Shkup, 20 korrik – Skuadra e Shkëndijës e gatshme e pret ndeshjen e kthimit ndaj Helsinkit me synimin për tu kualifikuar. Fitorja në ndeshjen e parë në Strumicë prej 3:1, ka shtuar entuziazmin tek lojtarët gjë që ishte vërejtur edhe në seancat stërvitore. Ferhan Hasani, kapiteni i kuqezinjve është një nga ata futbollistë që duhet të organizojë lojën si në ndeshjen e parë, kur bashkë me Besart Ibraimin por edhe të tjerët, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përmbysjen e rezultatit nga 0-1 në 3:1.
“Buba” ka bindjen se skuadra është gati për të përsëritur paraqitjen e sfidës së parë. “Kemi ardhur këtu për të kërkuar kualifikimin në raundin tjetër. Kemi respekt maksimal për HJK Helsinkin, pasi përkundër fitores tonë ata edhe në ndeshjen e parë treguan se kanë cilësi dhe mund të na shkaktojnë probleme nëse u lejojmë hapësirë. Prandaj do të luajmë me shumë kujdes dhe koncentrim, është e qartë se kemi përparësi nga ndeshja e parë, por kjo është përballje e re dhe ne do të hyjmë për të rrëmbyer rezultatin që do të na dërgojë më tej. Kjo nuk donë të thotë se do të mbrohemi, por jemi këtu për të luajtur lojën tonë e cila shpresoj të na sjell rezultatin e dëshiruar”, deklaroi për gazetën KOHA, Ferhan Hasani.
Ndërkohë, takimi kthyes Helsinki – Shkëndija luhet në “Sonera Stadium” me fillim në ora 18.00. (B.K.)