Nga Dr. Vebi BEXHETI
Poezia e Dritëro Agollit, që si duket, më tepër identifikohet me krijuesin e vet, se sa pjesa tjetër e e krijimtarisë së tij aq e gjithanshme, lindi e para dhe i ndejti besnik poetit deri në fund të karrierës krijuese. Të rrallë janë poetët që veprimtarinë e vet poetike aq të vrullshme, ta mbajnë gjallë, nga fillimi e deri në fund. Një besnikëri e këtillë ndaj vargut me të cilin e nisë veprimtarinë letrare, me gjithë suksesin aq të madh të tij si, tregimtar, novelist, romansier, dramaturg, skenarist filmash, kritik letrar, gazetar etj., ate e ngriti në nivelin e mirëfilltë të poetit të kombit, sepse në brendësinë e vargut të tij modern, ndjehet edhe aroma e ëmbël poetike e Naimit dhe filozofia jetësore e poezisë lasgushiane. Kjo poezi që në vete përmban mrekullinë poetike të krijuesit të vet, sikur i mjaftonte poetit që në mënyrë të përsosur e të gjithanshme ta shpreh tërë potencialin krijues, duke trajtuar tema nga më të ndryshmet. Poezia e Agollit, që kaloi rrugë aq të gjatë, herë-herë edhe me gjemba, gjithmonë mban erë trëndafili, të shtyn ta lexosh ate, ta ndjekësh vazhdimisht, sepse kjo frymë poetike, gjithmonë tek lexuesi sjell befasi të këndshme.
Vargu poetik i tij, me tema nga më të ndryshmet, kaloi nëpër shumë faza të shoqërisë shqiptare, nga ajo e diktaturës, ajo e ndërrimit të sistemit, deri te ajo më e dhembshmja e kohës së demokracisë, e vitit 1997 që e tronditi edhe qenësinë e shtetit, e më vonë. Poezia që vazhdimisht sfidonte kohën duke sjell me vete dëshmi të shumta edhe për momente, nga më rrënqethëset, e ruajti të paprekshme vlerën e lartë artistike, pa u shndërrua në kronikë të ngjarjeve të ditës. Këto momente të vështira për shoqërinë shqiptare, poeti, nga përjetime personale, i shtrin drejt universales. Të rralla janë poezitë, vargjet e të cilave janë aq të harmonizuara, në formë dhe në përmbajtje, fenomen ky i njohur për poezinë e Agollit, që ate e bën aq të dashur për lexuesin dhe për dëgjuesin, kur ajo këndohet. Megjithë tendencën e poetit që jo rrallëherë të thurë edhe vargje pa rimë, ai u identifikua me këtë varg duke qenë i bindur se kështu lexuesit i dhuron edhe poezinë edhe këngën. Përjetimet dhe kënaqësitë e vazhdueshme që lexuesit i sjellin këta vargje, e nxit ate vazhdimisht ta ndjekë këtë poezi, në gjithë rrugëtimin e saj. Kjo është e bukur edhe atëherë kur i këndonte gjuhës shqipe, që për shqiptarin gati të asimiluar, poçarin e Turqisë, të bukur e ka edhe sharjen, edhe kur i këndonte dashurisë, edhe kur i këndonte vdekjes:” Vdekja mbretëreshë e unë mbret! / Dehur bashkë natën do ta gdhimë.” Ai edhe në shumë vargje të tjera, të cilësdo përmbledhje, apo faze të krijimit të saj, rrugëtimin e vet poetik e bëri bashkë me lexuesin besnik, ate e kishte afër edhe kur shkruajti për natyrën, kafshët, zogjtë, erën, borën, vapën, shiun, stuhitë, edhe kur shkruajti për lotët e qepës që ashtu “nudo” e la në mes të pjatës, edhe kur e shkruajti testamentin për vendin e varrimit. Ishte me të edhe kur shkruajti për vetminë e madhe të tij, kur i dukej se nuk jeton në vendin e vet. Kjo poezi që nuk lindi në një kuzhinë poetike, ku do ziheshin “fjalët dhe rima”, por për çudi, siç thot poeti, në një vend ku “iku edhe harabeli i shtëpisë dhe humbi çdo flutur”, është vepër e një skulptori që me fjalë gdhend edhe gurin, me këto fjalë që nuk zihen në atë kuzhinë po rriten nën përkujdesjen e poetit, ashtu”si çobani deshtë me këmbanë“.
