Magjitë e Hoyt Brian Yee në Ballkan

Nga Kosova në Maqedoni, një nga vendet më të ndezur sa i përket krizës politike në rajon. Në takimin e tij me presidentin maqedonas Ivanov, zyrtari i lartë amerikan i vendosi afat kreut të shtetit të Maqedonisë, që të t’i hapte rrugë qeverisë së re të Zaev duke çmontuar një herë e mirë regjimin e Gruevskit

39

Këto ditë në vendin tonë është folur gjatë për paketën “McAllister” si çelësi i arritjes së marrëveshjes Rama-Basha. Por edhe pse kjo paketë kompromisi ka meritat e saj për gjetjen e gjuhës së përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, a do ishim këtu pa amerikanin Hoyt Brian Yee? Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Me një përmbledhje të përciptë na rezulton se vala e dialogut në Ballkan gjatë këtyre orëve ka ardhur pas vizitës së tij. E thënë më thjeshtë, kudo ku zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ka shkelur për vizitë, menjëherë dialogu dhe kompromisi ka zgjidhur çështje që krijonin ngërç në Ballkan. Yee ishte në Kosovë, në një kohë kur ligji për krijimin e Forcave Speciale të Kosovës, kishte krijuar një konflikt të ri në marrëdhëniet me Serbinë. Pas takimeve që zhvilloi, partitë politike atje, dhe më konkretisht PDK-ja si iniciatore e ligjit për FSK-në u tërhoq nga propozimi i bërë. Po ashtu vizita e tij pasoi me rënien e qeverisë së Kosovës dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Yee pas kësaj do të lëshonte një deklaratë ku theksohej se “Kryeministri i ri duhet ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi”, një tjetër çështje e rëndësishme së cilës nuk iu dha drejtim nga ana e Isa Mustafës. Nga Kosova në Maqedoni, një nga vendet më të ndezur sa i përket krizës politike në rajon. Në takimin e tij me presidentin maqedonas Ivanov, zyrtari i lartë amerikan i vendosi afat kreut të shtetit të Maqedonisë, që të t’i hapte rrugë qeverisë së re të Zaev duke çmontuar një herë e mirë regjimin e Gruevskit. Dhe ishte Ivanov që u tërhoq duke mandatuar qeverinë e Zoran Zaev, dhe duke pranuar në këtë mënyrë, rolin dhe faktorin shtet-formues të shqiptarëve në Maqedoni. Në Mal të Zi, Yee mbërriti në një kohë kur vendi sapo ishte anëtarësuar në NATO. Vizita e tij veç çështjeve të tjera, kishte të bënte edhe me Demarkacionin, dhe ku Kosova nuk binte dakord me vendin fqinj. Por duket se me frymën dhe politikën e tij të dialogut, zyrtari i lartë i DASH arriti të bindë palët dhe të gjendet gjuha e përbashkët për caktimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi. Dhe në fund, “qershia mbi tortë” Tirana. Një krizë politike rreth 3 mujore e cila u konkludua mbrëmë me arritjen e marrëveshjes Rama-Basha. Që të dy krerët e politikës shqiptare gjetën gjuhën e përbashkët duke bërë lëshime ndaj njëri-tjetrit dhe duke e kthyer jetën politike në normalitet. Siç u pranua publikisht nga opozita, zyrtari amerikan u la afat palëve 24 orë për të zgjidhur krizën, me paketën “McAllister+” në tryezë për të cilët palët duhet të thonin vetëm një “po” ose “jo”. Kanë mjaftuar këto vizita të Ballkan, që rajoni tashmë të tejkalojë ngërçet politike gjithnjë përmes dialogut, falë “magjive” të një diplomati karriere si Yee. Dhe në SHBA e dinë që me mbi 20 vite karrierë politike si diplomat në Ballkan, Hoyt Brian Yee është natyrisht njeriu më kompetent në Departamentin e Shtetit për Ballkanin dhe ku fjala e tij ka peshë mjaft të madhe tek Sekretari Rex Tillerson. (tiranapost)

Të Ngjajshme