Ishte fat i madh të jem studente e Nina Mulës

Që në fëmijërinë time të hershme, që kur unë fillova të dëgjoj dhe imitoj këngëtarët e mëdhenj lirik të skenës operistike, zërat e tyre të bukur, interpretimin e këngëve të bukura shqiptare në mënyrën më të bukur artistike, pra me zërin e importuar, unë dëshiroja që në të ardhmen të isha një artiste, një këngëtare e asaj skene që ne vetëm i shikonim dhe i dëgjonim nëpërmjet televizionit dhe radios...

251

Delvina KËRLUKU

Dëshira Ahmeti Kërliu u lindi në Dibër. Ka përfunduar Akademinë e Arteve në Tiranë, në vitin 1998, në klasën e profesoreshës Nina Mula. Pas studimeve bëhet shqiptarja e parë që punon në Teatrin e Operës të Maqedonisë, si soliste e roleve kryesore, që synon zhvillimin e kulturës së shqiptareve në vend me interpretimin e veprave të autorëve shqiptar. Karriera e saj thyen kufijtë dhe depërton me një mori koncertesh në Evropë, SHBA, etj. Në Nju Jork do të forcojë vokalin e saj, duke ndjekur klasa në audicione të ndryshme dhe duke bashkëpunuar dhe realizuar koncerte me emra të njohur të skenës botërore. Ajo ka interpretuar në skena prestigjioze, që nga Manhatani deri në Evropë, duke mos përjashtuar edhe ngjarjet e mëdha të Atdheut të saj, si në Tiranë për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup, në bashkëpunim me divën botërore të muzikës klasike, Inva Mula. Ajo është e martuar me këngëtarin e njohur Arjan Kërliu. Ata t kanë një vajzë të pagëzuar Dea. Dëshira sot është dyzet vjeçare dhe njihet për zërin e saj të veçantë në muzikën klasike.

KOHA: Zonja Dëshira, keni kryer Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e pedagoges së njohur, Nina Mula. Edukimi superior dhe karriera e saj artistike, a mos ishin motivi kryesor që Ju të përcaktoheni për këtë pedagoge? AHMETI KËRLIU: Që në fëmijërinë time të hershme, që kur unë fillova të dëgjoj dhe imitoj këngëtarët e mëdhenj lirik të skenës operistike, zërat e tyre të bukur, interpretimin e këngëve të bukura shqiptare në mënyrën më të bukur artistike, pra me zërin e importuar, unë dëshiroja që në të ardhmen të isha një artiste, një këngëtare e asaj skene që ne vetëm i shikonim dhe i dëgjonim nëpërmjet televizionit dhe radios. Ky udhëtim më përcolli në ëndrrën, duke u bërë realitet një ditë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe pikërisht në klasën e artistes së madhe, Nina Mula, e cila artiste kishte nxjerrë gjenerata, të rinj artistë në skenën e Teatrit të Operës, jo vetëm në atë të Tiranës, por dhe në skenat e mëdha botërore. Ishte fat i madh për mua të jem studente e Nina Mulës, edhe për t’i përngjasuar në punën e saj, në vlerat e saj dhe gjithçka që kishte ajo, na dhuronte nga pasioni që kishte për artin dhe dëshira që studentët e saj të ishin në skenën artistike të vërtet dhe me vlerë.

KOHA: E filluat karrierën fillimisht në skenën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë në Shkup, duke realizuar edhe role kryesore. Realizuat një mori koncertesh në Evropë, qoftë si soliste, qoftë me tërë ansamblin e TOBM. Ndërkohën, zëri Juaj po dëgjohet edhe përtej Atlantikut, në Nju Jork. Mos u bë e vegël skena e Shkupit dhe e Maqedonisë për Dëshirën, apo Dëshira dëshiron të ngjitet në skenën e Metropolitanit?

