Qerim LITA
(vijon nga dje)
Përmes tyre më japin sinjale pranuese me përmbajtjen “Po, është i pranuar”, “Komiteti pajtohet njëzëri” e ngjashëm për të cilat sinjale duhej nënkuptuar se jam pranuar në ato organizata, se jam pranuar në anëtarësinë e tyre për çka më kërkohej betimi i lojalitetit për luftën kundër një farë socializimit të rrejshëm të Titos, i cili nëse deri në vitin 1960 nuk rrënohet përmes infiltrimit të anëtarëve në pozita drejtuese, atëherë do të rrënohet përmes revolucionit të përgjithshëm. Nëse nuk e nënshkruaj betimin, do të më rrezikohet familja jashtë. Disa organizata gjoja se kanë strehimoret e tyre ku fshihen të rrezikuarit e të kërkuarit nga policia. Në disa janë anëtarësuar edhe disa anëtarë të Sigurimit Shtetëror, me emra Shilo e Bradonja. Organizatat kanë njerëzit e tyre në mesin e nëpunësve të burgut e çfarë jo tjetër.
CINIZMI DHE E DREJTA E KOMBIT
Disa ditë para gjykimit u paraqita në raport dhe kërkova ta mbajë premtimin e të ma jep ditarin. U qesh në mënyrë cinike dhe tha se jam i ngulfatur në ujë dhe se për të shpëtuar kapem për fije kashte dhe se ai ma tregon fijen, por nuk dëshiron të ma jep. Nëse rastësisht e gjej për materialet hetimore, ai thjeshtë do të thotë se gënjej, se ato ndoshta janë djegur gjatë transferimit të Sigurimit Shtetëror nga ndërtesa në ndërtesë. Për mua gjithçka është e kotë, aktvendimi është përgatitur paraprakisht dhe se procesi përbën një formalitet i përgjithshëm. Ne nga policia ndihmohemi dhe kur dikë e marrim në sy, atëherë ai ka përfunduar. Prokurori është referenti ynë i dirigjuar për një gjykim të tillë dhe në radhë të parë merr urdhër nga ne. Ti je shqiptar e intelektual, unë të kam thënë se ke të zgjedhësh midis dy rrugëve: “Të punosh për ne ose robëri”. Ndryshe, nuk mundet me Ju. Ju nuk e adhuroni këtë vend. Shpif se kam marrë arin Tuaj, ndoshta mendon se me atë ari, i kam rregulluar dhëmbët. Ky ar më është dhënë nga shteti nga 17 dinarë për gram, të jesh i sigurt se nuk do të hapi, nuk e kam hapur as Zyrapin. E di mirë se je i pafajshëm, por e kam patjetër të ta vesh uniformën e robërisë. Unë i deklaroj se do të ankohem nga të gjitha anët, madje nëse ka nevojë edhe deri te Kombet e Bashkuara. Ai më thotë se askush nuk të mbron. Mund të të më jepte një top letër, por kot e kam. Gjatë përfundimit të pranimit, megjithatë shprehi keqardhje e tha, varet nga qëndrimi i yt, por mos u brengos sepse askush nuk ka ngelur përgjithmonë në burg.
