Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë ka konfirmuar sot se në Itali ndodhen 1505 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar në qendrat e pritjes, nga vëzhgimet e kryera deri më 31 tetor të këtij viti. Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani, së bashku me disa përfaqësues dhe ekspertë nga institucioni që ai drejton zhvilluan një vizitë studimore në Itali. Në një njoftim zyrtar nga ky institucion bëhet e ditur se njohja dhe shkëmbimi i eksperiencave më të mira me Garantuesin Kombëtar të të drejtave për të dënuarit ose personave të privuar nga liria të Italisë ishte në fokus të kësaj vizite. Delegacioni shqiptar i Avokatit të Popullit zhvilloi takime ekspertë të njohur në fushën e të drejtave të njeriut. Gjatë takimeve u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit në dobi të shkëmbimit të eksperiencave në nivel ndërkombëtar dhe për mbrojtjen e qytetarëve respektivë, sidomos në fushën e migracionit. “Avokati i Popullit konstatoi një fakt mjaft shqetësues, prezencën e 1505 të miturve shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit në qendrat e pritjes, nga të dhënat e fundit të regjistruara më 31 tetor 2016. Fëmijët shqiptarë të pashoqëruar në Itali zënë rreth 9.5 për qind të të gjithë fëmijëve të pashoqëruar që kanë shkuar në Itali dhe, renditen të tretët pas atyre nga Egjipti dhe Gambia. Bashkëpunimi për mbrojtjen e të drejtave të tyre mori një vëmendje të veçantë gjatë takimeve me palën italiane”, thuhet ndër të tjera në njoftim. Gjithashtu bëhet e ditur se rreth 2474 shtetas shqiptarë janë të privuar nga liria në institucionet italiane, mes të cilëve 28 janë gra. Shqiptarët renditen të tretët për nga numri mes të burgosurve të huaj në Itali, duke zënë rreth 13 për qind të numrit të tyre të përgjithshëm. Avokati i Popullit ka realizuar vizita edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke marrë kontakt të drejtpërdrejtë me shtetasit shqiptar të dënuar në Itali.