Evis HALILI
Shkup, 28 prill – Paga të vogla, ansamble të pakompletuara, mungesa në stafin teknik…., janë disa prej problemeve me të cilat po bashkëjetojnë prej vitesh teatrot e dramës shqipe. Bashkë me to edhe spektatori. Përveç mungesës së objekteve, si për Teatrin e Shkupit, ashtu edhe atë të Tetovës, prej vitesh punojnë jashtë standardeve të vendosura për institucionet nacionale dhe nevojave që kanë, shkruan gazeta KOHA. Kanë munguar konkurset, jo vetëm për regjisorë apo dramaturgë, por edhe për plotësimin e stafit administrativ, për momentin më problematike për të dy teatrot është mungesa e teknikëve të skenës. Punësimet e fundit në Teatrin e Shkupit janë bërë para më shumë se tre vjetësh, disa aktorë, ndërsa sa i takon profileve të tjera kërkesat e bëra janë refuzuar. Ai është një prej teatrove më të vjetër dhe më të mëdhenj, por as që mund të krahasohet me teatro të tjerë më të rinj, si ai i Komedisë me të cilin prej më shumë se dy vjetësh ndajnë të njëjtin objekt. Madje mungesat janë të tilla aq sa me transferimin në objektin e rikonstruktuar, që sipas Ministrisë së Kulturës supozohet që të ndodhë brenda këtij viti, nuk do të ketë mjaftueshëm punonjës skene. Sa i takon rrogave, të drejtorit apo edhe aktorëve ku pjesa më e madhe e tyre nuk marrin më shumë se 25 mijë denarë gjendja do të mbetet e njëjtë deri në nënshkrimin e kontratës kolektive në kulturë.
“Aktualisht, punonjësit e Teatrit Shqiptar janë shndërruar në punonjës te një ‘teatri nomad’ – mospasja e skenës ame vështirëson jashtëzakonisht procesin e punës – është vështirë të arrihet të menaxhohet dhe njëherazi të realizohet produksioni dhe pasproduksioni në këto kushte. Punonjësit tanë nga njëra anë ballafaqohen me një proces të koklavitur pune dhe nga ana tjetër me mungesë të kolegeve që do ta lehtësonin këtë proces. Mund të thuhet se teatri ynë është nga më të dëmtuarit, kemi mungesa të jashtëzakonshme si në administratë, ashtu edhe tek stafi teknik. Sidomos tani me pajisjet e reja skenike dhe aparaturat bashkëkohore do të duhet jo vetëm më shumë persona të angazhohen, por edhe të trajnohen. Për këtë pjesë të stafit të teatrit deri tani s’ka pasur asnjë lloj specializimi. Teatrit po ashtu i mungon edhe drejtori teknik – një nga pozitat më kyçe. Problemi me krucial sa i përket resurseve tona njerëzore janë rrogat që janë tepër të ulta krahasuar me institucionet tjera nacionale”, thotë për KOHA, drejtori Adem Karaga. Një situatë e ngjashme është edhe në Tetovë. Teatri i themeluar prej dhjetë vitesh, ende nuk ka kompletuar jo vetëm ansamblin artistik, po as stafin teknik.
“Kemi bërë punësime herë pas here dhe e kemi rritur deri dikur numrin e aktorëve, por regjisorë e dramaturgë ende s’kemi. Në fakt ajo për të cilën kemi më shumë nevojë janë punonjësit teknikë. Kemi bërë kërkesa për punësime të reja, por nuk na janë pranuar”, thotë drejtori Valmir Aziri. Ky teatër numëron 24 aktorë, ndërsa dy vjet më parë iu shtua edhe seksioni i dramës maqedonase. Situata në dy teatrot shqiptare, që kanë statusin e institucioneve nacionale mund të ilustrohet nëse i krahasojmë me të tjerat. Për shembull, në Teatrin e Komedisë, relativisht institucion i ri i themeluar gjashtë vjet më parë me një ansambël të vogël aktorësh, gjithsesi nuk mungojnë dy regjisorë, dramaturgë, drejtor artistik dhe një sërë drejtuesish të tjerë, marketingu, financash, teknik, e të tjerë. Ansamble të kompletuara dhe që rifreskohen me aktorë dhe regjisorë, dramaturgë janë edhe ato të Dramës, TNM, e të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara