Tiranë, 8 janar – Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve në Shqipëri kanë shënuar viktimën e parë. Bëhet fjalë për një të pastrehë që është gjetur i vdekur ditën e sotme në qytetin e Durrësit. Policia pas veprimeve të para e ka identifikuar të ndjerin si shtetasin Arben Sulo, 38 vjeç. Në këto ditë të ftohta, në qytetin e Durrësit nuk është ngritur ende ndonjë strehë e përkohshme për të pastrehët, ndërsa në ambientet e Drejtorisë lokale të Policisë bëhet e ditur se atje janë sistemuar 4 persona deri në një zgjidhje tjetër. Ndërkohë policia njofton se vetëm mbrëmjen e së premtes shoqëroi 19 persona që u gjetën duke fjetur jashtë. Ata u dërguan në spital, ose u mbajtën nëpër komisariate për t’i shpëtuar nga temperaturat e ulëta.