Laura PAPRANIKU
Shkup, 18 shkurt – Arsimi i mesëm i orientuar vazhdon të mbajë peshën më të madhe të kualifikimeve konform pritjeve për zhvillimin e tregut të punës, shkruan gazeta KOHA. Nisur nga kjo, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), vazhdon të afirmojë si njërën prej shtyllave kryesore të politikave të saj arsimin e mesëm profesional. 53 për qind e vendeve të reja të punës janë të lidhura me arsimin e mesëm profesional dhe vetëm 34 për qind me nivele më të ulët shkollim, respektivisht 87 për qind me arsimin para-universitar. Në dokumentin e Strategjisë gjithëpërfshirëse arsimore (2017-2020), krahas këtyre të dhënave, thuhet se në të ardhmen pjesa më e madhe e vende të punës, edhe atë 40 për qind do të krijohen nga industria përpunuese, si dhe nga tregtia 9 për qind.
E parë nga këndvështrimi i kërkesave për shkallën e kualifikimit – arsimimit, 62 për qind e vendeve të punës në këta dy degë të ekonomisë (industria përpunuese dhe tregtia), do të jenë me arsim të mesëm profesional, kurse 10 për qind për kualifikime me arsim të lartë. Vendet e mbetura, 28 për qind, në po këto dy degë do të jenë për kualifikime me shkallë më të ulët të arsimimit. Nisur nga këto parametra, arsimi i mesëm profesional do të merr një peshë të veçantë, pasi do të kualifikojë kuadro të cilët do të mund ta gjejnë shumë më lehtë veten në tregun e punës. Në sektorin për arsim të mesëm të MASH-it, shpjegojnë se edhe ashtu arsimi profesional ka zënë një vend të posaçëm në politikat arsimore. Numri më i madh i paraleleve dhe vendeve për regjistrimin e nxënësve në arsimin e mesëm janë për shkollimin profesional. Aktualisht, këtu janë të përfshirë rreth 60 për qind e nxënësve të arsimit të mesëm, konkretisht 49.484 nxënës nga 82.473 gjithsej. Me gjithë mundësinë që shkollimi profesional të zgjasë tre vjet, përpos katër vjet (sikurse arsimimi gjimnaz), përsëri nuk është shumë i lartë numri i nxënësve me arsim të mesëm profesional tre vjeçar. Në vitin shkollor 2014/2015 vetëm 6.3 për qind e nxënësve te mësim profesion apo 3.8 e atyre që ishin përfshirë në arsimin e mesëm kishin me shkollim të mesëm profesional trevjeçar. Pra, para dy viteve ai numër ishte 3186 nxënës.
Orientimi i shkollimit të mesëm më tepër kah profesionali se sa shkollimi gjimnaz. Nga 108 shkollat e mesme publike, 23 janë gjimnaze, 43 të mesme profesionale, 33 të përziera, 4 shkolla ofrojnë arsim për nxënës me nevoja të posaçme dhe 5 arsim artistik. Përveç shkollave publike të mesme në Maqedoni janë edhe 16 shkolla të tjera private dhe fetare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.