 130 vende të lira (70 me kotën shtetërore). Në këtë program, vendet do të ndahen mes profilit Studime Evropiane (70 vende gjithsej) dhe Studime Ballkanike dhe Euroaziatike (60).
FSHS në të njëjtën kohë është fakulteti më tepër i zgjeruar me programe këtë vit. Vitin e kaluar kishte vetëm dy programe studime për Punë Sociale dhe Studime Evropiane, ndërsa për vitin 20017/2018 i janë shtuar programet Media dhe Komunikim Ndërkulturor (me dy profile: komunikim dhe gazetari) si dhe sportet, administrata dhe studimet ballkanike dhe euroaziatike. Pas FSHS-së më tepër vende të lira do të kenë Fakulteti i Shkencave Teknike me 420 vende, prej të cilave 270 me kotën shtetërore. Program i ri në kuadër të FSHT-së është Inxhinieria për mbrojtje të ambientit të punës dhe jetesës, me gjithsej 50 vende të cilat do të ndahen mes dy profileve: Inxhinieria për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe Inxhinieria për mbrojtje të shëndetit gjatë punës. Programe tjera të këtij fakulteti janë: Sistemet Elektro-energjetike me gjithsej 40 vende, Inxhinieri makinerike dhe Manaxhment (40), Inxhinieri e transportit dhe komunikacionit (50), Mekatronikë (60), Menaxhment industrial (50) dhe Ekonomi e zbatuar dhe ndërmarrësi (130). Fakulteti i Shkencave Informatike do të regjistrojë 320 studentë, prej të cilëve 200 me kuotën shtetërore, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 190 studentë (130 me kotën shtetërore), ndërsa Fakulteti i Shkencave Teknologjike do të regjistrojë 110 studentë, prej të cilëve 70 me kuotën shtetërore. Për regjistrimin e studentëve në UNT do të ketë tre afate, i pari nga 15 deri 18 gushti, afati i dytë nga 29 deri 31 gusht si dhe afati i tretë më 14 dhe 15 shtator.
Me themelimin e UNT-së, në Maqedoni janë rritur gjasat për studime shqipe në universitete publike. Përveç se në programet dhe fakultete e Universitetit të Tetovës ku prej vitit 1994 zhvillohen studime në gjuhën shqipe, prej 2016-ës është krijuar një mundësi e tillë edhe në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Këtë vit, për shembull, krahas 3870 vendeve në UT, maturantë shqiptarë do të kenë në dispozicion edhe 1580 vende në UNT. Studime në gjuhën shqipe gjatë këtyre 16 viteve ka edhe në Universitetin privat të Evropës Juglindore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.