AHMETI KËRLIU: Pas studimeve u punësova në Teatrin e Operës së Maqedonisë. Kam realizuar një numër të madh të roleve në atë skenë dhe vazhdoj të jem pjesë e asaj shtëpie. Gjatë sezonit të ardhshëm do jem në skenën e Shkupit me disa shfaqje tjera, të cilat i kam përgatitur gjatë këtyre viteve në ShBA me profesoreshën amerikane për të sjellë një risi në skenën e Shkupit. Ajo skenë do mbetet gjithmonë për mua më e dashur dhe më kritikja për paraqitjen time me rolet që do t’i interpretoj. Është e vërtetë që artistet janë gjithmonë në kërkim të së bukurës dhe në kërkim të avancimit dhe specializimit të profesionit të tyre, duke kërkuar të ballafaqohen me skenat më të mëdha botërore jo nga përmasa, por nga konkurrenca dhe kritika që mund të vlerësohen dhe sigurisht arti do shumë punë, shumë sakrifica dhe vullnet për të arritur sa me lartë, qoftë dhe dëshira për të kënduar në kryeqytetin e botës dhe në skenën më gjigande, asaj Metropolitane…

KOHA: Si e ndjeni këtë dyzim skenash? Është përgjegjësi që shkakton kënaqësi. Apo nevojë për t’u realizuar si artiste?

AHMETI KËRLIU: Të gjitha bashkë, kënaqësia, përvoja dhe detyra e artistit që ka vizion për punën e tij si artist dhe si përfaqësues i kombit të tij, ka një bagazh akoma më të madh kudo që ai prezantohet.

KOHA: Keni interpretuar shumë role personazhesh shqiptare dhe të huaja. Cilin rol do ta konsideronit sikur të ishte shkruar pikërisht për Ju?

AHMETI KËRLIU: Të interpretosh rolet kryesore të autorëve të mëdhenj botëror është një pasion i madh për mua. E ndjej çdo rol që më besohet, është një dashuri ndaj çdo drame që është kompozuar për operë, këndimin dhe çdo note që është shkruar për vokal, për soprano, pra është një mrekulli. Nga rolet që kam interpretuar deri tani e kam të vështirë të veçoj, se cili është më i veçantë për mua. Operat e Puccinit, si: “La Bohem”, “Toska”, “Madama Butterfy”, “Turandot” e kështu me radhë, do t’i veçoja mbase si më të dashura, por është e vështirë të dallohet dhe nga kompozitorë të tjerë që kanë shkruar si Verdi, Moxart e të tjerë. Më shumë dashuri kam interpretuar në rolin e Donikës tek Opera Skenderbeu të Prenk Jakovës.

KOHA: Jeni dëshmitare e realitetit artistik (muzikor) shqiptar. Çfarë mendoni për të?

AHMETI KËRLIU: Nëse e keni fjalën për artistët e mirëfilltë shqiptare do përgjigjesha me shumë krenari që këtë realitet që po e ndjekim dita ditës nga artistët shqiptarë kudo që ata janë dhe veprojnë, është për t’u krenuar me të vërtet, janë ambasadorët më të mëdhenj të popullit tonë, me vlerat e tyre dhe punën e pa lodhshme nga kolegë të mi, si këngëtarë ashtu dhe instrumentistë. Për muzikën e lehtë apo atë zbavitëse, siç e quajnë nga anët tona, nuk dua shumë të diskutoj, nuk kam koment që mund ta përshkruaj nga ajo që kanë devijuar shumë këngëtarë me këngët e tyre të përkthyera nga muzika e huaj arabe, turke, etj, por me shpresë që ajo të jetë sa më shpejt kalimtare, pra unë këtu përfshij muzikën kyç, shund që na mbulon, ndërsa këngëtaret shqiptare që i ndjekim nëpër festivalet e radio televizionit shqiptar, në show të programeve të ndryshme janë për t’u admiruar, punojnë shumë, janë talente të rrallë që pëlqehen nga rinia shqiptare dhe më gjerë, mbase. Mendoj se mediumet duhet të bëjnë një kujdes me të veçantë në prezantimin e vlerave dhe t’ju dhurohet shikuesve sa më shumë art dhe muzikë të bukur, ajo do na çonte më përpara si shoqëri dhe për gjeneratat e reja do jetë një ndihmë e madhe në edukimin e tyre.

KOHA: Sa e lehtë apo e vështirë është të bësh art sot?

