Nga Bill EMMOTT
Po jetojmë në një epokë politikisht të trazuar. Partitë me jetëgjatësi mezi njëvjeçare kohë më parë kanë ardhur në pushtet në Francë dhe në rajonin masiv metropolitan të Tokios. Një parti që ekziston tash e pesë vjet po prin në anketat e opinionit publik në Itali. Një fillestar politik është vendosur në Shtëpinë e Bardhë për t’i shkaktuar goxha siklet establishmentit të republikanëve dhe demokratëve. Prandaj, cila tokë politike do të dridhet më pas? Përgjigjja mund të jetë – në të vërtetë duhet të jetë – në Britaninë e Madhe. Edhe pse Britania përballet me tensione shkaku i “Brexitit”, askush nuk e po e thotë as edhe një fjalë për ribërjen – pak a shumë zëvendësimin – e partive të përforcuara politike. Shumica mohojnë se madje mund ta marrin parasysh një gjë të tillë. Ish-kryeministri Tony Blair – një novator centrist proevropian, i cili i fitoi tri palë zgjedhje të përgjithshme me Partinë e tij Laburiste në të ‘90-at – u përqendrua goxha shumë në një artikull të fundit në të deklaruarit se “nuk është duke e rekomanduar një parti të re”.
Mirëpo Blair, apo dikush si puna e tij, do të duhej ta bënin pikërisht këtë. Mbi të gjitha, derisa sistemi politik britanik vë barriera të pakapërcyeshme në shtegun e krijimit të çfarëdo partie të re, shanset për sukses tani janë shumë më të mëdha sesa kurdoherë tjetër gjatë 40 vjetëve të fundit. Në një sistem politik që ende i ndien dridhjet e dy tërmeteve të fuqishme – të referendumit të qershorit të shkuar për “Brexit” dhe, një vit më vonë, disfatën turpëruese zgjedhore të Partisë Konservatore – ekzistojnë mundësi të hapura për të porsaardhurit. Konservatorët tanimë janë të ngujuar në një betejë të brendshme, të cilën vetëm mund të mundohen ta fshehin. Edhe në partinë laburiste po ashtu po shpërthejnë rebelimet. Tani është momenti i duhur për një parti të re, të stiluar sipas “La Republique En Marche” të presidentit francez Emmanuel Macron, e cila mund të kapitalizojë nga dasitë, rrëmuja dhe mosbesimi në rritje ndaj partive të establishmentit. Tani është momenti i duhur për një burrë fotogjenik apo grua të re britanike që do të ecnin gjurmëve të 39-vjeçarit Macron, me të bërë histori me anë të distancimit prej gardës së vjetër. Natyrisht, ashtu siç edhe sugjeroi Blairi, sistemi paszgjedhor i Britanisë, i bazuar në kushtetutshmërinë njëanëtarëshe, nënkupton avantazhe marramendëse për partitë e përforcuara politike. Një parti e re mund fare lehtë të përballet me një realitet kur – pas shpenzimit të shumave të majme parash dhe energjie të madhe – votuesit e saj del të jenë të përhapur në një gamë shumë të ngushtë përreth vendit, aq sa do të mjaftonte për të siguruar vetëm një grusht vendesh në Parlament.
Kështu ka ndodhur të fundit herë kur një parti e re centriste hyri në garë. Në fillim të të ‘80-ave, katër anëtarë të dalë nga Partia Laburiste, të alarmuar nga kthimi në të djathtë i partisë dhe qëndrimi anti-BE, e krijuan Partinë Socialdemokrate. Duke kapitalizuar nga jopopullariteti i kryeministres Margaret Thatcher, shkaku i politikave të mëhershme ekonomike, SDP-ja e re – një aleancë me partinë e vogël liberale – fitoi 25 për qind të votave në zgjedhjet kombëtare të 1983-s. Por përfunduan me mezi 23 vende në Parlament. Që prej këndej e tutje e gjitha e mori tatëpjetën.
Kujtimi për këtë iniciativë përbën dekurajim për inovacionin politik sot. Njerëzit në radhët e laburistëve, të cilët ushqejnë dyshime të thella për qëndrimet djathtiste ekonomike dhe politikat e jashtme të liderit të tyre populist, Jeremy Corbyn, akoma mendojnë se strategjia më e ndjeshme është ajo e të qenit të duruar dhe, kur të vijë mundësia më e përshtatshme, ta rimarrin partinë e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për konservatorët që mendojnë se Brexiti po e çon vendin drejt katastrofës. Mirëpo historia e SDP-së mund dhe duhet të lexohet ndryshe. Në një pikë, më 1982, partia e gëzonte mbështetjen e më shumë se 50 për qind të votuesve pjesëmarrës në anketa. Shumë figura të larta konservatorë po thoshin privatisht, atëbotë, se mendojnë që SDP-ja do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme me shumicë votash. Pastaj ndodhi lufta e Falklandit, e cila prodhoi një fitore të madhe për Thatcherin. Pra, ishin konservatorët ata që përfunduan fitues të zgjedhjeve të 1983-s me shumicë bindëse – rezultat ky që e zmbrapsi rrugën e gjatë të laburistëve akoma të panjohur drejt qendrës politike.
Sot kurrfarë fitoreje e madhe nuk duhet të jetë e sigurt për laburistët apo konservatorët. Për më tepër, zgjedhjet e fundit – në të cilat epërsia prej 20 pikësh e konservatorëve duket të jetë tretur brenda natës, pasi votuesit, veçanërisht ata të rinj, e kanalizuan mbështetjen e tyre nga laburistët – sugjerojnë se votuesit britanikë janë të prirë ta rrëmbejnë momentin. Zgjedhjet e fundit ofrojnë një tjetër leksion të rëndësishëm: Evropa dhe Brexiti nuk janë çështje për të cilën votuesit britanikë shqetësohen më së shumti sot. Laburistët e Corbynit e kanë po të njëjtën politikë për Brexitin sikurse konservatorët e Mayit. Por, për çështjet si vendet e punës, spitalet, shkollat dhe mirëqenia, afrimi i tyre dallon dukshëm. Për t’i mposhtur partitë e përforcuara, një lëvizje e re politike duhet të krijohet, në rend të parë, për t’i ringjallur shërbimet publike, rimëkëmbur ekonomikisht dhe rikthyer besimin. Një marrëdhënie e fortë me BE-në duhet ngritur si një mënyrë për t’i çuar përpara këto synime e jo të jetë synimi vetë. Brenda disa muajve të ardhshëm mundësia për ta krijuar një lëvizje të tillë mund të shfaqet. Kjo gjë varet, në rend të parë, nga ajo nëse ambiciet dhe ndasitë e lidershipit rreth Brexitit e konsumojnë partinë konservatore dhe, së dyti, nëse përshkallëzon rebelimi i kohëmëparshëm i më se 50 anëtarëve të lartë të Partisë Laburiste ndaj politikës së Corbynit për Brexitin. Të gjithë ata që e shqyrtojnë një mundësi të tillë duhet ta rikujtojnë Falklandin apo të pyeten se çfarë do të bëhej me SDP-në sikur Argjentina të mos zaptohej. Përveç kësaj, ata duhet ta kujtojnë moton e forcave speciale britanike: “Kush guxon, fiton”.