Jeta pa muzikë është e trishtueshme

118

Delvina KËRLUKU

Leonora Poloska u lind më 3 maj 1982 në Shkup. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Liria”, ndërsa të mesmen e ndoqi në shkollën e muzikës “Ilija Nikollovski”, në Shkup. Studimet në Fakultetin e arteve muzikore, po ashtu në Shkup. Ajo ka marrë pjesë në festivalet: “Nota fest”; “Show fest”; “Kënga Magjike”; “Mikrofoni i artë” dhe shumë evenimente tjera muzikore. Gjithsej ka tre albume si: “Ylli i dashurisë”; “Nuk dorëzohem” dhe albumi i fundit: “Do të digjesh”. Ka marrë pjesë në soundtrackun e filmit “Etjet e Kosovës” si dhe vokal përcjellës dhe teksts-hkruese për këngët e veta dhe për një numër të madh këngëtarësh. Ka performuar solo, por edhe me artistë të tjerë të estradës muzikore shqiptare.

KOHA: Keni filluar karrierën në moshë të re, thuajse 16 vjeçare, ku edhe jeni mirëpritur nga profesorët e muzikës dhe spektatori i gjerë. Na tregoni me pak fjalë hapat e juaja të para në muzikë?

POLOSKA: Hapat e parë në muzike kanë qenë festivalet e fëmijëve në Shkup dhe Shkodër disa vite me radhë, ku më pas vijojnë festivalet për të arritur në “Nota fest” në moshën 13 vjeçare.

KOHA: Çdo të thotë për ju muzika dhe kur e kuptuat që i përkisni tërësisht asaj?

POLOSKA: Muzika për mua është një univers i gjerë, i cili kërkon hulumtim të madh dhe investigim, prej të cilit gjithmonë zbulohen mundësi dhe kolorit ngjyrash, dhe në një mision të tillë gjatë këtij evoluimi shumë vjeçar, sendet e reja janë të pashmangshme, që do të thotë asnjëherë nuk krijohet monotoni, por çdo ditë e re sjell diçka të re. Në momentin kur kuptova se çka dua, u krijua një relacion i pandarë, i ngushtë dhe qysh në fillim iu dorëzova plotësisht asaj ndjenje që nuk më zhgënjeu në asnjë moment.

KOHA: Ndërkohë që keni bërë hapat e para në skenë në moshë të re, si këngëtare jeni qasur mësimeve në fushën e muzikës. Cili është edukimi juaj artistiko-muzikor?

POLOSKA: Fillimisht kreva filloren në Shkollën “Liria”, në Shkup, kurse më pas u regjistrova në Shkollën e muzikës “Ilija Nikollovski”, duke mos pasur kurrfarë bazë muzikore më parë (ne aspektin e notave apo çfarëdo lloj lënde ose njohje të ndonjë instrumenti) që ishte pak vështirë dhe pas asaj vazhdova studimet në Fakultetin e Arteve Muzikore, po ashtu në Shkup.

KOHA: Ritmi mund të jetë matematikë e thjeshtë, kurse muzika kapërcen logjikën e ftohtë dhe depërton në ndjenjat tona më të thella. Pa muzikë, jeta është hije trishtimi?

POLOSKA: Kush si e kupton, por është aq e nevojshme në jetën e secilit, për shkak se edhe në momente gëzimi si dhe momente pikëllimi, është e vetmja që di ta shuajë apo shtojë kënaqësinë apo pakënaqësinë në jetë, sado që t’i evitohet kësaj të vërtete realiteti është po ai. Muzika ka frekuencë dhe vibrim që mund ta shëroj një njeri, natyrisht kur flasim për muzikë të mirëfilltë në të cilën investohet me shpirt 100 për qind. Jo trishtim, por jeta është mizore pa muzikë, qarja e parë e një fëmije që del nga barku i nënës është muzikë, jo fjalë, a do të ishte e bukur natyra pa cicërimën e zogjve, a do ta ishte përjetimi i njëjtë i detit sikur mos ta dëgjonim muzikën e valëve të saj, lumenjtë pa tingullin e rrjedhjes së tyre!

