Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 mars – Rrogat e ulëta të punonjësve në arsim, plan-programet e papërshtatshme me moshën e nxënësve dhe kushteve për mësim, si dhe ngarkesa e mësimdhënësve me punë administrative, janë sipas kryetarit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashërit” tre komponentët kryesore që shpjegojnë gjendjen e rëndë në arsim, shkruan gazeta KOHA. Pra, jo vetëm pozita e vështirë e mësimdhënësve lidhet, sipas tij, drejtpërdrejtë me statusi financiar dhe pozitën në shkollë, por ata janë edhe faktorë kryesor të problemeve me të cilat ballafaqohet më së shpeshti sistemin arsimor. Prandaj, kryetari i Lidhjes, Nuhi Dardhishta, kërkon nga ata që krijojnë politikat arsimore të rishqyrtojnë qasjen ndaj të këtyre komponentëve. Bashkë me ta, thotë se duhet të largohet dhe vlerësimin ekstren i nxënësve, që sipas Dardhishtës i frustron mësimdhënësit dhe u qëndron mbi kokë si kërcënim permanent.
“Arsimtarët ndjehen vazhdimisht të kërcënuar për shkak të vlerësimit ekstern. Në punën e tyre pjesën më të madhe të angazhimit e zë preokupimi se si do të dalin nxënësit në vlerësimin ekstern dhe me automatizëm nota kthehet në qëllimin kryesor, ndërsa dijet e nxënësve dalin në plan të dytë”, tregon për KOHA, Dardhishta. Mësimdhënësit, gjithashtu ankohen për presionin që thonë se u bëhet me testimet eksterne. “Edhe pse nuk do të ketë dënime, prapë se prapë është një lloj stresi që i mundon të grithë mësimdhënësit pa përjashtim”, tregon Florina Bajrami, arsimtare në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Shkup. Megjithëse konsideron se “testimi është stres edhe për nxënësit, pra jo vetëm për arsimtarët”, Bajrami nuk fsheh faktin se testimi i nxënësve është kthyer tanimë në një mani. “Me qëllim të kontrollimit të nxënësve, pra për të parë se ku janë me materialin e mësimit, i testojmë nxënësit edhe neve arsimtarët, dy-tre herë para se të organizohet vlerësim ekstre. Jo vetëm unë, por pjesa dërmuese e mësimdhënësve veprojmë kështu”, thotë ajo.
Për shkak të efekteve negative, kemi kërkuar çdo herë largimin e vlerësimit ekstern nga sistemi arsimor, plotëson Dardhishta, ndërsa konsideron se që të ndryshojnë gjërat për së mbari duhet filluar nga pagat e mësimdhënësve.
“Pa rroga dinjitoze nuk mund të ketë mësimdhënës dinjitoz”, deklaron kryetari i LASH-it, ndërsa thotë se nuk është e drejtë që mësimdhënësit dhe administratorët të paguhen njëlloj, sepse as pesha e punës dhe përgjegjësia e tyre nuk është e barabartë. Prandaj, nëse dëshirojnë të vlerësojnë vërtetë punën e mësimdhënësve dhe t’i çmojnë mësimdhënësit, këtë duhet ta tregojmë me pagat që ua ndajnë. Për momentin Maqedonia është shteti me nivelin më të ulët të pagave të mësimdhënësve, në të gjitha nivelet. Në arsimi para universitar rrogat lëvizin nga 21000 deri në 23600 denarë.
Pagesat e mësimdhënësve sigurisht që nuk janë problemi i vetëm në arsim. Krahas rrogave jo dinjitoze, programeve të ngarkuara dhe angazhimeve të shtuara administrative në shkollë, Dardhishta vëren se janë edhe një sërë problemesh të tjera, si për shembull politizimi i arsimit, respektivisht punësimi i mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve në shkolla për të zgjidhur problemet sociale të njerëzve. Profesioni i mësuesisë, nuk mund të ushtrohet nga njerëz që vetëm kështu arrijnë të sigurojnë një rrogë në fund të muajit, por nga njerëz që e kanë me pasion arsimimin e gjeneratave dhe përhapjen e dijeve. Kjo komponentë, për fat të keq është zbehur jashtëzakonisht gjatë dy- tre dekadave të fundit. Pasojat i ndjemë të gjithë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.