Në tre javët e fundit në Jemen janë regjistruar mbi 23 mijë raste të personave të sëmurë nga kolera, nga të cilët deri më tani 242 e kanë humbur jetën, kumtoi sot përfaqësuesi special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për këtë shtet arab, Nevio Xagaria. “Në tre javët e fundit janë sëmurë 23.425 persona, ndërsa 242 kanë vdekur”, thekson Xargaria, duke shtuar se sëmundja deri më tani është regjistruar në 18 nga gjithsej 23 provinca të Jemenit.
Ai theksoi se rastet e para të kolerës në Jemen janë regjistruar vjet në tetor, por se gjatë dhjetorit numri i të sëmurëve ka filluar të zvogëlohet. Megjithatë, siç theksoi Xagaria, nga fundi i prillit shënohet rritje e re e epidemisë me çka situata bëhet “mjaft shqetësuese”. Sipas të dhënave të OBSH-së, nga tetori, në konkludim me 17 majin, në Jemen janë regjistruar mbi 45 mijë raste të kolerës. Xagaria deklaroi se nëse vazhdon ritmi i tillë në gjashtë muajt e ardhshëm, numri i të sëmurëve mund të tejkalojë edhe 300 mijë.
“Krahas 50 mijë rasteve veç më të evidentuara tani më tani, në gjashtë muajt e ardhshëm do të mund të presim edhe 200 deri në 250 mijë persona të rinj të sëmurë. Ma merr mendja se kuptoni se në një rast të tillë çmimi që do ta paguajmë me jetë të njerëzve do të jetë shumë i lartë”, porositi Xagaria.