AHMETI KËRLIU: Të bësh art nuk është e lehtë aspak. Arti i vërtetë për ta prezantuar në skenë kërkon shumë punë. Konkurrenca se vjen dhe rritet edhe më shumë në botë, sepse gjithçka sot është sipërfaqësore, është më e dukshme se kurrë më parë, gjithçka regjistrohet më shpejt dhe vjen si lajm më shpejt, pra bota ka ecur shumë përpara teknikisht dhe kjo i ndihmon artistëve më shumë për prezantimin e tyre, por dhe konkurrenca rritet dhe duhet të jesh sa më kualitativ që të mund të arrish majat. Të krijosh dhe të merresh me art, të jesh një artist i mirëfilltë nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, talenti duhet me shumë punë të mirëmbahet dhe të ecën përpara, por do thosha që çdo kohë e ka vështirësinë e saj dhe të mirat e saj, artisti duhet të jetë i pamposhtur, nuk duhet të dorëzohet kurrë nga dashuria për artin.

KOHA: Keni kënduar në shumë skena të botës. Publikun e cilit shtet e keni më për zemre?

AHMETI KËRLIU: Gjithmonë e veçoj publikun tim shqiptar, kudo që të prezantohem. Atë e ndjej dhe kam më shumë përgjegjësi për të.

KOHA: A pretendoni të jeni anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës. Çfarë do të thotë për ju ky fakt?

AHMETI KËRLIU: Me thënë të drejtën akoma nuk e kam menduar për të qenë pjesë e saj, unë bëj punën time si individ akoma, si Dëshira, me forcën time mundohem të jem në nivel të profesionit tim, nëse në të ardhmen në jetë më mundësohet një shans i tillë, nuk do ta refuzoja, kuptohet. Deri më tani ballafaqohem me sfidat të cilat çdo artist i kalon kur del jashtë atdheut të tij. Është një punë e madhe të jesh pjesë e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës. Ajo do të thotë shumë për një artist, kuptohet kur ai më i ka arritur majat e skenës në botë dhe është dhe një anëtar i kësaj Akademie.

 KOHA: Gjithnjë e më tepër shtohet lista e shqiptarëve të famshëm. Si shkrimtarë, shkencëtarë, mjekë, inxhinierë dhe sportistë me famë. Shumë vende investojnë te artistët e vyer. A mendoni se po bëhet mjaftueshëm që kjo masë personash me emër dhe influencë, të ndikojë për përmirësimin e imazhit të vendit tonë në botë? Nëse jo, çfarë duhet bërë sipas jush?

AHMETI KËRLIU: Mendoj se e kemi të qartë të gjithë që ndjekin sukseset e artistëve dhe sportistëve nëpër botë që mbështetja shtetërore është shumë e vogël në krahasim me atë që bën bota për artistët e vet, e sidomos kur ata kanë krijuar një emër me forcat e tyre. Investimi shtetëror është një ndihmë e madhe dhe lehtësim për çdo artist dhe sportist, por shtetet tona janë shumë më të varfra në atë aspekt, ata më pak ndajnë nga buxheti i tyre për këto lëmi. Pra, problemin mund ta kuptojë çdo kush se është shumë i qartë dhe dëshira e pushtetarëve për t’i ndihmuar ata është një shumë shumë e vogël. Sigurisht që imazhi i vendit tonë prezantohet nëpër botë nga arti dhe kultura që përcjellin artistët dhe sportistët, por ne na duhet një kulturë e brendshme mes veti që të duam pak më shumë kombin dhe vendin tone, nga ana e politik-bërësve.

KOHA: Çfarë sakrificash duhet të bëjë sot një artist i operës, në krahasim me atë të shekullit nëntëmbëdhjetë?

AHMETI KËRLIU: Ashtu siç e përmenda më lartë, çdo periudhë që kalojmë, çdo shekull ka vështirësitë e saj, nuk mund të themi se ne tani nuk kemi vështirësi në këtë shekull që po jetojmë, por është fakt që tani e kanë më të lehtë për të arritur deri tek lajmi, për një konkurs, një agjendë apo audicione të ndryshme që ka nëpër botë, por dëshira për t’u bërë artist i vërtet është më e vështirë në këtë kohë, mbase.

KOHA: Keni bashkëpunuar me dirigjentë, këngëtarë të zhanreve të ndryshme të muzikës, të botës shqiptare dhe të huaj. Cili është kujtimi që nuk venitet te Ju?

