Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 mars – Tre kompanitë që realizojnë më shumë të ardhura nga shitja dhe që realizojnë punën e tyre përmes Bursës së Maqedonisë, vitin e kaluar kanë shënuar ulje të realizimit për 16 për qind, shkruan gazeta KOHA. Kjo, me fjalë të tjera do të thotë se OKTA, Makpetrol dhe Telekomi i Maqedonisë kanë shënuar në vitin 2016 gjithsej shitje prej 745 milionë euro, apo për 119 milionë euro më pak se në vitin 2015. Nga ana tjetër, kompanitë e naftës shënojnë rritje të fitimit si OKTA prej 1.6 milion euro në 5.6 milionë euro, ndërsa Makpetrol prej afër 200 mijë euro në 6 milionë euro. Telekomi i Maqedonisë shënon ulje të fitimit prej 19.6 në 16.8 milionë euro si rrjedhojë e ashpërsimit të konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit në fusha të ndryshme si të internetit, telefonisë fikse dhe celulare, ofrimit të shërbimeve të ndryshme televizive nga operatorë të ndryshëm, si dhe përdorimit se vjen e më të madh të shërbimeve falas siç janë Vajber apo Skajp për komunikim. Në ndërkohë, të dhënat e Bursës së Maqedonisë për top-dhjetëshin e kompanive më të fuqishme që kotojnë në tregun letrave me vlerë tregon se më së shumti të ardhura në vitin e kaluar, apo 309 milionë euro ka realizuar kompania OKTA që është për 4 për qind më pak se vitin paraprak. Kompania në analizën e punës së saj shpjegon se të ardhurat nga shitja janë ulur për shkak të çmimeve më të ulëta të derivateve të naftës në tregjet botërore. Në vitin 2016, përcjell gazeta KOHA, OKTA ka realizuar shitje prej afër 252 milionë euro në tregun vendor, ndërsa me humbjen e tregut të Kosovës në vitet e kaluara, ka ulur shitjen jashtë shtetit në 57.7 milionë euro në vitin 2016.
Kjo paraqet një ulje të madhe të eksportit që kryesisht zhvillohej në Kosovë në raport me 200 milionë dollarë shitje të naftës dhe derivateve të naftës sa ishte vlera e eksportit në Kosovë në vitin 2007. Ulja e eksportit në tregun kosovar ka më shumë shkaqe që janë grumbulluar ndër vite si fakti se, në vitin 2006 , ky treg kërkonte standardet Eko 4 që atëherë nuk i posedonte kjo rafineri e naftës. Në të kaluarën, ajo humbi tregun edhe për shkak të ndërprerjes së prodhimtarisë për një kohë të caktuar, por edhe për shkak të furnizimit me derivate të naftës nga porti i Durrësit pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, gjegjësisht rritjes së konkurrencës në tregun kosovar të naftës. Në ndërkohë, fitimi i OKTA vitin e kaluar është rritur në rreth 5.6 milionë euro dhe është për katër herë më i madh se në vitin 2015. Në vend të dytë për nga të ardhurat është kompania Makpetrol që në vitin e kaluar ka realizuar të ardhura prej afër 265 milionë euro që është për 11 për qind më pak se në vitin 2015. Pjesa më e madhe apo 255 milionë euro janë realizuar në tregun vendor, ndërsa vetëm afër 10 milionë euro janë realizuar në tregjet e jashtme. Edhe kompania Makpetrol është e goditur nga ulja e çmimeve të derivateve të naftës, që si rrjedhojë ka ulur edhe vëllimin fizik të shitjes së mallrave dhe shërbimeve të saja. Megjithatë, menaxhmenti i kompanisë ka arritur të rrisë fitimin për 28 herë dhe atë në 6.1 milionë euro në raport me vitin paraprak. Nga Kompania thonë se rritja e fitimit ka të bëjë me rezultatet e mira të shitjes me pakicë të derivateve të naftës për çka në vitet e fundit, Makpetrol ka rritur edhe rrjetin e pompave të benzinës, por edhe ka përmirësuar ofertën me prodhime të reja dhe risi siç janë vendosja e kartelave për konsumatorët besnik, apo së fundmi edhe me lojën shpërblyese që për çdo muaj do të ofrojë dhurata të ndryshme. Në vendin e tretë është Telekomi i Maqedonisë me të ardhura nga shitja prej 170.5 milionë euro që paraqet ulje për 1 për qind në raport me vitin 2015. Ulje tregon edhe fitimi i kompanisë që në vitin e kaluar ishte 16.8 milionë euro që është për afër 2.8 milionë euro më pak se në vitin 2015. Në vendin e katërt për nga të ardhurat e shitjes është kompania Alkaloid me afër 135 milionë euro shitje dhe fitim prej afër 12 milionë euro në të vilat tregon trend pozitiv të rritjes për 6 dhe 10 për qind. Rezultatet pozitive të punës i detyrohen kryesisht eksportit ë vlefshëm afër 81 milionë euro me të vilat është prezente në mbi 30 shtete të jashtme. Ndër prodhimet më të rëndësishme eksportuese është brendi “kafettin” prezent në më shumë se 15, tregje si dhe “Bekutan”. Gjithashtu, Alkaloid realizon eksport të prodhimeve të ndryshme siç janë çajërat organik dhe prodhimet e tjera edhe në SHBA dhe disa shtete të tjera siç janë Rusia apo shtetet arabe. Në vendin e pestë është kompania e ushqimit Pekabesko me të ardhura nga shitja prej afër 65 milionë euro dhe fitim prej 1.8 milion euro që tregon rritje prej afër 20 për qind në të dyja segmentet e punës. Në vendin e gjashtë është kompania e metalurgjisë Makstil me të ardhura prej shitjes prej afër 60 milionë euro, prej ku 46 milionë euro realizohen jashtë shtetit. Kjo kompania ka treguar e fitim prej afër 27 mijë euro. Rezultatet e punës së industrisë metalike në shtet imponohen nga turbulencat në tregjet globale të tregut të prodhimeve të çelikut, konkurrencës globale sidomos nga Kina, si dhe problemet e caktuara me transportin për shkak të grevave në Greqi. Në vendin e shtatë është sërish përfaqësuesja e sektorit të ushqimit Vitaminka e Prilepit me shitje prej 27.4 milionë euro që tregon rritje prej 3 për qind dhe fitim prej vetëm 350 mijë euro që paraqet ulje prej 63 për qind në raport me 2015-ën. Në vendin e tetë është Birraria e Prilepit me shitje prej 26.6 milionë euro dhe fitim prej 2.5 milionë euro, që në kohën e fundit me prezencën në treg gati është barazuar me Birrarinë e Shkupit. Në vendin e nëntë është bodrumi i verës – Tikvesh nga Kavadari me shitje prej rreth 21 milionë euro dhe fitim prej 1.4 milion euro, që viteve të fundit ka rritur prezencën në tregjet e jashtme duke u zgjeruar edhe në SHBA, Kinë si dhe shtetet e Evropës perëndimore. Në vendin e dhjetë është një përfaqësuese tjetër e industrisë metalike, Fakom me shitje prej 19.6 milionë euro dhe fitim prej 30 mijë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.