Kultura është ajo që pasqyron nivelin e shoqërisë në një shtet

32

 

Delvina KËRLUKU

Safet Spahiu është lindur në Prizren. Prej vitit 1994 jeton në Gostivar. Fakultetin dhe studimet pasuniversitar i kreu në Fakultetin e Arteve në Katedrën e Dizajnit Grafik, në klasën e prof. Shyqri Nimani në Universitetin e Prishtinës në vitin 2000. Karriera e tij profesionale nis që nga viti 1999, si anëtar i kryesisë së Shoqatës së Artistëve Figurativë të Maqedonisë “Draudacum”. Prej vitit 1998 ligjëron Dizajnin grafik në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2007 zgjidhet docent pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës. Viti 2007 zgjidhet anëtar i kryesisë së Shoqatës së Artistëve Figurativë të Maqedonisë. 2007/10 si Dekan i Fakultetit të Arteve në USHT; 2013 zgjidhet në thirrjen profesor inordinar pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës; 2013/ Ligjëron në Fakultetin e Arteve në Universitetin AAB në Prishtinë. Është njëri ndër themeluesit e drejtimit të Dizajnit grafik ne Universitetin Shtetëror të Tetovës. Pos ekspozitave personale në Prizren, Gostivar, Shkup, Nju Jork, etj., Safet Spahiu ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive të organizuara në nivel shtetëror dhe ndërkombëtarë, si në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Francë, Turqi, Bullgari, Argjentinë, SHBA etj. Për veprat e tij ka marr edhe shumë shpërblime: në vitin 1995 Shpërblimi “Flaka e Janarit” Gjilan; 2000 Shpërblimi “Pedagog i dalluar” në F. A. F. –Tetovë; po ashtu këtë vit Shpërblimin “Ars Albanica” Prishtinë; 2007 Shpërblimi “Lazar LeqinovskiSHAFM Shkup; 2008 Shpërblimi për kontributin e dhënë në USHT – Tetovë; 2010, Shpërblimi “Shpërblimi i Nëntorit” SHAFM Draudacum; 2012 Shpërblimi “Gara e Artit Global” KOSOVA ART Prishtinë, etj.

 

KOHA: Z. Spahiu, jeni lindur në Prizren, qytet ky i lashtë, historik, pranë Lumëbardhit, nën shpatet piktoreske të Sharrit. Një ndër qytetet më të vjetra dhe me një histori të gjatë dhe të pasur. Sa krenar ju bën ky vend dhe a është frymëzimi në veprat e juaja?

SPAHIU: Sa herë që përmendet Prizreni, unë ndjej nostalgji për vendin ku u linda dhe e kalova rininë time. Është e natyrshme, atje e kam familjen e gjerë, shokët dhe miqtë nga fëmijëria dhe adoleshenca. Atje kalova pjesën më të bukur të jetës time, atje është Shatërvani, Marashi, Lumëbardhi, kalaja e vjetër… atje është bukuria vetë. Në veprat e mia, Prizreni si motiv me peizazhe nuk është prezent në mënyrë eksplicite. Bukuria e qytetit tim, në fillet e krijimtarisë time, ishte e mbuluar me gjendjen e rëndë politike që në një mënyrë e linte në plan të dytë idilin përrallore të qytetit, gjë që energjia krijuese e akumuluar në këtë kohë të vështirë reflektohet më vonë në veprat e mia.

 

KOHA: Për Prizrenin zakonisht thuhet se është “Qytet muzeu” ose qytet i burimeve dhe i bukurive. Përndryshe, Prizreni është qyteti më i pasur kosovar me përmendore të kulturës. Çfarë i keni falur ju këtij vendi?

SPAHIU: Pas përfundimit të studimeve për Dizajn grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, u ktheva në Prizren duke u munduar që të kontribuoj në vazhdimin dhe ngritjen e vlerave të artit ne qytetin tim. Atë që unë i fala Prizrenit nuk do të kufizohet vetëm me krijimtarinë time artistike, siç janë disa ekspozita personale në galeri të ndryshme të Prizrenit, por edhe një numër të madh aktivitetesh tjera që atëbotë ishin nevojë e ekzistencës kulturore e kombëtare, si themelimi i shoqatës mbarëkombëtare për mbrojtjen e monumenteve kulturo – historike, shoqatë kjo e cila me vite u angazhua ne mbrojtjen dhe ruajtjen e eksponateve, artefakteve dhe objekteve kulturore e historike në Kosovë. Organizimi i manifestimit të 100 vjetorit të shkollës së parë shqipe të vashave në Prizren si dhe shumë aktivitete tjera si në Shoqatën “Agimi”, organizimi i ekspozitave, promovimeve te ndryshme, shfaqjeve teatrale etj. që përkonin me zhvillimet e kohës. Unë Prizrenit tim nuk i fala shumë, asnjëherë nuk mund ta kompensoj atë që Prizreni më fali mua.

 

KOHA: Përderisa materiali arkeologjik flet për një jetë të lashtë të qytetit, veprat e juaj si mund t’i përshkruani?

SPAHIU: Në krijimtarinë time në tërësi jam munduar që idetë e mia t’i shfaq në më shumë fusha të artit pamorë si në dizajn grafik, pikturë, grafikë digjitale, fotografi artistike etj. Paraqitja ime e fundit në opinion ishte ekspozita me pikturat nga cikli “Demi”, që në realitet ndryshon për nga figuracioni i cikleve të mëhershme, siç ishin “Pritja” dhe “Antologjia e pritjes” si dhe cikli i punimeve të krijuara në Prizren (të cilat u zhdukën gjatë kohës së luftës), por shprehja figurative dhe teknika vazhdojnë të jenë kryesisht të njëjta, pasi që në pikturat e mia përpos bojës përdori edhe mediume jopikturale siç është rëra e përzier me ngjyrë me të cilën arrij efekte relievore. Në ciklin “Pritja” dhe në vazhdim “Antologjia e pritjes”, tema të cilën e trajtoj është reflektim i gjendjes së atëhershme sociale e politike. Ndikimi psikik ne shoqëri për një pritje të pa definuar në aspektin kohorë, gjithnjë me pyetje kur do të ndodh, kur do te përfundojë, edhe sa do të zgjat … E gjithë kjo gjendje shpirtërore reflektohet në pikturën time me forma semiotike, ku katrori si simbolikë e pritjes e me vonë edhe forma tjera të deformuara paraqesin pritjen në mënyrë simbolike, portretet e njerëzve të vuajtur gjithnjë me shpresë se do të vijë një ditë…

 

KOHA: Demi është subjekt i mishërimit të shumë kulturave dhe religjioneve, si dhe i vendosur në pallate moderne. Çfarë simbolizon demi te piktura juaj?

SPAHIU: Përzgjedhja për subjekt tematik të këtij pjesëtari të botës animaliste nuk është e rastësishme, njërën nga kafshët simbol të fuqisë. Kafshë e cila me konstruktin e vetë anatomik i ka bërë për vete shumë artistë, duke filluar që nga parahistoria me “demin e plagosur” të Altamirës apo demin mitik që grabiti Evropën, deri te Picasso dhe artistë tjerë bashkëkohorë. “Demi” im paraqet fuqinë dhe energjinë potenciale, fizike apo mentale të pashfrytëzuar të rinisë sonë të shëndoshë e cila vjen në pah vetëm atëherë kur ata emigrojnë ne vende të zhvilluara dhe atje e dëshmojnë kapacitetin e tyre të pashfrytëzuar. Edhe ky cikël i pikturave është i realizuar në akril dhe rërë në pëlhurë, por me një dinamikë më të theksuar kolorike.

 

KOHA: Të kombinosh ngjyrat duket si gjë e thjeshtë. Por, kjo ndodh pasi të dish se cilat ngjyra shkojnë me njëra-tjetrën dhe cilat jo. Në realitet ndodh ndryshe. Kombinimet e ngjyrave ndonjëherë krijon konfuzion. Cilat janë rregullat bazë të kombinimit të ngjyrave në pikturën e juaj?

SPAHIU: Natyrisht njohja e teorisë figurative është e domosdoshme për krijimin e një vepre në pikturë, njohja e ngjyrave, raportin e tyre, që nga ngjyrat primare, sekondare deri te ngjyrat komplementare me kontrast drastik, valeri dhe tonet e ngjyrave etj. Çdo artist, me kohë krijon edhe identitetin e vet artistik në bazë të krijimit të kompozicionit formave dhe ngjyrave që i aranzhon, duke e krijuar edhe paletën personale të ngjyrave, e cila me kohë mund edhe të ndryshojë. Në pikturën time hapësirë të konsiderueshme zë ngjyra e portokalltë, të cilën paraprakisht e përgatis në paletë dhe pastaj e vendosi në telajo, e cila në raport me ngjyrat tjera qëndron si dominante në tërësinë kompozicionale dhe natyrisht i hedh në plan të parë figurat qendrore në kompozicion.

 

KOHA: Padyshim, rrethanat, ambienti, eksperiencat, luajnë një rol në formimin e artistit. Krijimtaria është pasqyrë e shpirtit dhe e formimit të artistit, e situatave apo realitetit që e rrethon dhe mënyra e të shprehurit i përgjigjet këtij realiteti?

SPAHIU: Në kohën e globalizimit gjërat edhe kanë ndryshuar, bota është bërë shumë e “vogël” . Sot artisti nuk është i margjinalizuar vetëm në preokupimet lokale apo regjionale, por edhe ato botërore në përgjithësi. Shprehjet artistike bashkëkohore degëzohen në shumë drejtime të ndryshme, në mënyra të ndryshme të shprehurit që dallon dhe krijon distancë nga mënyra klasike e të shprehurit të realitetit vizual. Në këtë drejtim vërejmë tendenca për ndryshime në mënyrat e shprehjes në artin pamorë, nga format klasike materiale të prekshme, në fusha asociative të koncepteve virtuale, gjë që këto forma të të shprehurit na sjellin shumë eksperienca të reja. Pra, janë shumë segmente që ndikojnë në formimin e artistit, ajo qe një artist e bën të veçohet nuk është vetëm aftësia e tij për ti trajtuar gjërat në mënyrë teknike, por edhe mënyra e të menduarit dhe ideja se si do ti qaset situatave dhe mënyra se si do t’i shpreh apo shfaq ato.

 

KOHA: Kemi shikuar shpesh që muret e brendshme të banesës së piktorit janë të suvatuara. Krahas lyerjes me gëlqere, që përdoret si material kryesor dezinfektimi, muret e dhomave të veçanta janë të zbukuruara me afreske. Ju, a e “kompozoni” ambientin përpara se të pikturoni?

SPAHIU: Sigurisht që ambientet jo vetëm të banimit duhet të jenë të ”kompozuara” bukur, por jo domosdoshmërish me afreske, kjo është subjektive për çdo artist, muret në banesën time janë të “kompozuara” me pikturat e mia dhe nga koleksioni im me vepra të artistëve të ndryshëm, po e njëjta gjë është edhe në studion time ku punoj.

 

KOHA: Frymëzimi është tek energjia që dedikohet për të konkretizuar një projekt, sigurisht që sipas temës së projektit mbështetet edhe puna artistike. Ju, ku e merrni frymëzimin për aktivitetin artistik?

SPAHIU: Për shprehje artistike padyshim se nevojitet frymëzimi, është iniciuesi dhe motivuesi për punë artistike, është vetë reflektimi i rrezes hyjnore në brendinë e artistit. Frymëzimi është kudo, varet nga momenti në moment kur do të “takohemi”. Ka edhe periudha kur nuk ka frymëzim, kur asgjë nuk lëviz, është e mundimshme, atëherë kur dëshiron të punosh, por nuk je produktiv, është monotone… derisa në një moment të shndrit “rrezja” dhe çdo gjë ndriçon brenda teje.

