Përdhunimet e meshkujve gjatë luftës, mbeten tabu në Bosnjë

Sipas botimit, rreth 3000 burra dhe djem u përdhunuan në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnjë. Mungesa e raportimit dhe mohimi i krimit nuk i kanë lejuar burrat dhe djemtë të kërkojnë drejtësi për abuzimin që kanë vuajtur, shpjegon Instituti Williams nga Universiteti i Kalifornisë

67

Lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë e çoi dhunën seksuale në të tjera nivele, por më shumë se dy dekada më vonë, viktimat meshkuj mbeten një temë tabu, ka raportuar në botimin e tij Trashëgimi dhe Mësime Instituti Williams nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxheles, UCLA. “Dhuna seksuale ndaj burrave dhe djemve gjatë konfliktit mbetet një nga abuzimet e të drejtave të njeriut më pak të dokumentuara dhe të trajtuara në mënyrë më jo adekuate”, tha organizata në botimin e saj të fundit të publikuar në Projektin të Gjithë të Mbijetuarit. Sipas botimit, rreth 3000 burra dhe djem u përdhunuan në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnjë. Mungesa e raportimit dhe mohimi i krimit nuk i kanë lejuar burrat dhe djemtë të kërkojnë drejtësi për abuzimin që kanë vuajtur, shpjegon Instituti. Ai shton se edhe pse njolla dhe turpi mbeten pengues të fuqishëm për të pranuar atë që ka ndodhur, Bosnja nuk ka gjithashtu ligje të përshtatshme për të trajtuar këtë çështje. “Informacionet e mbledhura nga Projekti të Gjithë të Mbijetuarit tregojnë se nuk ka një trajnim specifik në dispozicion për të ndihmuar policinë të identifikojë dhe hetojë dhunën seksuale”, tha organizata. “Gjykatësit, magjistratët dhe zyrtarë të tjerë të drejtësisë kanë gjithashtu mungesë njohurie dhe ndjeshmërie ndaj viktimave të dhunës seksuale dhe mungojnë procedurat për të siguruar privatësinë dhe konfidencialitetin e viktimave në të gjitha fazat, duke përfshirë edhe seancat dëgjimore në gjyq”. Mungesa e një baze të mirë të dhënash për të mbijetuarit e abuzimeve seksuale gjatë luftës është një pengesë më shumë. “Shumica e çështjeve që janë dokumentuar ndodhën në burgje, shpesh nëpër kampe përqendrimi në të cilat civilët internoheshin në kushte çnjerëzore, edhe pse ka pasur gjithashtu raste dhune seksuale kundër meshkujve në kontekste të tjera, përfshirë gjatë plaçkitjeve dhe marrjeve në pyetje”, tha Instituti. Ai tha se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, kishte bërë progres në këtë fushë duke e përcaktuar përdhunimin si një shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës dhe si krim kundër njerëzimit, si edhe duke sqaruar ligjin që rregullon dhunën seksuale gjatë një konflikti. “Dhjetë nga 78 çështjet e gjykuara nga ICTY-ja përmbanin dhunë seksuale kundër meshkujve, duke sjellë kështu njohjen se disa akte të caktuara kundër meshkujve përbënin krime ndërkombëtare, përfshirë seksi oral i detyruar, akte të tjera seksuale me dhunë, prerje organesh gjenitale, traumë në organe gjenitale dhe kërcënime për gjymtime seksuale”, shtoi instituti. Megjithatë, përcjell kallxo, ai gjykoi se pavarësisht kontributit pozitiv të ICTY-së, mbeten ende shqetësimet se natyra seksuale e veprave penale kundër burrave dhe djemtë nuk është pranuar ende plotësisht.

Të Ngjajshme