Shkup, 24 shkurt – Zekirja Ramadani në mes të janarit të këtij viti u emërua kryetrajner i ri i Trepça ’89. Ramadani një periudhë me sukses e udhëhoqi FC Shkupi pastaj edhe Flamurtarin e Vlorës. Trajneri Shkupjan për “Bota sot” shprehet se vet pozita në renditje e bënë favoritë si për titull po ashtu edhe për Kupë. Ndryshe, skuadra e Trepça ’89 aktualisht mban pozitën e parë në tabelën e klasifikimit me 39 pikë, tre me shumë se Llapi në vend të dytë, katër se Prishtina dhe gjashtë se Feronikeli në pozitën e katërt, ndërsa konsiderohet favorit edhe për trofeun e Kupës së Kosovës. “Vet pozita e parë në tabelë të bën favoritë për fitimin e Kupës. Por, e dimë që konkurrenca është e madhe dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe me shumë seriozitet”, u shpreh Ramadani. Ai është i kënaqur me kushtet në përgjithësi sidomos me fondin e lojtarëve që i ka në dispozicion. “Pa dyshim që jam i kënaqur, është klub mjaft mirë i organizuar dhe mendoj që kemi kontingjentin e duhur të lojtarëve për të luftuar në dy fronte”, deklaroi trajneri Ramadani. Ndërkohë, kampioni vjeshtor është gati për betejat e stinorit pranveror, mezi e presin përballjen me Drenicën nga Skenderaj, e cila zhvillohet të dielën e kësaj fundjave (në orën 13.00) në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë.