Driton ZENKU
Gostivar, 26 mars – Kriza ekonomike dhe rrogat e ulëta kanë ndikuar që shumica e punonjësve në administratën publike dhe shtetërore të aplikojnë dhe marrin kredi të ndryshme nga Banka komerciale në vend, shkruan gazeta KOHA. Muajve të fundit, vërehen vonese në marrjen e rrogave, kështu që paraqitet problem në kryerjen e pagesës në kohë të kësteve për kreditë e marra. Zakonisht, deri tetin e çdo muaj, duhet të shlyhen këstet, ndërsa rrogat e administratorëve në disa institucione vonohen madje deri në gjysmën e muajt. Administratorët pranojnë vërejte nga bankat që duhet të kryejnë pagesat e kësteve, kurse, mungesa e mjeteve financiare si pasojë e vonesave për marrjen e rrogave, sjellin kokëçarje për ta. Thuajse në të gjitha institucionet, përqindja arrijnë në masën 80 për qind. Të paktën kështu ngjanë në institucionet publike që funksionojnë në Gostivar. Informacionet nga shërbimi i kontabilitetit në institucionet arsimore në Gostivar, tregojnë se pjesa dërmuese e punonjësve janë shfrytëzues të kredive bankare dhe kartelave të ndryshme kreditore. Kjo ndodh edhe për administratën komunale, njësitë rajonale të ministrive dhe drejtorive të ndryshme. “Përqindja mbetet identike nga viti në vit. Mund të themi që diku 80 % e punonjësve në institucionin tonë janë kreditor apo garantues për persona të tjerë. Kemi raste edhe të punonjësve që shfrytëzojnë kartela kreditore”, njoftuan nga shërbimi i kontabilitetit në njërën nga shkollat publike të qytetit. Një mësimdhënës nga Gostivari thotë se pjesa dërmuese e punonjësve në arsim janë kryesisht të moshës së re, dhe nevojat për krijimin e kushteve për jetë siç janë vendbanimi apo automjeti janë të domosdoshme. “Në pamundësi që harxhimet të mbulohen nga rrogat e rregullta, obligohemi që me kredi afatgjate të realizojmë synimet”, thotë ai. Se punonjësit në institucionet e shtetit janë shfrytëzuesit më të mëdhenj të kredive nga bankat komerciale, tregon dhe fakti që në çdo hyrje të kë- tyre institucioneve qëndrojnë njoftime nga Bankat e ndryshme komerciale për kushtet e kredi-marrjes. Në pjesën dërmuese të rasteve, punonjësit marrin kredi për konsum, por ka edhe kredi për blerje të banesave dhe automjeteve. Përqindje identike paraqesin edhe shkollat e tjera, ndërkohë që kjo vlen edhe për institucionet publike siç është administrata komunale, spitali, shtëpia e shëndetit, njësitë rajonale të ministrive dhe drejtoritë e ndryshme. Ndryshe, të dhënat më të reja të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM) tregojnë se kreditë për konsum kanë arritur shifrën prej 850 milionë eurosh dhe krahasuar me vitin 2014, në vitin 2015 qytetarët e Maqedonisë nëpërmes kartelave kreditore kanë kryer transaksione bankare në vlerë prej 200 milionë eurosh. Kjo ka bërë që borxhi i përgjithshëm i qytetarëve dhe firmave në Maqedoni përfundimisht në muajin janar të vitit 2016 të arrijë vlerën prej 4.55 miliardë eurosh, apo brenda një viti të kemi rritje të kredive të konsumit për 400 milionë euro, raportojnë mediat në Shkup. Për njohësit e çështjeve ekonomike, janë tepër shqetësuese të dhënat e BPM-së kur kemi parasysh strukturën e qytetarëve, të cilët janë futur në borxhe tek bankat komerciale të vendit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara