Zejnulla VESELI
Shkup, 5 janar – Banorët e lagjes Topanë dhe Shuto Orizare nga 1 janari i këtij viti nuk do të kenë privilegje të njëjta sikur banorët e lagjes Aerodrom dhe Autokomand te udhëtojnë me autobusët e Ndërmarrjes Publike për Qarkullim (NPQ) “Shkupi”, sepse Qyteti i Shkupit ka sjellë vendim që linja e autobusëve shtetëror, 9 dhe 19, të ndërpriten dhe të mos qarkullojnë drejt këtyre dy lagjeve me shumicë shqiptare dhe rome. Nga Qyteti i Shkupit informojnë se me vendosjen e sistemit të ri tarifor dhe orarit të ri të autobusëve, në pajtim me Vendimin për qarkullim publik drejt lagjes Topanë dhe Shuto Orizarë, nga 1 janari do të qarkullojnë autobusë privat dhe jo ata shtetërorë.
“Me orarin e ri të autobusëve të gjitha linjat janë harmonizuar midis NPQ ‘Shkup’ me transportuesit privat, me qëllim të përmirësimit me të mirë të transportin urban. Me sistemin e ri integrues të pagesave në autobusë janë të integruar të gjithë autobusët e transportit publik ‘Shkup’ dhe me biletat elektronike paguhet njëjtë, pavarësisht se shfrytëzohen autobusët shtetëror të NPQ ‘Shkupi’ a po transportuesve privat ‘Makekspres’ apo ‘Sloboda prevoz’. Pra, nuk bëhet fjalë për ndërprerje të linjës të autobusëve, sepse vazhdojnë të qarkullojnë autobusët privat me numër 9 dhe 19, ndërsa ata shtetëror nuk do të qarkullojnë”, thonë nga Qyteti i Shkupit. Në pyetjen se a është ndërprerë dhe linja 22, e cila shkon deri në lagjen “Lepenec”, e banuar kryesisht me banorë maqedonas, nga Qyteti i Shkupit morëm përgjigje se: “Autobusi me numër 22 e NPQ-së do të vazhdojë të qarkullon në lagjen Lepenec si dhe autobusi privat”. Këshilltarët shqiptarë në Qytetin Shkupit vendimin për ndërprerjen e autobusëve shtetëror 9 dhe 19 e vlerësojnë se vendimi i Qytetit të Shkupit është i gabuar dhe se duhet sa ma shpejtë ta korrigjojnë këtë gabim dhe se ky vendim vjen nga njerëz të cilët e vulosin thënien e njerëzve me koka të prishura se “indiancit” dhe “çoveçinjata”, nuk duhen të udhëtojnë me autobusë shtetëror. “Fajin kryesor për miratimin e këtij vendimi e kanë këshilltarët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI. Ua bëj me dije drejtorit të ndërmarrjes publike, por edhe kryetarit të Qytetit të Shkupit se nuk mund t’i diskriminojnë shqiptarët dhe të mos vazhdojnë me politikat e gabuara ndaj shqiptarëve të cilat nuk kontribuojnë aspak në harmonizimin e bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe maqedonasve”, thotë Idriz Orana, këshilltarë i PDSH-së në qytetin e Shkupit. Ky vendim, sipas Oranës, edhe njëherë dëshmon qasjen diskriminuese që ky shtet e ka ndaj shqiptarëve, aq më shumë kur të gjitha këta autobusë shtetëror janë blerë edhe me parat e taksapaguesve shqiptarë. “Tanimë dihet qartë si nga opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm se shqiptarët e Maqedonisë janë mbushës më të mëdhenj të arkës shtetërore. Mendoj se është koha që të ndalohet ky diskriminim që ju bëhet shqiptarëve dhe ne, këshilltarët e PDSH-së në Qytetin e Shkupit, kemi kërkuar të mbahet seancë dhe të përmirësohet ky gabim dhe do të kërkojmë që ky vendim të anulohet urgjentisht dhe banorët e lagjes Topanë dhe Shuto Orizarë të udhëtojnë me autobusët shtetërore, të cilat janë blerë edhe me parat e banorëve të këtyre dy lagjeve”, thotë Idriz Orana, këshilltarë i PDSH-së në qytetin Shkupit. Këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu, thotë se ky vendim është sjellë pa pëlqimin e këshilltarëve shqiptarë dhe se ka kërkuar nga kryetari i Qytetit të Shkupit që të thirret seancë dhe në rend ditë si pikë e parë të jetë shfuqizimi i vendimet për ndërprerjen e linjës shtetërore të autobusëve me numër 9 dhe 19. “Fakt është se ky vendim ka kaluar në Qytetin e Shkupit pa pëlqimin e këshilltarëve shqiptarë dhe për këtë vendim jemi informuar shumë vonë. Është mirë që privatistët janë futur në sistemin e integruar të transportit urban, mirëpo në asnjë mënyrë nuk guxon që Qyteti i Shkupit të heq nga qarkullimi autobusët shtetërore 9 dhe 19. Ne nuk pajtohemi me këtë vendim, andaj me shkrim kam kërkuar që në seancën e radhës të qytetit të Shkupit, pika e parë e rendit të ditës, të jetë propozim vendim për ndryshimin e këtij vendimi dhe kërkoj që asnjë linje e autobusë publik që qarkullojnë në vendbanimet shqiptare të mos ndërpritet, pavarësisht se në këto lagje shkojnë edhe autobusë privat”, thotë Qemal Musliu.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.