Driton ZENKU
Gostivar, 11 shkurt – Dalja në rrugë për të kërkuar mëshirë jo në të gjitha rastet mund të konsiderohet si mënyra më e lehtë për të siguruar kafshatën e gojës. Lypësit dhe sidomos gjinia femërore shpeshherë bien pre e abuzimeve, shkruan gazeta KOHA. Opinioni i përgjithshëm për lypësit është ndërtuar vetëm nga këndvështrimi i dukshëm. Por prapa syve të opinionit ndodhin edhe situate të palakmueshme. Lypëset femra nëpër qytet kanë frikë të zë terri i mbrëmjes nga frika se persona të pandërgjegjshëm abuzojnë me to duke i maltretuar, përdhunuar dhe duke ua marrë paratë që i kanë mbledhur gjatë ditës. Është sekret publik që femrat të cilat mbeten rrugëve për të kërkuar lëmoshë edhe gjatë orëve të mbrëmjes, shpesh ndodh të ballafaqohen me situata të padëshiruara që vinë në shprehje nga persona të pandërgjegjshëm të cilët shfrytëzojnë gjendjen e pambrojtur të këtyre lypëseve duke i keqtrajtuar fizikisht por edhe seksualisht. Këtë e dëshmon edhe një vajzë 14 vjeçare e cila thotë se kishte të pamundur që të vazhdonte qëndrimin në rrugë pasi që qyteti të kaplohet nga terri sepse në rrethana të këtilla, ndjehej e kanosur për sigurinë e saj. Ajo nuk deshi të flas publikisht për shkaqe siguri por shprehet se shumë vajza të reja por edhe me gra të moshuara, abuzohet në format më ç’njerëzore nga ana e personave të papërgjegjshëm apo siç i quajti ajo rrugaçë, narkomanë dhe pijanecë.
“Na i marrin paratë që i kemi mbledhur gjatë ditës, por ka pasur edhe raste kur na kanë përdhunuar”, thotë 14 vjeçarja, e cila në rrugë gjendet në pamundësi për të siguruar ekzistencën për familjen e saj në ndonjë formë tjetër. Ajo tha se rastet nuk i paraqesin nëpër organet kompetente nga frika sepse personat keqbërës ju kanosen edhe për jetën. Ky realitet ndikon që rastet e tilla të heshtën zyrtarisht. Muhamet Tahiri nga Qendra për punë sociale në Gostivar, thotë se deri më sot nuk ka pasur ndonjë denoncim të kësaj natyre, por inkurajojnë lypëset që kur të përballen me situate të këtilla, t’i denoncojnë me qëllim që ndaj personave në fjalë, të ndërmerren masa ligjore. Fatkeqësia qëndron në faktin se shumë vajza të mitura bien pre e personave të pandërgjegjshëm të cilët abuzojnë me këto vajza në çdo aspekt, dhe për këmbim u japin vetëm ca shqelma, grushte e në fund një të shtyrë në rrugë. Me këtë rast, largimi i fëmijëve nga rruga është i domosdoshëm thotë Tahiri, sepse rreziku që sjell qëndrimi i tyre në rrugë është i madh kur kihet para sysh se ata mund të bien pre të abuzimeve të ndryshme fizike, seksuale e psikike nga persona të pandërgjegjshëm të cilët në mënyrë çnjerëzore shfrytëzojnë pamundësinë e tyre për tu mbrojtur dhe për tu ankuar tek organet kompetente.
Ndërkaq, Qendra për Punë dhe Politikë sociale në koordinim edhe me organet e rendit në Gostivar, kanë arritur të bien në gjurmë të disa personave të cilët janë kapur në flagrancë duke abuzuar me fëmijë të vegjël të cilët i kanë detyruar për të lypur rrugëve të Gostivarit. Ky fenomen më herët ka qenë një sekret publik, por mosveprimi i institucioneve ua mundësonte personave të tillë të veprojnë pa u ndëshkuar. Me aksionin e fundit të Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale dhe Policisë së Gostivarit, u konfirmuan të dhënat se persona nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, dhe kryesisht nga Shkupi, çdo ditë sillnin grupe fëmijësh me transport të organizuar për të lypur gjatë ditës në qytet. Në mbrëmje ato takoheshin në pikëtakimin e caktuar dhe parat e grumbulluara ua jepnin shefeve të tyre. Gjoba për këtë lloji veprimtarie sillet prej 15 deri në 50 euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.