KOHA: Muzika si art pasqyron jetën dhe shpreh ndjenjat, përshtypjet, mendimet etj. Me anë të tingujve të bashkërenduar në një mënyrë të tillë ritmike që tingëllojnë këndshëm. Sa është e përputhshme me jetën e juaj muzika?

POLOSKA: Përputhshmëri absolute, prej në mëngjes e deri ne orët e vona, është nevojë për mirëqenien time, pa telefon mundem, pa muzikë jo.

KOHA: Keni pasur bashkëpunime me këngëtarë të njohur shqiptarë apo kompozitorë. Megjithatë, do përmendje një bashkëpunim mjaft mbresëlënës?

POLOSKA: Kam pasur goxha si shumë bashkëpunime, si më mbresëlënësi mund ta veçoj bashkëpunimin me këngëtarët Sonin, Ermalin, Sinan Hoxhën, në një moment gjatë ekzekutimit të kolazhit e gjithë salla u ngrit në këmbë. Mahnitëse dhe shumë, e paharrueshme.

KOHA: Nga buron frymëzimi juaj për këngën dhe çfarë vendi zë në shprehjen tuaj artistike origjina juaj shqiptare?

POLOSKA: Frymëzimi buron nga familja e babait, e cila traditë, brez pas brezi, ka kultivuar këngën toske, po ashtu edhe familja nga ana e nënës, ku gjakovarët kultivojnë muzikë shumë të mirëfilltë dhe pothuajse çdo gjakovare di të këndoj, gjithashtu që ky kombinim jo-ordiner ka bërë të veten. Pastaj, më vonë frymëzimin e kam marrë nga skena mbarëkombëtare, duke sublimuar në atë mënyrë të gjitha këto zhanre dhe duke i sistematizuar në një stil autentik. Origjina ime shqiptare zë vend kryesor, sepse nuk kufizohet nga një zhanër të vetëm, por laramani stilesh prej të cilave hapen mundësi e norma krijuese.

 

KOHA: Për një këngëtare që e do publiku, arsyen e dinë vetëm ata pse e duan. Besoni se është zëri juaj parësor. Apo mendoni dhe besoni se është vërtetësia, tipi, karakteri që shfaqni Ju në skenë?

POLOSKA: Të gjitha këto komponente luajnë një rol të madh në momentin kur del në skenë, normal zëri, por edhe karizma apo sharmi i një këngëtari bën publikun për vete, njëkohësisht edhe vetëbesimi, sepse gjatë performancës në skenë, publiku është audienca dhe të gjitha përgjegjësitë se si ata do të ndihen i merr përsipër këngëtari.

KOHA: Jeni këngëtare. Është ky profesioni juaj i vetëm?

POLOSKA: Po, për momentin po, besoj se edhe më tutje ku inkuadrohet përkrahja e fëmijëve, të cilët mësojnë shkollë të ulët të muzikës, tekste për këngëtar, kryesisht gjithçka që ka të bëjë direkt apo indirekt me muzikën.

KOHA: Gratë kanë qenë të detyruara që për një kohë të gjatë të luftojnë për njohjen dhe pranimin e tyre në publik dhe pranimin e të drejtave të tyre themelore, por fatkeqësisht, kjo luftë ende nuk ka përfunduar. Cilat janë përballjet e juaja për fitimin e të drejtave të femrës?

POLOSKA: Unë jam rritur në një ambient familjar ku e drejta e femrës nuk është cenuar, andaj nuk mund të flas për ndonjë përballje si në familje ashtu dhe në shoqëri.

