Urim HASIPI
Tetovë, 16 janar – Edhe viti 2016 rezulton me shifra të larta për sa i përket vjedhjeve në rajonin e Pollog, shkruan gazeta KOHA. Sipas statistikave, në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 556 vjedhje të rënda ose 82 më pak në krahasim me vitin 2015. Policia thekson se një e treta e këtyre vjedhjeve janë zbardhur dhe të njëjtat kanë përfunduar me padi adekuate.“Numri më i madh i vjedhjeve të rënda apo 277 prej tyre kanë ndodhur gjegjësisht janë kryer në shtëpi, banesa dhe vikend shtëpiza. 48 janë kryer në shitore ndërsa 42 në automjete si dhe 107 në vende të tjera. Në këtë periudhë, gjithashtu janë evidentuar edhe 78 tentativa për vjedhje të rënda, si dhe 8 të ashtuquajtura vjedhje të shkathta. Numri i përgjithshëm i vlerës materiale në vjedhjet e përmendura është mbi 35 milion denarë”, njofton Policia e Tetovës, përmes zëdhënësit të Sektorit për Punë të Brendshme, Marijan Josifovski. Poashtu bëhet e ditur se më shumë nga vjedhjet e vitit të kaluar janë kryer me thyerjen e dyerve hyrëse, gjegjësisht me forcë. “Kjo ka të bëjë me vjedhjet të cilat janë kryer në shtëpi dhe shitore, përderisa në banesa hajdutët më shpesh kanë hyrë brenda me thyerjen e cilindrave të rrezes së derës, por edhe me hapjen me shkathtësi të dyerve të blinduara. Në automjete sërish, si zakonisht është vjedhur me thyerjen e xhamave ose hapjen me forcë të derës së pestë gjegjësisht gepekut të automjeteve”, thotë Josifovski. Në ndërkohë, kur bëhet fjalë për tentativat për vjedhje është karakteristike se hajdutët kanë hyrë brenda në tërësi kanë kërkuar hapësirat e objekteve, megjithatë nuk kanë marrë asgjë, me siguri kanë kërkuar dhe nuk kanë gjetur para, gjësende të ndryshme nga ari , gjësende me vlerë këto që edhe vitin e kaluar kanë qenë pre tërheqëse për hajdutët. “Përveç kësaj vitin e kaluar janë vjedhur edhe aparate teknike, në të shumtën e rasteve televizor, pajisje audio dhe audio-vizuele, kamera, telefona celularë, aparate për amvisëri dhe të tjera. Supozohet se në të shumtën e rasteve është vërtetuar në praktike se aparatet teknike më mirë dhe më lehtë plasohen në tregun e zi në rajon dhe më gjerë, për çmime shumë më të ulëta të tregjeve. Në vitin 2016 gjithashtu janë regjistruar edhe 375 vjedhje dhe 10 grabitje. Kryesisht bëhet fjalë për vjedhje me dëme më të vogla materiale, si vjedhje të biçikletave, telefonave celularë, drunjve për zbukurim, gjësende te hekurta dhe kështu me radhë”, thuhet në raportin e Policisë së Tetovës. Megjithatë ajo që pranohet edhe nga policia është se shumë vjedhje kryhen nga të njejtit autorë. “ Është karakteristike edhe ajo se mes hajdutëve në të kaluarën i konsiderueshëm është numri i atyre që kanë përsëritur të njëjtën vepër, të cilët më parë janë denoncuar për vjedhje ose për aktivitete të tjera kriminale në rajon”, thotë Josifovski. Krahas kësaj, vitin e kaluar kanë qenë në modë edhe vjedhjet e veturave. Sipas Policisë së Tetovës, vitin e kaluar, në rajonin më të gjerë të Tetovës janë regjistruar 21 vjedhje të veturave, prej të cilave 5 në rajonin e Tetovës dhe 16 në Gostivar. “Poashtu në këtë periudhë është regjistruar në vjedhje e rëndë e një veture në hapësirat e Tetovës. Një pjesë e veturave të vjedhura janë gjetur dhe janë kthyer tek pronarët ndërsa disa akoma nuk janë gjetur dhe këto denoncime kundër personi të panjohur. Duke krahasuar këto vjedhje me ato të viteve paraprake, numri i vjedhje shënon rënie drastike. Nuk është i vogël numri I veturave të vjedhura të cilët nuk kanë qenë të mbyllura në mënyrë adekuate, ndërsa në disa raste çelësat janë harruar në derë dhe kështu puna e hajnave për të vjedhur ka qenë shumë e lehtë dhe pa shumë mund që të realizojnë qëllimin”, tha Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.