Është shumë normale që faktori kohë e përcakton edhe shtrirjen krijuese të shkrimtarit në periudha të caktuara historike. Meqë Dritëro Agolli me shkrime nisi gjatë viteve të 50-ta, veprimtarinë e vet e vazhdoi deri në fund të sistemit komunist, një pjesë të madhe të veprave i shkruajti dhe i botoi edhe gjatë sistemit të diktaturës, në mesin e të cilave edhe ato ndër më të rëndësishmet e krijimtarisë së përgjithshme të tij, si në prozë ashtu edhe në poezi. Edhe veprat e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, apo edhe të ndonjë tjetri, pjekurinë e plotë artistike e arritën në atë periudhë letrare të njohur si “Realizmi socialist“, periudhë kjo që në masë të madhe e dëmtoi letërsinë shqipe. Falë këtyre dhe shkrimtarëve tjerë të mëdhenj, disa nga të cilët u ndaluan, e u dënuan, letërsia shqipe e kohës, përveç një tronditjeje, që la gjurmë, nuk u shkëput nga ajo paraprakja. Këtë sfidë ideologjike, të imponuar nga një regjim totalitar, që tanimë i takon së kaluarës, me probleme serioze e herë herë edhe me ndalesa të ndonjë vepre, këta shkrimtarë e përballuan edhe falë nivelit të lartë krijues – artistik të tyre e ndonjëherë edhe përgjumjes së cenzurës së kohës, apo mediokritetit në zbërthimin e metaforës letrare. Në këtë kontekst edhe disa vepra të Agollit, duket se i kanë mashtruar këto, “roje të mjegullës”, do thoja.
Duke qartësuar pozicionin e tij letrar e shoqëror të viteve të nëntëdhjeta, në pasthënien e përmbledhjes së tij poetike “Pelegrini i vonuar”, përveç mesazhit poetik që reflektojnë vet vargjet e këtyre poezive, ai ashtu i sinqertë dhe pa ndonjë kompleks pendimi, ndër të tjera shkruan:” Ne besonim në ndërtimin e një shoqërie ku njerëzit do jetonin në liri dhe barazi…, besonim në një shoqëri të mendimit të lirë dhe të individit të lirë dhe prisnim që ajo të vinte duke i falur shtrembërimet dhe gjymtimet që vinim re në të sotmen, pasi mendjen e kishim drejt së nesërmes. Nuk dinim se plaga e të sotmes bëhej gangrenë e së nesërmes!
Poezia e Dritëro Agollit, megjithatë, terrenin më të përshtatshëm, për t’u zhvilluar ashtu siç dëshironte krijuesi, e gjeti në periudhën paskomuniste. Kjo thyerje poetike e dhjetëvjetëshit të fundit të shek. XX, poezisë së tij i solli një terren krejt të lirë. Ky udhëtim i poetit nëpër hapësirën e epokës së re, e begatoi më tepër përvojën jetësore dhe krijuese, duke e shtuar nevojën dhe etjen për udhëtime të reja. Gjatë kësaj periudhe kohore, kur poezia e tij merrte frymë lirisht, Agolli ishte në shënjestër të një pjese të kritikës së kohës, duke e konsideruar ate si pjesë të së keqes së kaluar, sfidë kjo, së cilës iu përgjigj poashtu me poezi. Ai tanimë u shndërrua në një këmbanë që me jehonën kumbuese të saj, i refuzonte këto goditje. Metafora poetike e këmbanës, që u shfrytëzua për ta mbrojtur dinjitetin e vet të krijuesit, ishte njëherësh shumë domethënëse për misionin poetik që në momente të caktuara, shndërrohej në rebelizëm:” Jam nisur vërtet të mbetem një kambanë, / Aspak s’tingëlloj dhe s’gjëmoj po s’më ranë./ Më bini ju lutem, përherë e ngaherë,/ Në doni prej meje gjëmim e poterë”.Ky qëndrim i paluhatshëm i tij, kur po përjetonte aq shumë goditje, vërehet edhe në shumë vargje të përmbledhjes “Pelegrini i vonuar”,botuar më 1993. Në këto poezi, simbolika e të cilave duket që në titullin e saj, poeti, ashtu si zakonisht, me vargun aq të harmonizuar me tingull, rimë e ritëm dhe me kuptimet metaforike e simbolike të fjalës poetike letërsisë shqipe, bashkë mëe ndonjë përmbledhje tjetër poetike, i dhuron vlerat kulmore artistike e letrare, ndërsa adhuruesit të poezisë së tij dhe lexuesit në përgjithësi, këngën e zemrës. Në poezinë e parë të këtij vëllimi të botimit të tretë, me titull “Pelegrini”,poeti rrëfen rrugëtimin e tij që duhet të përfundojë në një cak të lumtur. Ky udhëtar që kalon nëpër “vendin e shpresës së thyer”dhe ashtu i vetmuar, i ndarë padashur nga karvani i tij, simbolizon edhe pjesë të rrugëtimit poetik dhe atij jetësor të tij, tepër të vështirë e të ngjashëm me udhëtarin e shkretëtirës që udhëton drejt vendit të shenjtë, me buzë të djegur, e i etshëm për një pikë ujë..Ky shtegtar i vetmuar por me motivimin e “Gjyshërve të mundur”, patjetër duhet të dalë fitues mbi të keqen:” Unë jam prej kohësh pelegrin,/ Shtegtar i karvanit të humbur/ Dhe bart në kurriz një premtim/ Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.
