Evis HALILI
Shkup, 4 janar – Hulumtimet e para arkeologjike në Kalanë e Shkupit janë bërë në vitin 1953, shkruan gazeta KOHA. Por, që nga atëherë e deri tani për këtë lokacion janë thënë shumë të pavërteta, ndërsa një pjesë tjetër e së vërtetës është fshehur, ose më saktë rezultatet e gërmimeve nuk janë publikuar në formë të plotë. Në tentativa për të dhënë përgjigje shkencore, për shumë vjet me radhë në këtë zonë janë bërë “masakra” arkeologjike dhe janë dhënë shpjegime naive dhe antishkencore për të. Vendosje dhe madhësi e gabuar e sondave, të shoqëruara me metoda të pazakonta gërmimi e interpretimi kanë krijuar në vite një sërë mitesh e të pavërtetash për kalanë dhe historinë e saj. Se kalaja është ndërtuar nga Justiniani i Parë, dhe kisha mesjetare është ndërtuar po prej tij, është insistuar dhe vazhdohet të insistohet, por që për pjesën tjetër të arkeologëve konsiderohet si një prej mashtrimeve më të mëdha. Botimi më i ri i quajtur “Fortesa e Shkupit – Kalaja”, me autor Dragi Mitrevski, sjell një ilustrim me shpjegime të eksponateve të gjetura gjatë ekspeditës së vitit 2007 -2012, por hedh dritë mbi ato gërmime të bëra deri tani.
- Në vitin 1953 u realizuan gërmimet e para arkeologjike me sondë. Por, për shkak të kësaj forme gërmimi dhe zgjedhjes së gabuar të vendosjes së sondave, nuk u përfitua asnjë e dhënë e rëndësishme. Po ashtu, nga këto gërmime u arrit të mblidhej vetëm një fond me eksponate qeramike prehistorike, që gjendet në të, por të stratifikuara në formë të paqartë dhe që nuk lidheshin me situatat arkeologjike konkrete. Si përfundim, edhe pse u vendosën gjithë ato sonda, ekspedita nuk arriti të bënte as vlerësimin elementar kronologjik dhe kulturor të lokalitetit.
- Në vitin 1967 sërish niset një tjetër ekspeditë, e cila bëri gërmime më voluminoze. Por ,që gjithsesi kishte si qëllim vlerësimin e bedenave të qytetit mesjetar. Edhe në këtë rast format e gërmimit ishin të pazakonta dhe metodologjikisht të pajustifikuara. Ekipet e arkeologëve kanë gërmuar në mënyrë sipërfaqësore me sonda të ngushta, pa depërtuar në thellësi. Ndërsa një tjetër gafë e bërë gjatë gërmimeve pranë bedenave është kur kanë gjetur disa blloqe gurësh, të cilat i kanë interpretuar si mbetje nga bedenat e një periudhë më të hershme. Por, ky konstatim është hedhur poshtë dhe këto eksponate nuk datojnë më larg sesa periudha e mesjetës dhe i takojnë bedenave ekzistues.
- Ekspedita e radhës ishte ajo e vitit 1967. Rezultatet nuk janë publikuar plotësisht, ndërsa shumë eksponate nuk shoqërohen me shpjegimin përkatës. Por, do të mbahet mend për gabimet më të mëdha që erdhën si pasojë e pozicionimit arbitrar të gjetjeve arkeologjike. Thellësia e zbulimit të tyre u mat sipas sipërfaqes moderne të tokës, pa i pozicionuar në njësi të sigurta stratigrafike dhe pa i lidhur me tërësinë arkeologjike. Si rrjedhojë kemi pozicione të dokumentuara në formë të gabuar dhe të ngatërruar, supozime të paargumentuara dhe një sërë konstatimesh të gabuara, të cilat janë sot pjesë e literaturës arkeologjike. Një nga gabimet më trashanike është rrëfimi për Kalanë e Shkupit si Justinian Prima, apo qytetin e famshëm në zemër të Ballkanit, si i themeluar dhe i ndërtuar si nj qendër administrative dhe kishtare nga sundimtari bizantin Justiniani i Parë në vitin 535.
