Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 janar – Përkundër uljes së madhe të kamatave në kursime nga 7 për qind në vitin 2009, në 1.8 për qind në nëntor të vitit 2016, megjithatë nuk ka të ndalur rritja e kursimeve të qytetarëve nëpër banka, shkruan gazeta KOHA. Analiza e të dhënave të Bankës Popullore tregon se në vitet e kaluara në vazhdimësi kemi rënie të kamatave të depozitave, edhe atë nga 7 për qind në vitet 2009 dhe 2010, në 5.9 për qind në vitin 2011 dhe në vitin 2012 të bien në 5.1 për qind. Në vitin 2013 ato shënojnë ulje në 4.4 për qind, ndërsa në vitin 2016 janë ulur minimalisht në 1.8 për qind. Nga ana tjetër, rriten vazhdimisht kursimet e qytetarëve dhe në muajin shtator të vitit të kaluar kanë arritur në 213 miliardë denarë, apo 3 miliardë e 460 milionë euro, që paraqet një rritje prej 260 milionë euro në raport me vitin 2014, kur qytetarët kanë ruajtur në llogaritë bankare shumën prej tre miliardë e 200 milionë euro. Shuma prej afër 3.5 miliardë euro e kursimeve paraqet një rritje prej më shumë se tre herë krahasuar me vitin 2006, kur qytetarët kanë ruajtur në banka shumën prej 1.1 miliardë euro, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Rritjen e madhe të kursimeve të qytetarëve e tregon edhe pjesëmarrja e kursimeve me 12.6 për qind në vitin 2006 si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që në vitin 2016 ka arritur në gati 35 për qind të PBB-së, duke marrë parasysh vlerën prej afër 9 miliardë euro të PBB-së. Ekonomistët thonë se ulja e shkallëve të kamatave varet prej ofertës dhe kërkesës së të hollave në tregun financiar, politikës së liberalizuar së Bankës Popullore të Maqedonisë në favor të stimulimit të rritjes ekonomike si kundërpërgjigje ndaj krizës ekonomike. Shkak për një trend të tillë të kamatave të ulëta të depozitave dhe kredive janë jo vetëm intervenimet e Bankave Qendrore që me masa të veçanta monetare të nxisin rritjen ekonomike, por edhe faktorët e tjerë. Ndër to radhiten edhe shprehia e qytetarëve të Maqedonisë dhe rajonit të ruajnë të hollat jo për të realizuar fitim, por para së gjithash që t’i kenë të hollat të sigurta për ditët kur më së shumti do t’ju nevojiten. Gjithashtu vlerësohet se kursimi rritet përkundër zvogëlimit të fitimit në emër të kamatave dhe krizës ekonomike si rrjedhojë edhe e transferimit të të hollave të qytetarëve nga jastëku në kasafortat e bankave. Ky veprim i qytetarëve vjen nga frika e vjedhjes së të hollave si dhe rritjes së besimit në sektorin bankar të Maqedonisë, që sjell fitime më të ulëta , por më të sigurta në raport me ndonjë investim potencial. Faktor tjetër është edhe mosbesimi në llojet e tjera të investimeve siç është bursa apo frika nga investimi në biznese të reja. Nga ana tjetër, Maqedonia falë besimit në sistemin bankar, por edhe rregullativës dhe mbikëqyrjen më se në nivel të punës së bankave nga ana e Bankës Popullore, madje ka bazën depozituese më të madhe se shkalla e kreditimit. Këtë e tregon edhe fakti se qytetarët në banka kanë borxh prej afër 2.2 miliardë euro, ndërsa kanë kursime prej afër 3.5 miliardë euro.
“Për shkak të sigurisë që e ofron sistemi bankar, përkundër rendimenteve të ulëta, megjithatë kursimi në banka është mënyra të cilës qytetarët më shumë i besojnë si lloj i ruajtjes së të hollave. Nga ana tjetër, depozitat e qytetarëve në banka tregojnë rritje të vazhdueshme që nënkupton se nga ana e bankave ekziston hapësirë për rritje të mëtejshme të kredive dhe se bankat janë likuide apo disponojnë me tepricë parash. Gjithashtu bankat tek ne zbatojnë strategji më konzervative ndaj kredive, gjegjësisht janë tejet të kujdesshme gjatë vlerësimit të rrezikut për kthimin e kredive”, thotë profesori universitetar Marjan Petreski. Sipas tij, nivelin e lartë të kursimeve të qytetarëve e përcakton edhe mosnjohja dhe mosbesimi në mënyrave e tjera të kursimit siç janë polisat e sigurimit jetësor , investimit në fonde të ndryshme etj. Gjithashtu, ekspertë për çështje financiare vlerësojnë se në mungesë të një ambienti të sigurt për investime që është diskutabile sa mund të sjellin fitim dhe sa kanë ardhmëri, qytetarët obligohen t’i kursejnë paratë në banka, madje me interes tejet të ulët. Në favor të kursimit është edhe dëmshpërblimi në vlerë prej 100 për qind i depozitave apo kursimeve deri në 30 mijë euro në kundërvlerë të denarit që mund të kryejë Fondi për Sigurimin e Depozitave në rast se anulohet leja për punën e ndonjë banke në vend. Në ndërkohë , nga Shoqata e bankave të Maqedonisë vlerësojnë se kursimet paraqesin kapitalin më të lirë për përkrahje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe janë bazë e sigurt për zgjerimin e asortimentit të shërbimeve të bankave ndaj popullatës dhe komitentëve të tjerë. Nga Banka Popullore e Maqedonisë thonë se kursimi është shtyllë kryesore e sigurisë së sistemit bankar , që është bazë për më shumë se gjysmën e aktiviteteve të bankave përfshi edhe kreditimin. Ndryshe, bankat disponojnë me gati pesë miliardë depozita apo kursime, prej të cilave afër 70 për qind janë kursime të qytetarëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.