PËRGATITJET PËR GJYKIM
Gjykimi im njëherë qe caktuar për 5 mars 1959, por nuk e di përse i njëjti u shty për 17 mars 1959. Pasi shkrimi i gazetave nxiti efektin e kundërt nga ajo që dëshironin, lajmërohen në mënyrë masive dëshmitarë të cilët kanë qenë prezent në krimin e inskenuar për gjoja partizanin e plagosur. Shoku Dimko e miqtë e tij nga Sekretariati për Punë të Brendshme ndërmarrin masa urgjente përmes presioneve kolektive e individuale te dëshmitarët, për ta penguar dëshminë e pafajësisë sime. Në prag të gjykimit, nën pretekst se cenohet siguria e dëshmitarëve të implikuar, burgosen dëshmitarët e mbrojtjes: Kurtish Ramizi, Ibrahim Sherifi dhe Mamer Bafqari. Dy dënohen me nga pesë muaj heqje lirie për gjoja rrezikimin e sigurisë, ndërse njëri kotë së koti u dënua me 45 ditë heqje lirie. Të gjithë u dhanë në duart e drejtorit Dimko që ose t’i përvetësojë, ose t’i bëjë të humbur, ose t’i zbusë. Unë jam avokat fillestar. Por, jam i njoftuarur me statistikën e gjyqeve të Shkupit dhe nuk mbahet mend se dikush, nga ardhja në fuqi të Ligjit Penal nga viti 1951, të jetë dënuar për vepër: rrezikim të sigurisë, sipas nenit 153 me një dënim aq të lartë. Pas gjykimit të fshehtë, asnjëri nga dëshmitarët në kundërshtim me dispozitat e nenit 400 nga LPP-ë, nuk lirohet të mbrohet në liri. Madje, as ai i cili qe dënuar me 45 ditë heqje lirie. Nuk lirohen të mbrohen në liri as pas përfundimit të gjykimit tim, pa ndërprerë mbahen nëpër qeli. Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm se frikësim i njerëzve për të mos dëshmuar. Kjo është Jugosllavia e pandershme. Dëshmi: lënda e marr nga të dënuarit nga Gjyqi i Qarkut Shkupi II. Që t’u dëshmohet shqiptarëve tjerë se ai i cili gjoja me autorizim të pushtetit pranon të implikohet e dikë ta shpifë rrejshëm, armatoset me revole njëri prej katër dëshmitarëve kryesorë të implikuar. I njëjti e mban në mënyrë publike dhe ia tregon secilit. Me një pompozitet të jashtëzakonshëm, Sekretariati për Punë të Brendshme për rrethin e Shkupit, i fton tre vëllezërit e mi dhe “u thuhet në mënyrë autoritative” të kujdesen mirë, sepse gjoja paskan të dhëna të sigurta se përgatisin ndonjë budallaki, edhe pse të gjithëve u ishte e qartë se ata ishin të qetë dhe qytetarë të ndershëm. Urdhërohet shitësi i Kooperativës eksport import Lubin, në pjesën nga ku janë dëshmitarë, që në popull të përhapë lajmin se pas gjykimit do të më helmojnë në burg.
GJYKIMI
Procesin e udhëhoqi gjyqtari i Gjyqit të Qarkut në Shkup me emrin Spiro Janev, në bashkëveprim me gjyqtarin Todor Anastasov. Që të dy më janë të njohur si njerëz të ndershëm, ndërsa porotët nuk i njoh, përveç njërit, anshmëria e të cilit ishte më shumë se e qartë, kurse për dy të tjerët nuk mund të deklarohem. Procesi si zakonisht filloi me leximin e aktakuzës dhe parashtrimi i pyetjeve për mua. Pas mbarimit të pyetjeve, në përputhje me dispozitat e nenit 298, paragrafi 4 nga LPP, kërkova të deklarohem për secilën pikë të aktakuzës e ta paraqes mbrojtjen time. Nga ana e kryesuesit m’u tha se jam pyetur konkretisht në mënyrë të detajuar, ndërsa për çështjet tjera mund të shprehem në fjalën përfundimtare. Në gjykimin tim paragrafi 4 i nenit 299 nga LPP-ë se gjyqi është i obliguar ta pyes të akuzuarin se a ka edhe diçka të shtoj në mbrojtjen e tij, kjo për rastin tim nuk vlente. Jo vetëm që për këtë nuk jam pyetur, porse më është mohuar e drejta të flas edhe pse për këtë insistova, duke deklaruar