AHMETI KËRLIU: Kam kujtime shumë të bukura nga bashkëpunimet me kolegë dhe dirigjentë gjatë këtyre viteve. Ajo që do mbetet më mbresëlënëse dhe kujtim më i bukur në karrierën time do jetë koncerti që realizuam në Nju Jork për herë të parë me të madhen artisten tonë, divën Inva Mula. Ne kemi pasur bashkëpunim dhe gjatë koncertit që e realizuam në Shkup me sopranon Inva Mula, e cila ju dhuroi shqiptarëve të Maqedonisë atë koncert me prezantimin e albumit të saj “Për Ty Atdhe”, për 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, por ajo që ndodhi në qendrën e botës, në Metropolin më të madh, ishte një spektakël i vërtetë, një koncert historik për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në SHBA, por dhe për publikun amerikan që ishte në sallë dhe na dëgjoi të gjithë artistët pjesëmarrës në krah të Inva Mulës. Më e bukura e kësaj mbrëmje që mbetet mbresëlënëse është emocioni, i cili përcillej te publiku me këngët e bukura shqiptare, që i këndohej atdheut ku me lot në sy na duartrokitnin dhe dëgjonin artistët. Ishte një mbrëmje e paharrueshme që gjatë do mbetet në kujtesën e të gjithëve që ishin në sallë atë natë të paharruar.

KOHA: Fëmijëria me shoqet e shokët është kujtim i përjetshëm, e papërsëritshme dhe e paharruar. Sa shpesh ktheheni në lagjen e vjetër dhe te shoqëria juaj për t’u çmall?

AHMETI KËRLIU: Fëmijëria, shoqëria, lagja ku kam jetuar, qyteti im, të gjitha janë frymëzim për punën time dhe jetën që e jetojmë në çdo ditë. Kur kthej kokën dhe kujtoj mbushem me shumë emocion e mall. Kur jam në vendlindje frymëzohem dhe kur takoj shoqërinë e vjetër, e cila mbetet gjatë gjithë jetës më e bukura dhe më e shëndosha si shoqëri, kam shumë mall, kur i takoj dua të jem sa më gjatë dhe të rikujtojmë kohërat e rinisë dhe të shkollës që ishim bashkë. Shpirtërisht jam shumë e lidhur me qytetin tim të bukur, Dibrën.

KOHA: Kritikët dhe dashamirët e operës ju vlerësojmë jo vetëm për talentin, por edhe për paraqitjen Tuaj skenike. Edhe për lukun, pse jo. Sa kujdeseni për veten?

AHMETI KËRLIU: Mundohem që t’i kushtoj sa më shumë kujdes prezantimit në skenë. Natyra ime është e tillë, sepse dëshiroj të bukurën ta përcjelli nëpërmjet artit, pra të dyja bashkë janë një kombinim që skena e kërkon për të qenë e kompletuar.

KOHA: Përveç muzikës, cilin art tjetër e keni për qejfi?

AHMETI KËRLIU: E pëlqej shumë baletin, më relakson, shpesh shkoj në Teatër për të ndjek ndonjë shfaqje baleti, e kam pëlqyer që në fëmijëri.

KOHA: Dëshira do ketë edhe ndonjë hobi?

AHMETI KËRLIU: Natyra, ecja në natyrë, është hobi im, të shëtitem në park rreth detit. Viteve të fundit e kam praktikuar në ishullin ku unë jetova, në Staten Island në SHBA. Meqenëse jam rritur në qytet me natyrë të bukur, ajo më tërheq më së shumti.

KOHA: Femrat kanë edhe obsesion që s’e fshehin dot: të bëhen nëna. Sa u përmbush engjëllorja Juaj?

AHMETI KËRLIU: Të jesh në këtë botë Nënë është një përgjegjësi e madhe për krijesën që sjell në jetë, por kur ajo është një fëmijë i shëndoshë dhe i edukuar në mënyrën më të mirë, të përmbush në çdo aspekt. Unë jam e lumtur që Zoti më fali një vajzë në jetë. Ajo ma zbukuron çdo ditë e me shume jetën time.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të Ngjajshme