- Supozimin e parë dhe të gabuar për mitin e qytetit të Justinianit e hodhi në fund të shekullit të 19-të Artur Evans, një prej pionierëve të arkeologjisë moderne. Por, edhe pse pa asnjë lloj baze shkencore kjo ide u përqafua për vite me radhë dhe u mundua të mbështetej me eksponate arkeologjike. Ky supozim mbështet edhe në ditët e sotme dhe jo rastësisht në sheshin Maqedonia gjendet edhe përmendorja e Justinianit, po ashtu edhe Ura e Gurit u rikonstruktua sipas asaj periudhe. Emri i arkeologut Milkulçiq, që ka qenë pjesë e gërmimeve të vitit 1967 dhe konstatimet e publikuara në librin e tij të botuar në vitin 1987 për bedenat mesjetare të Kalasë ndryshojnë në një tjetër botim të vitit 1999, ku ai i prezanton këto bedena si të periudhës së Justinianit pa asnjë lloj baze shkencore.
- Kisha apo rrënojat e kishës të gjetura që i takojnë periudhës mesjetare, shekujve 12-13, në librin e arkeologut Milkulçiq në vitin 2011 insistohet se kjo kishë është ndërtuar në kohën e Justinianit. Për pjesën tjetër të arkeologëve, kjo tezë cilësohet si një insistim i verbër dhe një raport tejet antishkencor dhe joserioz ndaj lokaliteteve arkeologjike.
- Pas mitit të Justinianit gërmimet e vitit 1967 sollën një tjetër mit, atë të ekzistimit të periudhës së hekurit, e cila në shekullin e V, para erës sonë, u shndërrua në një vendbanim antik i fortifikuar. Vlerësime dhe interpretime të gabuara, konstatojnë arkeologët sot. Me zbulimet më të fundit është konstatuar se jeta në këtë zonë i takon fundit të periudhës së bronzit, që dokumentohet qartë me shtresat kulturore dhe tërësitë e mbyllura arkeologjike në të gjithë hapësirën e kalasë. Aty janë gjetur eksponate që i takojnë periudhës së hershme të antikitetit.
- Dëmtimet më të mëdha i janë bërë Kalasë gjatë gërmimeve në vitet 2000-2004. Me qëllim konservimin e disa pjesëve të bedenave dhe kullave u ndërmorën edhe gërmime mbrojtëse, por që në fakt u bënë në formë joadekuate dhe nuk lanë asnjë lloj dëshmie arkeologjike dhe të dhëna të dobishme. Ndërsa dëmtimet që u bënë i lanë këto zona të humbura për shkencën.
Libri me autor Dragi Mitrevski, i cili drejtoi ekspeditën arkeologjike gjatë periudhës 2007-2012, është hartuar në bashkëpunim edhe me disa arkeologë, restaurues dhe arkitektë që kanë qenë pjesë e këtij projekti dhe është botuar prej më shumë se një muaji. Konstatimet e përmbledhura në këtë libër nuk janë komentuar deri tani nga asnjë historian, arkeolog, apo historian arti nga pjesa shqiptare. Nëse ky libër hedh të vërteta, apo krijon mite të reja si gjatë këtyre viteve, do të duhet që të hulumtohet edhe nga pjesa shqiptare, apo nga të gjithë ata përfaqësues të sektorit civil që në vitin 2008 kërkuan pezullimin e gërmimeve, duke insistuar në tezën se historia e Kalasë po falsifikohet. Ky libër është përgjigje për dilemat e vitit 2008, nëse historia shqiptare po tjetërsohet. Dhe ngre një tjetër pyetje. Sa duhet t’i besojmë këtij libri, kur po në të shkruhet se literatura arkeologjike që është në qarkullim, është e mbushur me gabime dhe teza antishkencore. “Për shkak të një raporti të tillë me Kalanë e Shkupit, deri në vitin 2007 është ditur shumë pak për vlerat e saj dhe e tërë hapësira është konsideruar më shumë si një vend për të bërë piknik dhe që ofronte një panoramë të mrekullueshme të qytetit, sesa si një lokalitet arkeologjik”, shkruan autori.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.