se kam shumë për të folur. Përkundër kësaj, gjatë procesit, nën motivacionin se nuk kanë lidhje me aktakuzën, me të gjitha mjetet përpiqej të mos vihej në shprehje e të shkruhen në procesverbalin e gjykimit çështjet të cilat në mënyrë të pakontestueshme zbulonin intrigat private dhe nxitjen e dëshmive të rrejshme të dëshmitarëve, duke e keqpërdorur pozitën zyrtare, megjithatë edhe ato shënime të vogla e minimale nga deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar drejtpërsëdrejti, nga gjyqi u konstatua se është kryer nxitja qoftë masive apo individuale të dëshmitarëve për dëshmi të rrejshme kundër meje. Kështu nga deklarata e dëshmitarëve Afet Mallzami, Veli Alit Shabedini, Aziz Tahiri, Muzafer Imeri, Mehmed Mustafa, Adem Haruni, Kurtish Ramizi e tjerë, u konstatua se disave u është sugjerua se unë gjoja në cilësinë e denoncuesit e tradhtarit, i kam lajmëruar te organet e tanishme të pushtetit popullor dhe prandaj më herët kanë qenë të dënuar. Rasti me deklaratën e Afet Mallzamit e Aziz Tahir Azizit, të dy janë nxitur me paragjykimin se unë gjoja ua kam burgosur familjarët e shqiptarë tjerë. Drejtori Dimko, në cilësinë e nëpunësit të UDB-së në mënyrë të hapur u ka thënë se janë të obliguar t’u përmbahen porosive të tij për dëshmi të rrejshme, se unë kam burgosur shqiptarë tjerë, prandaj me çdo kusht duhet të më dënojnë, rasti i dëshmitarit Shaban Mustafa Jahja (të cilit i është urdhëruar t’i kundërvihet dëshmive të dëshmitarëve Abaz Ramadan Rustemi dhe Fetah Felekut), të katërve janë përvetësuar në mënyrë të hapur në emër të pushtetit e shoqërisë së organizuar për të shpifur – rasti i dëshmitarit Ahmed Mustafa, sekretar i organizatës partiake bazë, të pestëve u është thënë se gjykohem për dëshirën e drejtorit Dimko – rasti i dëshmitarit Muzafer Imeri, të gjashtëve u është treguar plani i shpifjes që kur kam qenë ende nën hetime – rasti i dëshmitarit Kurtish Ramizi, të cilin madje drejtori Dimko e ka urdhëruar ta tërheqë dëgjimin e dhënë te gjyqtari hetues, sepse unë jam tradhtar që kam bashkëpunuar me ndonjë Shefik Boshnjakun dhe Cvetkoviqin. Gjyqi këtë nuk deshi ta fus në procesverbal, përveçse një deklaratë, e njëjtë ekziston te shoku Rankoviq dhe Këshilli Ekzekutiv i Republikës Popullore të Maqedonisë.
Nga ana e gjyqit m’u mor e drejta që ma ofrojnë nenet 71 e 72 nga LPP-ë, të bëjë inspektimin në lëndën penale, edhe pse këtë e kam kërkuar para gjykimit që nga 20 dhjetori 1958 dhe pas gjykimit më 21 prill 1959, për çka nuk jam në gjendje të jap një analizë të plotë dhe vlerësim të materialit të tërësishëm. Vlen të përmendet se organet hetuese e kanë falsifikuar kopjen e shkruar të dëgjimit të dëshmitarit Shaban Mustafa dhe se ky falsifikim është pjesë përbërëse të lëndës penale. Prokuroria Publike, ose njerëzit të cilët në mënyrë joligjore kanë marrë nga dosja te gjyqtari hetues disa pjesë të materialit hetimor, i kanë fshehur deklaratat e dëshmitarëve kryesor. Këto deklarata i kam parë te gjyqtari hetues, ata janë fshehur vetëm për atë se të katërtat janë nënshkruar nga një dorë e organizatorëve të procesit. Pas falsifikimit të deklaratave, disa nga dëshmitarët kryesorë janë ftuar dhe janë kërcënuar se e kanë patjetër të dëshmojnë ashtu, sepse në të kundërtën, do të burgosen. Te gjyqtari hetues i kam parë edhe dëgjimet tjera, për mito, kushtëzime e tjerë, por ato janë fshehur. Gjyqtari hetues besoj se është njeri i ndërgjegjshëm dhe këtë do ta dëshmoj.
