Strugë, 20 mars – Dhurimi i gjakut në Njësinë e transfuziologjisë në Strugë shënon rritje permanente, konfirmojnë nga ky Ent, i cili prej disa vitesh është në varësi të Institutit Republikan të Transfuziologjisë, shkruan gazeta KOHA. Nexhat Ismailoski, transfuziolog në këtë Ent, tregon se dhurimi në Strugë është i kënaqshëm, moshat mbi tridhjetë vjeçare janë dhuruesit më të rregullt të gjakut në mënyrë vullnetare. Ndërsa, sa i përket vendbanimeve në territorin e Komunës së Strugës, ai veçon fshatin Llabunishtë dhe lokalitetet përreth tij, nga ku vijnë më shumë se 200 dhurues të rregullt të gjakut. Kjo, sipas Ismailoskit, përveç aspektit human, ndodh edhe për faktin që lartësitë ndikojnë në forcimin e gjakut te disa individë dhe dhurimi është një opsion i nevojshëm.
Përveç këtij fshati, kjo tendencë është prezent edhe në fshatrat e tjera të kësaj ane, konsideron ai. Një faktor tjetër që ka rritur tashmë numrin e dhuruesve të gjakut është ndërgjegjësimi më i madh i shoqërisë në përgjithësi. Ismailoski potencon për KOHA se përveç anës humanitare të dhurimit të gjakut, si një kontribut në shpëtimin e jetës të një nevojtari, dhurimi i gjakut mund të konsiderohet edhe si një shërbim ndaj vetvetes nga individët dhurues të gjakut.
“Besoj se ndërgjegjësimi tashmë është rritur te njerëzit për efektet pozitive të dhurimit të gjakut si dhe anës humanitare të këtij veprimi. Ne kemi organizuar një sërë fushatash dhurimi dhe në këtë drejtim kemi arritur të grumbullojmë sasi të madhe të gjakut, sepse përgjigjja nga qytetarët ka qenë e kënaqshme”, potencon ai. 2138 njësi gjaku janë grumbulluar në Strugë gjatë vitit 2016, informojnë nga Organizata e Kryqit të Kuq në Strugë. Siç konfirmojnë nga ky institucion, janë grumbulluar 32 njësi gjaku më shumë se viti 2015. Sekretarja e Kryqit të Kuq në Strugë, Adhurime Dauti, informon se është tejkaluar plani që Struga e ka në raport me numrin e banorëve. Sipas planifikimit vjetor, Kryqi i kuq në Strugë ka detyrimin të grumbullojë 1800 njësi gjaku ose 3 për qind në raport me numrin e banorëve të Komunës. Ky numër në vazhdimësi është tejkaluar viteve të fundit si rezultat edhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për humanitetin e këtij akti, shton Dauti. Gjatë vitit 2016 janë realizuar një seri aktivitetesh, duke filluar me aksione dhurimi në institucione, shkolla, gjatë sezonit veror nëpër plazhe dhe në organizime të tjera.
“Bashkëpunimi me transfuziologët dhe qendrat e transfuziologjisë është në nivelin më të lartë dhe deri tani asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë mungesë gjaku. Interesimi për të dhuruar gjakun në Strugë është lartë dhe kjo vërehet edhe nga fakti që në Strugë ka dhurues që kanë dhënë 10, 25, 50 herë lëngun e jetës. Ndërsa strugani që ka dhënë më shumë gjak është Bllagoja Jovanoski, i cili ka dhuruar 106 herë”, përfundon Dauti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.