KOHA: Edhe pse pozita e femrës është përmirësuar në shumë sfera në mënyrë globale, strukturat shoqërore dhe paragjykimet janë ato që ende po pengojnë implementimin e plotë dhe të menjëhershëm të të drejtave të grave?

POLOSKA: Mendoj që duhet të punohet edhe më shumë në sensibilizimin e femrës në pozita kyçe në shoqërinë tonë.

KOHA: Përveç këngës, keni edhe ndonjë talent që rri fshehur në skutat e shpirtit tuaj?

POLOSKA: Besoj se ka, por jam në zbulim e sipër, për shkak se kam menduar që s’kam afinitet për kuzhinë, por duke eksperimentuar po ia dal disi, duke krijuar goxha ushqime interesante, hahaa.

KOHA: Shkupi është vendlindja e juaj. Por, siç dihet këngëtari nuk ka skenë e tokë ku nuk ka shkelur. Cilët janë vendet që keni shkelur dhe cilat janë mbresat më të mëdha në skenat që keni prekur?

POLOSKA: Kam udhëtuar pothuajse në të gjithë Evropën, çdo vend ka pasur bukuritë apo veçoritë e saja. Por, skena madhështore e Eurosongut në Estoni vitin 2003, më duket se ka qenë shumë madhështore, e papërjetuar sot e kësaj dite.

KOHA: Leonora, ju jeni femër e suksesshme, por edhe bashkëshorte. Cila është familja juaj. Është ajo që ju jep dorë për të vazhduar karrierën tuaj, në muzikë?

POLOSKA: Gjithmonë, sikur kur isha vajzë në shtëpi të prindërve, e njëjta dhe tani me Andin, kam përkrahjen e tij maksimale, bile bile ai është shumë më ambicioz se unë dhe më shtyn te eci më shumë se vetja (buzëqesh) Andaj, e ndjej veten me shumë fat që kam pranë një partneri të tillë.

KOHA: Pra, cilat janë planet e juaja për të ardhmen. Dhe çfarë angazhimesh keni?

POLOSKA: Planet nuk i di, nuk humbi kohë duke u fokusuar në të ardhmen, por gjithsesi që dëshiroj të jem produktive në atë plan, por më tepër përcaktohem në të tashmen dhe çka të më bie në mend e realizoj.

KOHA: Në familjen tuaj më të gjerë muzika ka qenë prezent shumë më herët. Nga ana e babait, jeni kushërire me Valentina Saraçinit, dikur një këngëtare shumë aktive, por edhe me Bukurie Taipin, një këngëtare me një zë të mrekullueshëm, e cila me motrat e saja, Suzanën dhe Oliverën, në vitet 80-ta i “qanin” këngët, thënë kushtimisht, toske…Na tregoni diç më shumë për traditën e muzikës në familjen Tuaj?

POLOSKA: Është e vërtet që disa persona, sidomos femra, nga ana babai janë marrë me muzikë profesionalisht një kohë të caktuar të jetës së tyre dhe kjo traditë vazhdon të përcillet edhe nga gjenerata tjera.

KOHA: Dhe për fund, shumë femra nuk e bartin mbiemrin e origjinës së vet. Te burri shqiptar ky fenomen nuk përkrahet edhe aq. Por, është emri që e bën të njohur në publik, prandaj nuk ndryshohet nëse ke bërë karrierë. Ju keni mbiemër disi të veçantë Poloska. Cila është historia e mbiemrit të juaj?

POLOSKA: Historia është një çik dhe thuajse goxha e gjatë. Gjyshi im (nga ana babait), ka qenë nga Shqipëria me prejardhje korçare dhe në atë kohë i përndjekur nga Enver Hoxha. Një kohë si artist ka vepruar në Teatrin e Prishtinës dhe më pas kur kthehet ndërron mbiemrin, duke e marrë nga një fshat që quhet Poloskë, kështu që këtë mbiemër e kemi vetëm 10 anëtarë të familjes…

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të Ngjajshme