Gjatë kohës sa zgjati procesi, i cili u mbajt në Shkup, me automobilat e burgut hetues, shoku Dimko në proces sillte e përcillte një çetë të tërë të policëve nga Gjorçe Petrovi, që është 7 kilometra larg Shkupit. Me këtë shoku Dimko dëshironte të kryejë presion mbi dëshmitarët të cilët janë nga ai terren, nën pretekst se gjoja mund të ndodh diçka. Në ballë të policëve qëndronte komandanti i trashë, me të cilin nuk kam raporte mira, sepse kur shkon në terren i frikëson njerëzit e pafajshëm. Policët, për ta arsyetuar karburantin, pa ndonjë arsye i largojnë nga salla e gjyqit menjëherë pas dëshmisë të secilit dëshmitar, i cili nuk i është nënshtruar instruksioneve dhe ka dëshmuar në favorin tim. Në mbrojtje të dëshmitarëve e ka patjetër të intervenojë edhe kryetari i procesit gjyqësor, të urdhërojë që dëshmitari i përjashtuar sërish të kthehet në sallë, mirëpo urdhri i tij nuk zbatohet nën pretekstin se tash më dëshmitari ka shkuar. Në proces i akuzuari sillet dhe pas procesit dërgohet në përcjellje të çetës policore të ndihmësit civil të Dimkos. Nga kush më mbrojnë, nuk më është e njohur. Në këtë fshihet qëllimi që të frikësohen e t’u tërhiqet vëmendja njerëzve e të shohin se çfarë fati e pretë atë, i cili bie në duart e Dimkos së pashpirt.
Gjatë kohës së gjykimit, nuk u evidentuan pasuse të tëra të deklaratave të dëshmitarëve. Për vlerësimin tim, të njëjtat ishin më shumë në dëmin tim se sa të aktakuzës. Gjithashtu pati edhe nënçmim të dëshmitarëve të mbrojtjes, kthimin e tyre në inspektim të sërishëm me intervenimin të njërit nga porotëve, i cili ashiqare ishte i njëanshëm, por jashtë çdo dënimi ishin pyetjet ironike dhe nënçmimi ndaj dëshmitarit të mbrojtjes, Dr. Esad Mekuli, i cili si poet më i madh shqiptar në RFPJ-ë gëzon autoritet të lartë në mesin e popullsisë shqiptare në RFPJ-ë. Në fakt, Dr. Esad Mekuli, i takonte rretheve përparimtare kur shumë të tjerë e grisnin fytin duke brohoritur të rrojë Car Borisi. Kjo nuk përbën asgjë tjetër porse një paramendim të përgatitur më herët se gjoja gënjen secili që nuk shpif kundër meje. Pranë një situate të tillë, gjithçka m’u bë e qartë dhe isha i detyruar të dërgoj kërkesë deri te Gjyqi Suprem për: a) T’i merret e drejta e kompetencës së Gjyqit të Qarkut të Shkupit dhe të gjitha gjyqeve tjera kompetente në RP të Maqedonisë e kërkoj, b) Delegimin e ndonjë Gjyqi kompetent të Qarkut nga Republikat Popullore tjera në RFPJ-ë për zgjidhjen sipas lëndës, për shkak: A) Falsifikimit të dokumenteve të përmendura, procedurës hetimore joligjore, implikimin e nxitjen e dëshmitarëve gjatë hetimeve. B) Kryerjes së presionit kolektiv e individual ndaj dëshmitarëve, presioni gjatë procedurës ndaj interesimit të njerëzve me autoritet.
