Zejnulla VESELI
Shkup, 28 mars – Biznesi vuan për shkak të krizës politike, por edhe nga mungesa e dialogut social. Sindikalistët nuk mund të insistojnë në kërkesën e tyre për pagë minimale më të lartë, shkruan gazeta KOHA. Problem shtesë është se në vend ka dhe pabarazi të pagave për vende të njejta të punës. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon të bëhet strategji e përgjithshme për rritje të pagave, me kritere të qarta në pagesën e punëtorëve. “Ka pabarazi të madhe midis sektoreve, aktiviteteve dhe pagave të cilat i marrin punëtorët në sektorë dhe aktivitete të ndryshme, ndërsa bëhet fjalë për të njëjtën punë”, thotë njeriu i parë i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (FSM), Zhivko Mitrevski. Kompanitë rekomandojnë se çështja për pagën më të lartë minimale mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut cilësor social dhe jo me detyrim. Kërkohet zgjidhje e cila do të çojë në paga më të larta, por që nuk do të shkaktojë largimin e punëtorëve për shkak të rritjes të shpenzimeve të firmave. “Konsiderojë se pa konsensusin e të gjitha palëve të interesuara, nuk mund të sillet vendim i pavarur për rritjen e pagave minimale”, thotë për KOHA, kryetari i Organizatës së Punëdhënësve, Angell Dimitrov. Paga minimale në Maqedoni është 10.080 denarë, ndërsa paga mesatare sipas të dhënave të Entit shtetëror statistikor është 22.750 denarë. Këto të dhëna janë për muajin e parë të këtij viti, ndërsa nëse bëhet krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, paga mesatare neto është rritur për 2,2%. “Ideja jonë nuk është të bisedojmë vetëm për pagë minimale, por në përgjithësi të bisedojmë për pagat në Maqedoni”, thotë Mitreski. Statistika tregon se rritje më të madhe të pagave në periudhën e kaluar ka pasur në aktivitetet e punës intensive. “Arsyeja për këtë është mungesa e stafit të ri për këto aktivitete. Pagat do të rriten, sepse gjithnjë e më pak ka të rinjë të cilët duan të punojnë në aktivitetet e punës intensive. Kjo do është me rëndësi edhe për parandalimin e largimit të të rinjëve jashtë vendit”, thotë Dimitrov. Paga mesatare bruto në janar ka arritur 33.441 denarë, kurse 1% nga të punësuarit në Maqedoni nuk kanë pranuar pagë për muajin e parë të vitit. Ndërkaq, llogaritjet tregojnë se pothuajse gjysma nga të punësuarit në Maqedoni marrin paga mes 12 dhe 25 mijë denarëve. 8% janë me të ardhura më të larta se 25 mijë denarë, ndërsa 43% marrin pagë nën 12 mijë denarë.
Pagat më të larta kanë të punësuarit në transportin ajror, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror statistikor, pasi paga mesatare në këtë veprimtari në janar ka qenë 60.476 denarë. Vijojnë të punësuarit në veprimtaritë të lidhura me programet kompjuterike, aktivitetet konsulente dhe të ngjashme, me paga mesatare prej 49.530 denarë. Programerët janë më të kërkuar në tregun e punës. “Bëhet fjalë për sektor ku nuk është më me rëndësi çmimi, gjegjësisht nuk konkurrohet përmes çmimit, por udhëheqës kryesor është cilësia. Në këtë rast duhet të vijë deri të rritja e pagave të atyre të cilët tashmë janë të punësuar”, sqaron profesori universitar, Nikica Mojsovska-Bllazhevski.
Pas programerëve, në vazhdim në listën e më të paguarve janë ata të cilët merren me prodhimin e produkteve farmaceutike dhe preparateve me pagë mesatare neto prej 45.991 denarë. Të punësuarit në sektorin e telekomunikacionit fitojnë nga 43.981 denarë, në aktivitete juridike dhe të kontabilitetit mesatarisht paguhen nga 43.279 denarë në muaj, diçka mbi 42 mijë denarë marrin të punësuarit në aktivitetet për prodhimin e kemikaleve dhe produkteve kimike. Mesatarja e pagës në sektorin e shërbimeve financiare është 41.717 denarë. Paga më të ulëta në Maqedoni ka në prodhimin e lëkurës dhe produkteve të lëkurës (11.572 denarë), prodhimin e veshjes (12.959 denarë), peshkimit (13.592 denarë), prodhimit të mobiljeve (13.699 denarë), shërbimet lidhur me mirëmbajtjen e ndërtesave dhe të mjedisit (13.785 denarë), aktivitetet për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit (14.409 denarë), përpunimit të drurit dhe produkteve të drurit (14.505 denarë). Mesatarja në industrinë përpunuese është 17.300 denarë. Të dhënat e Entit shtetëror statistikor për strukturën e të punësuarve tregojnë se në industrinë e përpunimit, bujqësi, dhe në tregtinë me pakicë dhe shumicë është gjysma e popullatës së përgjithshme që punon. Lidhja e Sindikatave e llogarit shportën mujore sindikale, e cila përfshin shpenzimet e ushqimit, pijeve, strehimit, higjienës, transportit, kulturës, veshjes dhe shëndetit. Ajo i referohet një familjeje katër antarëshe, e cila jeton në banesë 50 metra katrorë dhe që nuk posedon makinë. Të dhënat e fundit të Sindikatit janë për muajin dhjetor, kur vlera e shportës sindikale është llogaritur në 32.102 denarë. Për ta mbushur të njëjtën, paga mesatare duhet të jetë 1,5.
Në buxhetin e vitit 2017 është projektuar rritje e punësimit prej 1,8 për qind dhe parashihet hapja e 11 mijë vendeve të reja të punës. Autoritetet mendojnë se hapja e vendeve të reja të punës do të nxitë rritje të pagave. “Papunësia ulet, ndërsa kjo shkakton rritje të pagave, të cilat në periudhën e kaluar u rritën për mbi 65%”, ka deklaruar zv/kryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski. Megjithatë, që të përmbushen pritjet, nevojitet të arrihen parashikimet për rritjen ekonomike, që nënkupton eliminimin e pasojave të krizës politike. “Për rritje objektive të pagave ndikojnë shumë parametra, por është e rëndësishme që në kuadër të dialogut social duhet të ketë ndërgjegjësim, si dhe të ketë bazë ekonomike që të mund të ketë rritje të pagave”, thotë profesori universitar Llazar Jovevski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara