Evis HALILI
Shkup, 11 janar – Buxheti që i dedikohet projekteve dhe zhvillimit të kulturës për këtë vit është rritur me më shumë se 600 qind milionë krahasuar me një vit më parë. Kështu bëjnë me dije nga Ministria e Kulturës dhe sipas deklaratave të kreut të këtij institucioni, Elizabeta Kançeska Milevska, për këtë vit është primare përfundimi i disa projekteve që kanë nisur në 2016, por edhe më parë, të cilat do të inaugurohen këtë vit. Mes tyre gjenden edhe dy projekte shqiptare që zvarriten prej vitesh, si rikonstruktimit të Teatrit Shqiptar dhe ndërtimi i Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës. Për këtë vit finalizimi i punimeve për Teatrin e Shkupit do të kushtojë 100 milionë denarë, ndërsa për vijimin e punimeve në Tetovë, janë dedikuar 180 milionë denarë. Por edhe vitin e kaluar kanë qenë pikërisht mjetet financiare ato që kanë bllokuar, por edhe kanë krijuar situata të komplikuara për vijimin normal të punimeve. Pagesat mujore gjatë vitit të kaluar nuk janë bërë si duhet nga ana e Ministrisë së Kulturës, siç ishte rasti me Teatrin Shqiptar, për të cilin nuk janë likuiduar punimet e muajve të fundit të vitit të kaluar, ashtu si edhe për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, ku pas zvarritjeve të pajustifikuara të punimeve fshihen probleme financiare. Sipas listës së publikuar në buxhetin e vitit 2017 të Ministrisë së Kulturës, i cili është mbi 15 për qind më shumë se ai i vitit të kaluar, mund të shihet se cilat zëra do të përfitojnë më shumë nga të hollat e dedikuara. Trashëgimia është sektori ku edhe këtë vit do të shpenzohet pa u kursyer. Nisja e një sërë ekspeditave arkeologjike në shumë lokalitete dhe mbyllja e punimeve për disa të tjera, si në Kalanë e Shkupit, janë ndër më prioritaret e këtij viti. Vetëm në dispozicion të projektit për ndërtimin e Universitetit Pllaoshnik në Ohër do të jepen 130 milionë denarë, nën një zë të përbashkët do të akordohen 130 milionë denarë të tjerë për disa lokalitete arkeologjike, 100 milionë për Teatrin antik Skupi, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore – 100 milionë denarë, e të tjera. Sa i takon rikonstruktimit të objekteve të kultit këtë vit pritet të mbyllen edhe punimet në xhaminë Jeni në Manastir, në të cilën prej disa vitesh gërmohej për të nxjerrë rrënojat e një kishe. Objekti fetar këtë vit do të inaugurohet si një xhami e adaptuar në galeri arti. Në total, buxheti i vitit 2017 i Ministrisë së Kulturës është 4.085.279.000 denarë ose 15,43 për qind më i madh se i një viti më parë. Po ashtu për këtë vit është rritur dhe buxheti për realizimin e programit vjetor me interes nacional të Ministrisë, rezultatet e të cilit duhet të shpallen në fund të këtij muaji. Financimi i projekteve nga të gjitha sferat që do të miratohen kap një shumë prej rreth 900 milionë denarë. Ministrja Kançeska e ka quajtur vitin e kaluar si të suksesshëm, ndërsa për këtë vit paralajmëron një sërë ngjarjesh të rëndësishme, me të cilat do të bëhet një promovim intensiv i kulturës edhe jashtë vendit. Një vend të veçantë pritet të zënë edhe masat stimuluese dhe mbështetja e artistëve, me blerjen e veprave artistike, si ato nga arti figurativ, dramatik, muzika e të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.