Patriot LUMANI
Strugë, 9 mars – Librat në gjuhën shqipe në shkollën profesionale “Niko Nestor” mungojnë në pjesën më të madhe, problem i cili prej vitesh është ngritur nga nxënësit dhe pedagogët e këtij institucioni arsimor. Ndërkohë, edhe ato pakë tekste që janë në gjuhën shqipe, janë me probleme te theksuara gjuhësore dhe në masën më të madhe janë të papërdorshme nga ana didaktike.
Arbër Lloga, zv/drejtor i shkollës profesionale “Niko Nestor”, i pyetur për këtë fenomen, nënvizon se ai është i bartur prej vitesh, pavarësisht ndryshimeve të vogla. Sipas tij, përveç se mungojnë librat e lëndëve profesionale, ka mungesa edhe në lëndët shoqërore apo në lektura.
Për Llogën situata është paradoksale, sepse mungon libri i hjuhës shqipe, ndërsa ai i gjuhës maqedonase është funksional, gjë që sipas tij flet vet për angazhimin e institucioneve për zgjidhjen e këtij fenomeni. Lloga, gjithashtu shton se edhe në bibliotekën e shkollës vërehet mungesë e theksuar e titujve, gjë që ky institucion, në bashkëpunim me nxënësit ndërmori një aksion për pasurimin e bibliotekës, ku falë donacioneve të nxënësve, biznesit dhe profesorëve kjo bibliotekë u pasurua me 400 libra.
“Mungesa e librave shkollor është një problematik e trashëguar prej vitesh dhe në këtë drejtim ka munguar zgjidhja institucionale. Ndërkohë, sa i përket bibliotekës, sidomos në drejtim të librave shqip mund të them se situata ka qenë katastrofave, gjë që ka provokuar ndërmarrjen e aksioneve jashtë-institucionale për pasurimin me tituj në gjuhën shqipe. Së fundi, si rezultat i këtyre aksioneve, biblioteka e shkollës u pasurua me 400 libra të profileve të ndryshme”, përfundon ai.
Prej vitesh nxënësit shqiptar të shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor” në Strugë vazhdojnë të mos pajisen me tekstet mësimore nga organet kompetente, dukuri që të kujton metodat e vjetra skolastike të mesjetës, ku diktimi nga pedagogët ishte baza e edukimit dhe mësimdhënies .Për nxënësit dhe për pedagogët mungesa e teksteve ka krijuar vështirësi të shumta në procesin e edukativo-arsimor dhe më të pakënaqurit në këtë drejtim janë nxënësit që pothuajse pjesën më të madhe të orëve e kalojnë duke marrë shënime.
Ndërkohë, profesorët shqiptarë të shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor” si dhe vetë organet drejtuese të saj disa herë me letër proteste u janë drejtuar autoriteteve lokale si dhe dikasterit të arsimit rreth situatës së palakmueshme që mbretëron me mungesën e përsëritur të teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle,por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar në këtë aspekt.
Sipas profesorëve shqiptarë të kësaj shkolle po bëhen vite të tëra që ata janë të detyruar t’u diktojnë nxënësve si pasoj e mungesës së teksteve dhe kjo praktik sipas tyre duhet të marrë fund në të mirë të cilësisë dhe rritjes së performancës mësimore të nxënësve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.