“Të puth me dashuri babai yt i shtrenjtë Alphonse Capone #85”. Mbyllej kështu një letër me tre faqe që Al Kapone, një nga gangsterët më të pamëshirshëm të historisë, i ka dërguar në vitin 1938 djalit të tij Albert, i ashtuquajturi “Sonny”, nga burgu famëkeq i Alkatrazit, në San Françisko, ku ishte mbyllur në qelinë numër 85.
Ana pozitive
Letra e “armikut publik numër një”, tregon për të parën herë anën “e ëmbël” të Kapones dhe për këtë motiv ka tërhequr vëmendjen e koleksionistëve të të gjithë botës. Letra e kreut të bandës që terrorizoi qytetin për vite me metoda mafioze, është shitur në Kembrixh, në Masaçusets për 62 mijë dollarë dhe është blerë nga një person anonim nga Çikago. “Bir, – i shkruante Al Kapone djalit të tij që ishte 20 vjeç dhe frekuentonte Universitetin e Majemit, – vazhdo kështu dhe mos lejo që asnjë të të bëjë të vuajë dhe kur të jesh në gjendje jo të mirë, dëgjo nga një disqet për të cilat të kam shkruar”. Njeriu, i cili mes shumë vrasjeve ka urdhëruar në vitin 1929 edhe masakrën e San Valentinos – ku njerëzit e tij shfarosën bandën e Bugs Moran, duke lënë të vrarë shtatë persona – pikërisht në vitin 1938, iu diagnostikua një formë sifilizi, e marrë në moshën më të re dhe u shtrua menjëherë në spitalin e burgut, ku kaloi një vit. Sonny, i cili vdiq në vitin 2004, nuk trashëgoi gjurmët e babit vrasës si bos i mafies: e vetmja njollë në dosjen e tij penale, ka qenë një dënim për vjedhjen e një dyqani.
Shpresa e lirimit
“Zemra ime, shpresojmë që gjërat të shkojnë ashtu siç shpresojmë vitin që vjen, – vazhdonte Kapone, i cili qëndroi në burg për masakrën e San Valentinos dhe për mashtrim fiskal dhe që shpresonte në një ulje të dënimit, pastaj të fituar në 1939-ën për sjellje të mirë. – Dhe vetëm pastaj mund të ripërqafohemi”. Në letër, Kapone i tregonte të birit se kishte organizuar në Alkatraz një grup muzikor “The Rock Islanders”, me të cilën gangsteri zbavitej teksa luante me një instrument shumë të ngjashëm me mandolinën.
Historia e panjohur e Njeriut me Shenjë
Nuk kishte mbushur ende 18 vjeç Alphonse Gabriel Capone, kur Frank Galluccio, i bëri me thikë atë shenjë në fytyrë, që do ta bënte të famshëm me nofkën “Scarface”. Një batutë e pavend mbi motrën e Frank, “ke një bythë fantastike Lena” – një mbrëmje në “Harvard Inn” të Coney Island, dhe ja tek mbetet një shenjë në fytyrë për gjithë jetën. Al Capone, ose më saktë, një jetë si gangster, gjithmonë në maksimum. I fundit i 9 fëmijëve, babai berber, e ëma rrobaqepëse me origjinë nga Angri (Salerno), “NJeriu me shenjë” i kaloi vitet e fundit të jetës së tij, nga një varfanjak me këpucë të shqyera në supermiliarder, i goditur nga një formë shkatërrimtare e çmendurisë në pleqëri, shkaktuar prej sifilizit. Po, ishte pakëz si ndëshkim, në vitin 1946, të shihje atë që shtypi e kishte quajtur “armiku publik numër një”, të ulur në një karrige druri, duke “lundruar” me pizhame, në vilën e tij fantastike në Majemi, që e kishte mbushur me peshq, ndërkohë që “rremonte” ngathtësish me shkopin e tij të bambusë dhe grepat e peshkut. Ndonjëherë, kur nuk bënte gjoja sikur po peshkonte, thonë se fliste me vete. Ose bënte biseda të gjata me panteonin e tij privat të të vdekurve që kishte vrarë: miq, shokë betejash të përgjakshme të kohërave të Sindikatës Siciliane të Chicagos dhe të North Side Gang. Ose armiq, si John Scalise dhe Joe Giunta, të vrarë me duart e tij, apo të vrarë me urdhër të tij me automatikë Thompson, “kallashnikovi” i atyre kohëve. Kush e pa, në kohët e fundit të jetës së tij, e përshkruante si një fëmijë 12-vjeçar. Për të mbajtur të lumtur njeriun që kish mbërthyer në grushtin e tij Chicagon, duke ndërtuar një perandori miliardere, tashmë mjaftonte që të shoqëroje të blinte karamele në farmaci, rrëfen Deirdre Bair në biografinë e re kushtuar gangsterit më të famshëm italo-amerikan. Titulli: Al Capone: Jeta, trashëgimia dhe legjenda e tij. Është një histori e bazuar në intervistat me nipërit dhe të afërmit e bosit më të fuqishëm të epokës së prohibicionizmit, një njeri në gjendje të fitonte 40 milionë dollarë nga një Krishtlindje në tjetrën, në vitet Njëzetë – të cilët kanë pranuar të flasin, por me kusht që të mbeten anonimë. Sidomos pesë vitet e fundit të atij që kish qenë mbreti i Chicagos, ishin një kalvar. Që kur e shoqja, Mae e kishte shtruar në spitalin e Baltimorës, në vitin 1940, tek azili i florinjtë në Miami Beach: 8 dhoma gjumi, 6 banja, palma, pishinë olimpike, tre mijë metra katrorë park. Deri në 25 janar 1947, kur porositësi i masakrës së Shën Valentinit u godit nga një iktus dhe një polmonit, që e morën me vete në Varrezën Mount Carmel të Chicagos. Ishte vetëm 48 vjeç. Ndërsa shtëpia e tij jetoi më gjatë, dhe pak kohë më parë, pas një rregullimi, iu shit për 8 milionë Euro Mino Raiolës, menaxheri i fuqishëm i futbollistëve të famshëm si Pogba. Ndërsa Chicago, sa për kriminalitetin, e organizuar apo jo, mbeti e njëjta. Gjatë fundjavës së fundit, 65 persona kanë marrë plumba, dhe 13 kanë vdekur. Vetëm në fundjavë. Ndërkohë që të vdekurit me armë zjarri në atë që presidenti Obama e quan “shtëpi”, janë 500. Një qytet ku prindërit, pasi u kanë rekomanduar fëmijëve që të studiojnë dhe të bëhen të mirë, u përsërisin përditë: “Nëse dëgjoni të shtëna, hidhni librat dhe shtrihuni përtokë”. Përballë kësaj gjendje, Al Capone është kilikosës. (Il Giornale)