Evis HALILI
Shkup, 20 mars – Që të jesh shtetas i një vendi të lumtur duhet që prosperiteti dhe kapitali social i atij vendi të jenë të ekuilibruara, që nënkupton besim të lartë te shoqëria dhe besim te qeveria, shkruan gazeta KOHA. Këto janë parametrat mbi bazë të të cilave matet niveli i lumturisë, sqaron Jeffrey Sachs, këshilltar i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe një prej hartuesve të Raportit e vitit 2017 për nivelin e lumturisë në të gjitha vendet e botës. Sa e lumtur është Maqedonia? Raporti jep një vlerësim minimal, duke e renditur në vendin e 92, mes 155 shteteve të tjera, shumë më poshtë se disa vende të tjera të rajonit, ndërsa si “fqinjë” të lumturisë e kufizojnë Somalia dhe Hondurasi. Raporti i vitit 2017 është publikuar me rastin e Ditës Botërore të Lumturisë, 20 marsi, dita e fundit e stinës së dimrit e cila është shpallur si e tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012. Qëllimi i kësaj dite është që vende të ndryshme të botës që të përshtatin politikat publike dhe të përmirësojnë mirëqenien e të gjithë popujve. Dhe politika të tilla ndiqen në vendet skandinave, si Norvegjia e cila është cilësuar në këtë raport si vendi më i lumtur në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo pasohet nga Danimarka, Islanda dhe Zvicra. Si vende ku jetohet më keq janë ato të Afrikës së bashku me Sirinë dhe Jemenin, ku lumturia është në nivele të ulëta. Sipas raportit, klasifikimi bazohet në 7 faktorë, si prodhimi i brendshëm bruto, shpresat për jetën, liria, zemërgjerësia ndaj qytetarëve, mbështetja sociale dhe niveli sa më i ulët i korrupsionit në qeveri dhe në biznes. Pozicionimi në vendin e 92-të për Maqedoninë bëhet nga vlerësimi negativ për zëra të tillë, si zemërgjerësia, shpresat për jetën liria dhe perceptimi për korrupsionin, që është në nivele shumë të ulëta. Sa i takon fqinjëve dhe vendeve të rajonit niveli i lumturisë është më i madh sesa në Maqedoni, për shembull, Kosova, është renditur në vendin e 78-të, Serbia në vendin e 73-të, Mali i Zi në vendin e 83-të, Greqia në vendin e 87-të, Kroacia e 77-të në botë, ndërsa Shqipëria bën përjashtim, e renditur më keq, në vendin 109-të. Krahasuar me një vit më parë, Maqedonia ka shënuar pak progres, përkatësisht duke u pozicionuar tre shkallë më lart sesa në vitin 2016, kur renditej në vendin e 95-të. Në 10 vendet e para në listën e vendeve të lumtura krahas Norvegjisë, Danimarkës, Islandës e Zvicrës, vijnë Finlanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Australia dhe Suedia. Në fund të listës renditen, Sudani Jugor, Guinea, Ruanda, Tanzania, Burundi, e të tjera. Sa i takon vendeve të Evropës në pozicionin më të mirë gjendet Gjermania – 16, e ndjekur nga Britania – 19 dhe Franca – 31. Ndërsa SHBA renditet në vendin e 14. Emiratet e Bashkuara ndoshta nuk renditen rastësisht në vendin e 21-të, pasi është vendi që ka edhe një ministër të Lumturisë dhe sipas hartuesve të Raportit, shpresohet që ky shembull të ndiqet edhe nga vende të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.