U përpoqa të jap arsyetimin gojor, mirëpo porotët ishin të uritur, prandaj m’u urdhërua që gjatë natës kërkesën ta formuloj me shkrim, që të më jepet një makinë shkrimi në disponim që edhe u krye. Kërkesën me arsyetimin prej 11 faqesh e përgatita gjatë natës dhe ia dorëzova gjyqit. Të nesërmit gjyqtarët aktivë, anëtarë të procesit gjyqësor, më sugjeruan ta tërheq kërkesën, sepse gjoja nuk kam të drejtë në të. Se nuk mund të kërkohet marrja e kompetencës së gjyqit. Unë ua sqarova se marrjen e kompetencës së gjyqit nuk e kërkoj për shkak përbërjes personale, por për shkak rrethanave specifike, edhe pse në nenin 321 nga LPP nuk qëndron se edhe i akuzuari ka të drejtë të kërkoj delegim, meqenëse është e lejuar në atë pjesë të LPP për dallim nga LP se paditësi dhe i padituri në nenin 135 të Ligjit janë të barazuar nën fjalën palët dhe se në nenin 34 të Ligjit nuk është e rastit që nuk është futur fjala “vetëm” e tjerë. Duke u turpëruar nga gjyqtarët aktivë – nga të cilët dikur kam përfituar dituri, u tërhoqa nga kërkesa, por jo edhe nga arsyeja dhe kërkova që arsyet e kërkesës të vlerësohen gjatë sjelljes së vendimit dhe gjyqi premtoi se këtë çështje do ta merr parasysh.
Nuk e di se nga erdhi kjo papërputhshmëri midis teorisë e praktikës, mirëpo mua në fakultet më është thënë se gjyqi nuk guxon t’i hedh poshtë provat e palëve nëse deri atëherë provat e shtruara nuk e kanë bindur në thënien e tyre. Më janë refuzuar mbi tridhjetë dëshmitarë, të cilët kanë qenë prezent gjatë pushkatimit të dy partizanëve. Mirëpo neni 303 i Ligjit për mua nuk vlente ose Dr. Vasilieviq u ka dhënë komentim të gabuar. U refuzua edhe rikonstruimi. Prita që në fjalimin përfundimtar ta them atë që në fillim nuk m’u lejua në kundërshtim me nenin 295 nga Ligji. Edhe në fjalimin përfundimtar nuk m’u dha e drejta që të mbrohem me nder nga shpifjet, sepse sërish porota e njëanshëm pati punë private dhe ishte e uritur. Të ankohem nuk kishte kuptim, sepse sërish premtuan se me vëmendje do ta shqyrtojnë kërkesën time për delegim, ndërsa ndihmësi i Dimkos i hapi veshët që mos vallë do të thosha diçka për zotërinë e tij.
AKTVENDIMI
Të nesërmit në vend se në ora 14-të (siç qe caktuar), në ora 16-të pas dite, në emër të popullit, edhe pse i pafajshëm, më dënuan me 11 vjet burg të rëndë. Unë Juve nuk do ju lodh me botëkuptimet e mia juridike për tërë këtë. Me siguri se njeriu i dërguar nga Ju do ta sheh më mirë, e sidomos ajo që u theksua deri më tash është frut i asaj që një njeri mund të dëgjojë e ta mbaj mend gjatë procesit. Nuk ma mundësojnë inspektimin e lëndëve edhe pse pranoj të paguaj punën jashtë-orarit të njeriut i cili do të ishte prezent gjatë inspektimit. Për fat, nuk më është mohuar e drejta e ankesës. Një elaborimi i tillë, i paraqitur në pika të shkurta të epilogut të luftës midis një njeriu të thjeshtë e qytetarit të fuqishëm dhe një drejtor burgu të fuqishëm e me lidhje të shumta, gjatë matjes ai doli fitues. Shpresoj se kjo nuk do të ngelë deri në fund, sepse u drejtohem Juve, por edhe të tjerëve. Unë Juve Ju lus që të urdhëroni një njeri të Juaj me përvojë për të kryer inspektimin e detajuar të çështjes, sepse është e natyrshme që Ju personalisht nuk mund të merreni me këtë rast kur Juve Ju presin punë më të rëndësishme. Nëse më detyron të vetëvritem, duke më detyruar të nënshkruaj diçka, më kërkoni te drejtori Dimko. Kjo është pjesë nga e vërteta. E vërteta e plotë është e hatashme. Me mjetet që i posedoj aq mund të bëj nga një qeli.
Me respekt
Sejdi Rauf Bajrami, Shkup, burgu hetues, qelia nr. 16, e shkruar më 21, 22 dhe 23 prill, viti 1959
(Fund)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.