 

KOHA: Akoma nuk është krijuar një klasë kuratorësh, kritikësh dhe koleksionistësh, të cilët i qasen në mënyrë profesionale artit. Ç‘mendim keni?

SPAHIU: Nëse i referohemi vendeve të rajonit apo aq me tepër vendeve të zhvilluara, atëherë është e vërtetë se nuk jemi në një nivel të duhur sa i përket kritikës së artit, janë të paktë studiuesit e artit që shkruajnë në mënyrë aktive. Ndodh shpesh që shkrimet të jenë më tepër subjektive, pa e trajtuar gjendjen reale fryhen me pompozitet. Më duhet të konstatoj se kritika është pjesë e pandashme e artit dhe se arti nuk do të ketë vlerën e vetë pa kritikë. Koleksionistët janë më me vlerë të madhe për kulturën. Mjerisht në këtë krizë të madhe kemi një numër i vogël të atyre që investojnë në vepra arti. Blerësit sot me tepër janë nga fusha e biznesit, dikush këtë e bën për përfitime materiale, dikush nga dashuria për artin. Dëshira për posedim të veprave artistike gjithnjë ekziston por varet sa na lejojnë mundësitë materiale. Mendoj që edhe shteti mund të ndihmoj në këtë aspekt duke i stimuluar blerësit ashtu që koleksionuesit ti liroj nga tatimet.

 

KOHA: Duke investuar në kulturë mund të krijojmë koshienca sociale, kurse pa kulturë dhe art do ishte tepër e trishtë?

SPAHIU: Një gjë është e sigurt, kultura është ajo që pasqyron nivelin e shoqërisë në një shtet. S’do mend se investimi në kulturë e ngrit nivelin e kulturës me këtë edhe nivelin e shtetit dhe shoqërisë. Arti dhe kultura janë faktorë për zhvillimin e një shoqërie dhe investimi në to është thesar i përhershëm, në të kundërtën dëmet janë të pakompensueshme.

 

KOHA: Jeni dëshmuar si pedagog i suksesshëm, inovativ dhe bashkëkohor në realizimin dhe promovimin e aktiviteteve të gjëra organizative arsimore dhe artistike. A jeni udhërrëfyes për artistët e rinj?

SPAHIU: Se a jam udhërrëfyes për artistët e ri, nuk e di, këtë duhet pyetur ata. Por, si pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, përveç mësimdhënies dhe punës me student, gjithnjë jam munduar që të jem inovativ në realizimin e projekteve me studentët, duke i promovuar edhe jashtë hapësirave universitare, me pjesëmarrje në ekspozita apo projekte tjera artistike.

KOHA: Puna e juaj artistike është e prezantuar në mënyrë të denjë si në formë të ekspozitave personale e kolektive, ashtu edhe në simpoziume dhe koloni artistike në vend dhe jashtë vendit. Ju bën më shumë krenar ju apo shoqëria, familjarët e kanë këtë ndjesi?

SPAHIU: Artistët karrierën e vetë e ndërtojnë me punë dhe prezantime në formë të ekspozitave, po nuk ekspozove je i mbyllur, nuk njihesh si artist. Në karrierën time artistike kam mbi dhjetë ekspozita personale dhe shumë ekspozita kolektive si ne vend edhe jashtë vendit, simpoziume dhe koloni artistike, i shpërblyer disa herë për veprat e mia, aktiv në organizime të aktiviteteve artistike, etj. E gjithë kjo punë, pa veçuar edhe punën në fakultetin e arteve, më bën të ndjehem krenar mua dhe familjen time si dhe miqtë dhe kolegët e mi.

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

 

Të Ngjajshme