Poezia e Dritëro Agollit për lexuesin është më tepër se provokim i këndshëm, ajo e nxit ate për të vazhduar më tej, i vetëdijshëm se cdo varg e çdo poezi e tij është një xhevahir në vehte, ndërsa studijuesit për t’u thelluar në fenomenin e poezisë së tij, që i përballoi kohës, me gjithë rreziqet që i dolën përpara. Dritëro Agolli është i vetëdijshëm për këtë rrugë të vështirë nëpër të cilën kaloi veprimtaria letrare e tij në tërësi, e veçmas ajo e periudhës së diktaturës. Ai është i vetëdijshëm edhe për akuzat që mund t’i vijnë nga individë për aktivitetin dhe qëndrimin lojal të tij, ndaj komunizmit dhe doktrinës së tij. Me gjithë pozicionet për një jetë normale që i kishte ofruar pushteti i kohës Dritëro Agollit, ai në poezinë e vet me tepër i këndoi tokës së Shqipërsië se sa shtetit shqiptar. Ai këtë tokë e lëvroi bashkë më bujkun, asaj i thuri këngë, ia deshi plisin e bardhë dhe barin, prandaj në poezinë “ Testamenti”, këtë tokë e pyet se në ç’vend do t’i lë varrin. Këtë realitet ai e dëshmon edhe në vargun e fundit të kësaj poezie kur kërkon që ta varrosin në në një përrua apo në një brazdë që ndoshta më lehtë do të merrte ndonjë lajm nga bota, që mund t’i sillte ndonjë laraskë, nga ajo botë që për te gjatë kohë kishte qenë e panjohur: “Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta, / E kyçur, me lloza e porta”.
Disa nga këto vargje dhe shumë të tjera janë dëshmi e qëndrimit të tij ndaj sistemit ku kaloi mbi tri dekada të krijimtarisë letrare. Në poezinë “Epigraf” poeti edhe njëherë flet për veten si autor e njeri që një ditë e ka edhe fundin e vet dhe për veprën letrare të pavdekshme që do të lexohet përjetësisht, pavarësisht se autori i tyre paska qenë komunist, madje edhe në shërbim të kësaj ideologjike në një periudhë të caktuar historike. Të ashtuquajturit poetë, të cilët Agolli i quan poetucë, që nuk arritën të bëjnë karrierë në krijimtarinë e tyre, merreshin me biografitë e njerëzve, madje edhe pas vdekjes së tyre. Agolli as që tenton ta fsheh karrierën e tij krijuese edhe me petkun e një komunisti, por as edhe veprën e tij që një ditë do të ndahet nga autori , i cili do të shndërrohet në hi, ndërsa i zoti i vërtetë do të mbetet në librat e tij që do të lexohen nga gjeneratat. Në epigrafin e tij, pas vdekjes, ndoshta mund edhe të shkruhet me shkronja të zeza mbi varr: “ Po prehet një ish komunist”, që për poetucët që nuk lanë asnjë gjurmë do jetë një shenjë urrejtjeje edhe pas vdekjes së tij: Nuk qënka çrrenjosur ky qen?/ Një zë do përgjigjet nën tokë : / “Jam hiri, të zotin në libra e gjen”. (koha.mk)